Në kulmin e fushatës zgjedhore dhe përpara një referendumi historik, Bashkimi Demokratik për Integrim, ka reaguar ashpër ndaj vizitës së qeverisë serbe në Shkup, duke e cilësuar si një “kapje shteti nga Beogradi me bekimin e VLEN-it dhe Mickoskit”. Sipas BDI-së, marrëveshjet e prezantuara si bashkëpunim ekonomik dhe stabilitet rajonal fshehin ndikimin e rrezikshëm të Serbisë, duke depërtuar në financa, energjetikë, telekomunikacion dhe institucione shtetërore. Partia thekson se kulmi i këtij ndikimi u pa më 10 shtator me lejimin e bankës serbe Alta Banka të hyjë në tregun financiar të vendit, një akt që e konsideron “krim institucional” dhe kërcënim për sovranitetin e Maqedonisë së Veriut. Reagimi i BDI-së nxjerr në pah shqetësimet për ndikimin e jashtëm dhe për rolin e organeve vendimmarrëse në kapjen e shtetit.
