Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Misetiq, ka akuzuar Prokurorinë e Specializuar në Hagë se ka mbajtur të fshehta dokumente të rëndësishme për dëshmitarët e parë të mbrojtjes, përfshirë James Rubin.
Në një parashtresë urgjente të datës 13 shtator, Misetiq tha se Prokuroria kishte dorëzuar rreth 500 dokumente me vonesë, shumë prej tyre vetëm pak ditë para dëshmisë së dëshmitarëve, duke penguar përgatitjen e mbrojtjes. Ai e cilësoi këtë veprim si taktikë për të fituar avantazh në proces, në kundërshtim me parimet e një gjykimi të drejtë.
Sipas avokatit, dokumentet në fjalë lidhen me angazhimet e Rubin dhe të tjerëve në Kosovë, të cilat Prokuroria i kishte në posedim më herët, por nuk i kishte zbuluar “pa vonesë”, siç kërkohet me rregulloret e Gjykatës.
Mbrojtja paralajmëroi se këto shkelje mund të sjellin kërkesa për shtyrjen e procedurave dhe përjashtimin e provave.