leoni

Bardhosh Dinë Gërvalla (1885- 1951) luftëtar i Rezistencës Kombëtare Shqiptare

Këtë tregim për luftëtarin e Rezistencës Kombëtare,  Bardhosh Dinë Gërvalla, të atin e dëshmorëve të kombit: Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, ma ka rrëfyer i nipi i tij, Brahim M. Berisha, baba i dëshmorit Maxhun Berisha. Brahimi dhe Bardhoshi, nip e dajë, kanë qenë shumë të afërt dhe nga njëri-tjetri asgjë nuk kanë fshehur. Për të Avdyl Gërvalla thotë: “Brahim Maxhun Berisha, nip yni, njëri prej aleatëve tanë natyrorë, luftëtar i madh dhe i palodhshëm, në prehrin e të cilit kemi gjetur dashurinë e respektin, admirimin dhe guximin e paparë”. Nga audiokaseta, e incizuar në verën e vitit 1988, për opinionin e gjerë, këtë dokument autentik, në formë të shkruar, po e publikoj duke iu përmbajtur besnikërisht origjinalit.

( Kadri Rexha)

 

Bardhosh Gërvalla është i biri i Din Fazlisë së Fazli Alisë nga Duboviku, fisi Berishë dhe i nanës Fanë Dërvishja e Dervish Mulaj nga Isniqi, fisi Shalë. Të parët e Bardhoshit vijnë prej bajraktarëve të Mërturit. Tue kanë bajrak i panënshtruem veziri i Shkodrës i kish pas marrë me zullum të madh, ua kish pas marrë një mashkull dhe e kish pas mundue shumë, çaq mundue fort sa ndërmjet thonjve i kish pas vnue kungja të pishës e tue ia kallë bashkë edhe me gishta, e ky s’i kish pas ra n’ta hiç. Prej zullumit largohet bajraktari i Gërvallës dhe kah asht dalë e ka lanë bajrakun në katundin Radogosh, te shokët e vet, edhe ata të Merturë. Kur del në Kosovë, tue njoftë se asht kryengritës, i pabindun dhe luftëtar e tue u mundue me e ba për veti, Azllan Pasha, ia kish pas dhanë titullin odabash, diçka pak ma nalt se bajraktar.

Kur asht çue Turqia e vendin tonë, me ndihmën e Evropës, e merr Serbia e Mali i Zi, Bardhosh Dina, i vetë i pesti, me babën, Dinën, dhe me gjithë vllazën, Zekën, Fazlinë e Hajdarin, si kundërshtar i shtetit, del në mal sa, kur i kanë kap popullin me ua ndërrue fenë, nuk kanë gjet kanë në shtëpi, të tanë janë kanë në mal. Në mal ka qëndrue aq sa ka ndejt këtu pushteti i Malit të Zi. Në atë kohë shteti au ka marrë tokat tanë kaçakëve, kundërshtarëve të shtetit. Me këtë rend u merret toka edhe Gërvallëve.

Pak për pa hi Austria, Serbia me Malin e Zi merren vesh, ushtrisë i jepet urdhni me u tërhjekë nëpër Çakorr për me dalë në Mal të Zi. Tue u tërhjekë në drejtim të Pejës Batalionet e Malit Zi hyjnë nëpër Strellc tue ba zullum, tue vra fëmijë e pleq e tue djeg shtëpitë si e kanë pasë gjithmonë zakon. Vetëm shtëpisë së Feriz Haxhëve të Strellcit të Poshtëm atë ditë iu kanë djegë në kullë 23 anëtarë të familjes. Bardhosh Gërvalla ka qëllue në Strellc, për punë të veta. Tue u zhdjerg me ra në Dubovik, teshet në ushtri.

