Kujtime
Dritëro Agolli qëndroi disa ditë në pranverën e vitit 1989 në Krahinën e Bytyçit, si i ftuem special i kryetarit të kooperativës së Pacit, Ali Berbati. U takova me të disa herë. E ftova për vizitë në shtëpinë time, shkova me të për drekë te shtëpia e Muharrem Selimit, në Zherkë te shtëpia e Muhamet Selimit dhe në Zogaj e Kepenek. Ishte njeri i thjeshtë, muhabetqar, erudit, me dije të mëdha e të thella, praktik e me humor. Respektohej dhe nderohej nga të gjithë. I donte shumë njerëzit dhe i dhimbseshin kur i shihte se vuanin. Njihte psikologjinë e tyre sipas trevave dhe përshtatej shumë mirë. Që në takimin e parë më krijoi ndjesinë se e njihja prej kohësh dhe e kisha takue disa herë. Ishte vërtet pijetar. Them pijetar, se ai edhe pasi e kishte përfundue një shishe me konjak a fërnet e kishte mëndjen të kthjellët, bile vargjet i vinin pa pushim. Pëlqente dhe recitonte vargjet e Omer Khajamit, recitonte dhe vargjet e veta.
Në bisedat vetjake, por edhe me të tjerët mësova shumë gjëra interesante prej tij. Ato tri ditë që qendrova me të, ishin një shkollë për mue. E them me bindje se ishte komunist me shpirt, jo thjesht me teserën e partisë. Sikur disa të ishin si ai në udhëheqje, Shqipëria do të kishte ecur me ritme më të larta, shoqëria do të ishtë shumë më demokratike, më e gëzuar dhe më e lumtur. Kërraba e udhëhëqjes dhe e disa komunistëve po tërhiqte nga vetja. Ishte shkëputur nga populli udhëheqja e partisë në qendër, në rrethe dhe poshtë në Ndërmarrje shtetërore dhe në kooperativa bujqësore. Kjo e kishte ulur edhe autoritetin e partisë. Ishte krijue si rezultat i kësaj një antagonizëm, herë i fshehtë, herë i hapur, por shumë i rrezikshëm popull-parti-pushtet. Kur humb respektin e njerëzve, nuk të ngjit fjala. Kur ka varfëri e mjerim nuk ka unitet, nuk ka bashkëpunim, solidaritet dhe stabilitet politik. Kur nuk ka qarkullim elitash dhe sheh të njëjtit njerëz e fytyra që qeverisin prej dekadash, sklerizohet pushteti, zvenitet e shkon drejt rënies së lirë, ashtu, siç bie molla kur e bren krimbi dhe kalbet. Dritëroi e kishte kuptue këtë dhe bënte kritika hapur, me guxim, në dobi të partisë e të qytetarëve. Duke qendrue disa ditë me të e kuptova më mirë dhe m’u shtue bindja se rendit socialist po i shterroheshin burimet dhe nuk e kishte të gjatë. Dritëroi e thoshte shkoqur: “Gjithçka, ashtu si njeriu lind, rritet, zhvillohet, plaket e vdes edhe një sistem nuk është i përjetshëm, zëvendësohet me një tjetër”. Kishte dëshirë të rrinte e të bisedonte vetëm me mue. Bile disa persona që e shoqëronin u bënë xhelozë për këtë.
Më tha i mërzitur dhe i irrituar: “Unë Bajram tufëzimin e bagëtive e kam quajtur marrëzi. Humbja e qumështit për të bërë gjalpë, mua më dukej si cënim i patriotizmit, si fshirje dhe venitje e moralit dhe e mënyrës së jetesës së shqiptarit, si lëkundje e atij tabani, që mbante gjallë jetën shpirtërore të banorit shumëshekullor të këtyre maleve.” Ma tha në Zogaj, atje ku ishte bërë tufëzimi edhe i lopëve. Dhjetë vite 1981-1991 ishin vite të vështira për ta. Më dhimbseshin. Kur shkoi një ekip i Komitetit të Partisë për të parë masat që ishin marrë për furnizimin e popullsisë me qumësht, gjalpë, djathë e mish, në përfundim të kontrollit kërkoi të ndëshkoheshin me masa të rënda: kryetari i kooperativës, sekretari i byrosë, kryetari i këshillit. Për mue ata nuk ishin përgjegjësit e kësaj situate. 128 banorë të Kepenekut mernin 7 litra qumësht nga tufëza!!! Ishte bërë qesharake edhe llogaritja sesa bagëti ka çdo shtëpi: Filani 0.7 dele, 1.6 dhi, 0.5 lopë etj. Tufëzat zvogëloheshin, banorët rriteshin. Ishte mundësia që kjo nismë, fatkeqe për fshatin në radhë të parë e pastaj edhe për qytetin të korrigjohej, por ecëm me mendimin se partia nuk gabon dhe nuk duhej të ktheheshin vendimet e saj.
Duke ecur me të shihnim sipërfaqe të mbjella me jonxhë. Ai më thoshte sa mirë do të ishte të ishte plot me viça. Kur kalova në këmbë me të nga Stobërda në Zogaj shihte kullotat plot me bar dhe malet plot gjeth, por bagëti kërkund. “Si ka mundësi të ndodhë kjo?” – pyeste pa pushim. Ahuret e bagëtive ishin bosh dhe kjo e bënte të ndihej keq.