Bardhoshi tregonte: “Katunit i kish dalë flaka, mjegull e madhe prej tymit, veç kur jam teshë ballë për ballë me ushtri, kërsitke pushka e alameti, flaka shkonte përpjetë, ulurimë e piskamë, rob e fëmijë në flakë. Jam ra barkas sa për pak më shkelen suharia, ua kam dhanë me manzere kap-kup, kap-kup…”. Me pushkët e para Bardhoshi qaq e ka praptu atë ushtri sa e ka shpëtue Strellcin dhe katundet për rreth. Asht ngjitë e asht ngujue ne kullë të Demir Alisë Dautaj. Siç tregonte: “Demiri ish kanë i varruem prej plumbave qe kishin hi për dritare. Sa herë qitsha ma bajke “Oh, Bardhosh Dina, qëndro, bre!” Isha mbet tue qitë për dyshekllak, sokaqet herë teposhtë e herë përpjetë plot me ushtri të shkive. Ma rrethuen kullën, hynë brenda në oborr, u afruen në derë të kullës dhe në derë të ahrit. Jam dalë në derë të katit të kullës, në shkallë, qitsha herë në derë të kullës e herë në derë të katit. Ushtarët me sakica tue e thye derën, i këputën dy dërrasa të derës së ahrit, i kanë fut bombat për dere në ahër, 20 copë lopë, dy kijë, një kalë i samarit mbetën në vend pa pikë shpirti. U bë ushtimë e adalet. Një djalë i Demirit në grazhd të lopëve, po për fat grazhdi i dërrasave të gështenjave i trashë, ish kanë pshtue pa e gjet gja hiç. Nji djalë tjetër në shtrat, në qiler, ish kanë varrue. Unë në shkallë të katit, tash shkitë po donë me m’u afrue këndej e këndej. Me mbetën tre fishek në pushkë. Po i ruej kur të më çelet dera me ua dhanë edhe qata fishekë dhe me u kap fyt për fyt me ta…” I erdh hesapi, ish kanë çue nahija e Gjakovës, Osman Aga i Rashkocit, Maxhun Nimani i Becit me rrethinë, nja 500 vetë. Kur dalin në Llukë të Poshtme e në Llukë të Epërme, marrin vesh se Bardhosh Gërvalla asht ngujue në Strellc e se kurrë ma ngusht nuk e ka pasë punën. Atëherë mobiliozohen, ou yrysh djalë!, e t’i veshën fushës në fund të Isniqit, e t’u afrohen atyne trojeve. Ka kris pushka e alameti. I kanë hetue shkitë dhe kanë nis me u bajt e me ik sa munden në drejtim të Pejës. “E kam ndi, kallëzonte Bardhosh Dina, e kam ndi nji za kur ka piskatë: Ooouuu, qëndro, Bardhosh Dina, aiiiiuuu!, e kam njoftë në za se asht Din Xhemaili i Gllogjanit, ooo Bardhosh Dina, aiiuuu!” M’u ka çue plisi përpjetë prej gajretit, e t’kam ba shkallëve teposhtë, ia kam hjekë derës drangun, gjysma e dërrasave të këputuna, kur jam dalë, dy petica, njëra këndej dere e tjetra andej dere, singijat në to, pesë gjashtë kapuça të shkive kishin mbet aty plot me gjak, vazhgat e trasha të gjakut avullojshin, se trupat i kishin ngreh zhag. Për derë të kapixhikut kam dalë në rrugë e t’ia u kam dhanë me pushkë, sokaku qyme tuj shkue.

 E t’iu kemi lye mbrapa, hajt djalë… kallëzonte daja Bardhosh, tri javë ditë n’shpi teme s’jam shkue as me i ndërrue teshat, deri sa i kemi ndjekë ushtrinë përtej Çakorri. Jemi hi përmbi Raushiq e Bellopojë, përmbi sheher të Pejës, nëpër Kapishnicë. Atëherë, sikur bima në arë, veç kur i shihsha qysh u valavitshin, e delshin shehri, e zonjat e shehrit e na kapshin për qafe knej e knej. I kemi shti shkitë Grykës së Rugovës përpjetë, na u ngujuan dhetë ditë në Rugovë në do gryka, atëherë tue i vjedh, tue i shti për thumb, tue i krastitë, një ditë, po thotë daja Bardhosh, në mbramje e bamë luftën, dikur mbas gjysmës së natës, me ferk të sabahit, tue këqyrë po e shoh një ushtar, nji malazez vilak, i madh pa hesap, jam afrue me pushkë në dorë, ish kanë gjallë, tue shpurdhë i shkreti, e kish pasë ba me kundra nji shpellë sa me hi një njeri aty. Iu kam afrue ngat, më ka thënë: “Ou, udri turçine!” Baba Dinë, mbas meje, po më dvet: “Çka po thotë, Bardhosh!” O po më lutet me e vra… “Mos e nguc, mos e nguc, se i del boll qajo! Mos e prek!” Jam shkue pak ma andej, po i shoh, shkitë i kishin nxanë pritat. Në atë dakik kanë ardhë dy pejanë, njani Zenun Bojku, tjetri edhe ai Zenun, por më ka dalë menç emni i tij, e po dvesin: “o ku asht anmiku, ku asht dushmani?” Kadale djem se unë moti jam këtu, me shkue ma andej bini në pritë e u grijnë.

O ku asht anmiku… ka shkue njani e asht hi në anën e anmikut, një malazez hajnisht i ka dalë mbrapa, e shtini andej mbrenda. Kur e ka pa ai që i duel shkau mbrapa asht kthye e t’ia kanë dhanë të dy shoqi-shoqit ding-ding. Po asnjani në mish po në tesha, janë fshi fytas. I pejani i vogël sa një thmi, shkau vilak mashkull, e kapke dhe e sillte rrotull, kur e lëshojke, ai bike pip në kambë. Bre, andej, bre, këndej, ju afrova bukur ngat, me shti për thumb, ma çitke pejanin përpara, s’kisha çka me ba deri sa jam shkue e ja kam shti grykën e pushkës n’trup, tak, t’ja kam dhanë kap-kup deri sa i ka ra pejani në gjoks. Pejani ia nxori alltinë e më tha: merre, se ma pshtove jetën! Jo nuk asht e jemja, ajo asht e jotja, i thashë! Po, jo, po don me ma dhanë pejani. I thashë: nuk e marr, ti je shkue fytas me ta, nuk ta marr, alltinë e ke fitue me luftë. Ani, pra, më tha: qe, merre manzerren . Po, manzerren po, se e kisha një shoq pa pushkë. Aty e kemi damtue armikun pa hesap, shumë pa hesap e kemi damtu qaty. E kemi çue prej atyhit, e kemi shti në Velikë, e i kemi qitë përtej Shekullarit, të damtuem, të shkatërruem krejt”.

U çue Austria. Në të 18-ën sene hyni Serbia e dytë. Bardhoshi me vllazën prap duel në mal se nuk mujti me pritë Serbinë në shpi. U kthye krali i Serbisë dhe e pruni Cërnagorën, i shkepi kolonistët nëpër Rrafshin e Dukagjinit e i shtini në shtëpia të shqiptarëve. E pruni Lekë Shaliqin prej Velike të Malit të Zi dhe e shtini në shtëpi e në tokë të kaçakut, në kullë të Bardhosh Dinë Gërvallës. Kulla asht kanë e gatë, dykatëshe. Gjysmën e kullës dykatëshe, odën e burrave me disa dhoma, katin e poshtëm dhe katin e epërm e muer Lekë Shaliqi. Gjysmën tjetër ia la Bardhosh Dinës me gjithë familje. Bardhoshi me ndihmën e shokëve e mbaruen odën e burrave në oborr, me lloq, sa për idare. Nuk vonoi shumë e Juniku u caktue si zonë neutrale.

Aty për disa vjet janë mblidh burrat e Kosovës, ata që kanë vye diçka. Bardhoshi me dy vllazën, edhe me grue, ka nejt tri vjet aty, ashtu si edhe Bajram Curri, Hasan Prishtina, Azem Galica, Beqir Vokshi… Qaty ka pasë diçka që e kanë pre Beqir Vokshin, diçka jo të mirë, një lidhje jo të mirë me armikun. Qëllimi asht kanë për me pre edhe Bajraktarin e Junikut, po bajraktari ka shpëtue, e kanë pre veç Beqir Vokshin. Bardhoshi asht kanë i njoftun me Azem Galicën, me Hasan Prishtinën, me Bajram Currin dhe me rrethin e tyre, asht kanë në qatë shoqni. Kur i erdh fundi, Bardhosh Dinë Gërvalla me babën tem, Maxhun Smajlin, Azem Galicën e ka përcjellë dhe e ka qitë përtej Drini, në katundin Vollnjakë, prej aty Azemi asht shkue në Galicë dhe nuk ashtë kthye ma i gjallë. Paria jonë, burrat e vendit tonë, nuk e kanë pasë nji drejtim bash të mirë, nuk kanë luftue që më thanë, po luftojmë për atdhe, për troje të veta, po kanë luftue për një karrige, sa, erdh hesapi, mos me muejt me dalë e me e ba një udhëhqës, kryetar në vendin e vet, po me ba lazëm e me e prue princ Vidin prej Gjermanie për me e ba mret në Shqipni, e djemtë e  nanave dhe baballarëve shqiptarë mos me muejt me dalë e me sundue vendin tonë.