Natën e fundit ne ishim mysafirë te shtëpia e Avdyl Qerimit në Kepenek. Aty ishin edhe vëllazënit e tij, Kadria e Dauti, dhëndrri i tyre, Ramiz Lusha, kryetari i kooperativës së Pacit, Ali Berbati dhe i Zogaje, Musli Osmja, drejtori i Pallatit të Kulturës, gazetari i Bytyçit, Ibrahim Hajdarmataj dhe sekretari i byrosë së partisë së Zogaje, Xhemajl Neza. Na pritën shumë mirë, u kënaqëm, qëndruem deri vonë dhe biseduem hapur. Kur një nga pjesëmarrësit u vonue Dritëroi tha: “Ç’derr socializmi është ky! Po të shkosh me vonesë në punë në kapitalizëm, largohesh nga puna.” Na foli për raportin e së kaluarës me ditët e sotme. Nuk duhet të mohojmë të kaluarën, të marrim elementët më të mirë. Tha se ishin bërë gabime dhe duheshin korrigjuar. E mbylli me fjalët: “Ai që godet traditën me kobure, duhet goditur me top!” Na tregoi histori personale sa u shkulëm së qeshuri. “Kur i propozova Sadijes për martesë, ajo më tha se kishte vërejtje për mua se më kishte dalë zëri për pijanec. Unë i thashë: “Mirë, hajde e shkojmë e pimë një kafe dhe bisedojmë. Shkuam. Në qoshe të lokalit ishte një burrë që ishte dehur dhe bërtiste. I bëri përshtypje Sadijes dhe e pyeti kamarierin: “Kush është ky?” Ai u përgjigj: “Është Dritëro Agolli”. E dëgjon i thashë: “Shpesh të del nami për diçka që nuk është”. Vazhdoi bisedën më tej: “Unë kisha shkuar me shërbim në Pukë, kur isha gazetar i Zërit të popullit. Shkova për darkë te një fshatar. Na shtroi rakinë dhe mezet. Na mbushte gotat herë pas here. Shishja mbarohej dhe ai shkonte e merrte tjetrën. I thashë se po lodhesh, më mirë na sill damixhanin me raki. E solli dhe e mbaruam. Ai i kishte bërë letër KQPPSh-së se Dritëro Agolli ishte pijanec e si e mbani. Më thirri shoku Ramiz dhe më tregoi letrën. I thashë: “Po unë shoku Ramiz me të piva dhe vetë ma solli damixhanin. Si më paska raportuar? Nuk pritet mysafiri në besë, nuk e ka zakon shqiptari. Qeshëm të dy dhe e kaluam me shaka.”
Kur mora Sadijen, shkova me të te prindërit e mi në fshat. Babai i tha asaj: “Ma jep shpirton!” Sadija ia ktheu: “Shpirtin ia kam dhënë Dritëroit, nuk ia jap kujt tjetër!” Ajo u keqkuptue, nuk e dinte se shkrepses për të ndezur cigaren, ne korçarët i themi “shpirto”. Ditën tjetër i thashë Sadijes të na bënte një sallatë me mollatarta, kishim plot në kopësht dhe të freskëta. Babai e dëgjoi dhe më tha: “Si bëhet sallata me mollë?!” Jo babi, shkodranët i thonë domates mollatartë. Kaluam disa ditë së bashku, u kënaqëm dhe mësuam nga fjalori i njëri-tjetrit. Dritëroi çdo bisedë e shoqëronte me recitimin e vargjeve nga poetë shqiptarë dhe të huaj. Kishte kujtesë fenomenale dhe dinte me mijëra vargje. Unë një pjesë të vargjeve të tij i fiksova në memorjen time. Pasi u largue, ai botoi nje reportazh për vizitën e tij në Bytyç, për historinë e tij, për njerëzit e në mënyrë të veçantë vlerësonte kryetarin e kooperativës së Pacit, Ali Berbati, i cili kishte ardhë në vitin 1984. Ai punoi shumë mirë, e tregoi veten si drejtues dhe organizator dhe u nda me faqe të bardhë me bytyçasit. Ishte i aftë për t’i njohur dhe vlerësuar njerëzit.
Kur e dëgjova diskutimin e Dritëroit në Kongresin e Partisë, në qershor të viti 1991, një diskutim brilant, programatik, i guximshëm, i sinqertë, me shumë vizion, shpëtimtar për Partinë e Punës. Një thirrje e brendshme për t’u ndarë nga gabimet e së kaluarës. Në fillim kur foli pati hilaritet, britma nga konservatorët e partisë: “Nxirreni jashtë!” Pati brohoritje: “Parti-Enver, jemi gati kudoherë!” Dritëroi ruajti gjakftohtësinë dhe iu drejtue sallës përsëri: “Me qendrime të tilla nuk reformohemi kurrë!” Udhëheqja e re e partisë e vlerësoi kapacitetin e tij, e zgjodhi në kryesinë e partisë dhe deputet në disa legjislatura.
Diskutimi i tij më rikujtoi bisedat dhe fjalët e tij, kur ishte në Bytyç. Po i analizoja një për një. Po i diskutoja me veten. Thashë më zë të lartë dhe me vendosmëri: “Lum Ps-ja që e ka! Ta dëgjojë zërin e mendimit të tij! Kështu do të transformohet e do të reformohet si një parti moderne e majtë!”
[*] Ish-drejtues i lartë i pushtetit për 30 vjet në rrethin e Tropojës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