Mbasi që u prish Zona Neutrale e Junikut, burrat e dheut mbetën kaçak nëpër male, po dikur ma vonë , krali, hyqymeti i Serbisë, qiti urdhën që kush asht kaçak, asht i falun, edhe gabimet i ka të falme. U kthyen kush asht kanë kaçak. U kthye edhe Bardhoshi me vllazën. Po e dinë se tash janë të falun. Por Lekë Shaliqi shkon në Pejë, në hyqymet, te naçallniku dhe ankohet: “Bardhos Gërvalla më ka dëmtua, m’i ka vra meshkujt”. Naçallniku çon xhevapin në Strellc te naredniku dhe i mshelin në burg Bardhosh Dinën me gjithë vëlla, Hajdarin. Tash Lekë Shaliqi shkon te naredniku në Strellc dhe i thotë: ke urdhën që nesër Bardhoshin dhe Hajdarin duhet me i çue në Pejë, por rrugës, përmbi Raushiq, në Zagërmë, në mal, ti duhet me i vra, e kurrsesi me i çue të gjallë në Pejë. Qëllon aty një stellcjanë dhe i ndien këto fjalë. Mbasi shkon Shaliqi dredhet e i thotë narednikut: qysh po doni me i pre këta njerëz bigajrihak, këta nuk kanë anjë faj. Po me të dhanë pare a mundesh me i shpëtue? Po me m’i dhanë 50 lira i shpëtoj pa u vra, thotë naredniku. Me ferk të sabahit strellcjani shkon e i çon xhevap Fazli Dinës në shtëpi: nëse deri në ora 8 arrinë me i ba 50 lira, vllaznit që i ke në burg të shpëtojnë, po nuk i bane lirat, qata dy vllazën të grihen e ke mbet pa ta.

Menjiherë asht çue Fazli Dina prej shtëpisë së vet e ka mësye e asht ra në Loxhë te Haxhi Rexha. Me ferk të sabahit i ka trokitë në derë. Haxhi Rexha, tuj u ba gati me falë sabahin, e shtjen kryet ndritare, kur e sheh Fazlinë, i thotë: o a i ki gjallë vllaznit, bre! Po gjallë janë po nuk e di a kanë me shpëtue se me pasë pare shpëtojnë. Del Haxhia, e çel derën e i thotë Fazlisë: hajde hyn mbrenda e pritëm pak. Haxhi Rexha del nëpër katund e i tubon 50 lira e i bjen në odë. Fazlia i merr paret, shkon në Strellc para orës tetë e ia jep lirat narednikut. Bardhoshin e Hajdarin i nisin për me i çue në Pejë. Kur dalin ndërmjet Lubeniqit e Raushiqit, Shaliqi në kalë të shalës, vetë i treti, i gëzuem se po vrahet Badhoshi me vëlla, zbret prej kali e u del përpara, e shtin dorën në xhep, e nxjerr një sumbull e thotë: shiko, gospodine narednik, kjo asht sumbulla e alltisë së Perë Lekës që ma ka pre Bardhosh Dina. Naredniku kthehet qaq rrmisht e i thotë: Marsh, ik nga udha, çka ka ba ky unë nuk di, për ty bukën e fëmijëve nuk e hupi!  Shaliqi e merr vesh se pakan luejt fjalët e largohet nga udha me krye ulun.. Bardhoshin e Hajdarin i qojnë në Pejë para Naçallnikut. Naçallniku i merr në pyetje: ti je Bardhosh Dina? Po. Ti e ke vra Perë Shaliqin? Me pas dashtë e kisha vra njiqind herë, por nuk e kam vra! Po shki a ke vra? Po, sa kam muejt. Në front jemi kanë, me pa muejt edhe ata më kishin vra mue. Dhe, me fjalë të drejta, Bardhosh Dina u mbrojt aq mirë sa e lëshuan prej burgu. Shaliqi met me gojë haptë, por puna e Perës mbet me u pleqnue me Kanun të Lekë Dukagjinit. Dulen pleqtë dhe e pleqnuen. Mirëpo, plaku ke i zoti, Bardhosh Dina edhe ma i zoti prej goje, sa Lekë Shaliqi mbet humbës. Po Bardhosh Dina s’ju ka nda kurrë, ka sjell n’ta sa ka muejt.

Kur u lirue prej këtyne sendeve, Bardhoshi u kthye në shpi, paj pa tokë, pa sene, ka vuejt shumë, ka punue tue marrë toka përgjysmë, besa bukur me zor tue jetue, do vjet ka jetue edhe në Pejë, e ka pas marrë me qira nji mulli, është pedatë shumë vjet. Ka vuejt shumë, mashkull i zoti, po plakej, po mbet veç me nji çikë, pa djalë. Populli, tue pasë dhimtë, i thanë me u martue e mos me shkue pa e lanë nji djalë. Burrat e fortë banë gajret, shtinë e i ranë mbrenda Isuf Buzhalës, i katundit Kryeshec, i gashjan, mashkull i zoti, ia lypin një çikë për Bardhosh Dinën e ai nuk ua bani një gjysmë fjale, ia jep çikën Bardhosh Dinës. Asht kanë diku e 33-ta sene. U martue Bardhoshi me Ajshen, çikën e Isuf Buzhalës, dhe nuk vonoi shumë e zoti ia fali nji djalë, Hysenin.

Kur hyni Italja e Gjermani në Jugosllavi, aso kohe kemi thanë se na kanë çlirue, se me tamam na e hoqën Crnagoren e Serbinë se na e kanë pasë nxanë frymën. Edhe Shaliqi menjiherë u çue, i la mall e gja, e iku e shkoi në Velikë. Po Bardhosh Dina i merr ato gja e mallin e tij dhe me njerëz të sigurtë ia ka përcjellë e ia ka qitë Shaliqit në Cërnagore tue i çue fjalë: mos harro se se m’ke borxhe të mëdha, po me mall tandin nuk due me u përdorë.

Qato tri-katër vjet qe ke italja e gjermani, okupacion, na i thojshim Shqipni, Bardhosh Dina shkoi në front, roje n’kufi, tuj e mbrojt vendin tonë, luftë verë e dimën, n’Pazar, Tutinë, Rozhajë, Plavë e Guci, Smilovicë, e gjithkah ku kish nevojë, deri kur hyni partizani. Luftojke me ushtri të Drazha Mihajlloviqit, qi e ka pasë njetin për me ra n’Kosovë e mos me lanë as fëmijë në djep. Po qashtu çka kanë mendue ata nuk u ka dalë kurrënjëherë. Edhe unë asokohe jam kanë në mbrojtje të kufinit, çetnikët u ranë 40 katuneve, prej Bihori e deri në Bellopojë, i kam pa me sy të mi, fëmijëve ua kishin nxjerrë sytë me singi, nanat e masakrume nëpër oborre, shtëpiat e djegme rrafsh me tokë, kështu e kanë pasë mendimin kur të bien në Kosovë. Jemi kanë 8000 shqiptarë tuj ra një teposhtzës n’Dacaj, e kam pa në ngrykë të nanës vet, syni i fëmijës i kish mbet i varun n’dejzi, ja kish nxjerrë çetniku me singi, Një regjiment ushtarë taljan n’Rozhajë na ka ndalë, veç nji Zot na ka pshtue pa u damtue  me ta, atëherë kemi mbetë qaty, në Rozhajë, 25 ditë.

Mbas Luftës hyni Partia. Partia e pruni Lekë Shaliqin apet në tokën dhe në shtëpinë e Bardhosh Dinës. Bardhosh Dina bani ankesa prej komune e deri në Prishtinë. U tha: “Çka na gjet kështu. Kemi luftue me i pas të drejtat tona, mos me na sulmue kush sikur në kohën e kralevinës së parë, partia komuniste na ka thanë se gjithkush duhet me kanë sundues në vendin e vet”. Ankesat nuk ja mur kush në dorë. Shaliqi u bë me tokë, Bardhosh Dina mbet pa tokë deri sa i plasi zemra prej zullumi e padrejtësive të hyqymetit. Në vitin 1951 Bardhosh Dina vdes tue e lanë familjen pa shtëpi, të vorfun qaq ma, fëmija e tij pa kurrfarë mjetesh, pa pasë mjete as me u shkollue. Hyseni i ri, Isufi i vogël, nana e re, Bardhoshi në bark të nanës. E ama, Ajshja, me Hysenin e me fëmijtë tjerë, pa Isufin, shkon në Slloveni, e re, pa gjuhë, në vend të huj, ka punue në fabrikë, tue u mundue me i mbajt e me i rritë fëmijët me një rrogë. Fëmijët e vegjël janë rritë jetima e janë shkollue për gazep të Zotit.

Kontrolloni gjithashtu

Marie Shllaku, (1922-1946) luftëtarja heroinë e bashkimit të trojeve në një Shqipëri Etnike

Marie Shllaku, (1922-1946) luftëtarja heroinë e bashkimit të trojeve në një Shqipëri Etnike

Pavarësisht Kanunit, fesë dhe traditës patriarkale, në shumë raste gjatë historisë, femra  shqiptare i ka …