Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të thellë për mungesën e progresit në ndjekjen penale të autorëve të dyshuar për sulmin terrorist në Banjskë, që ndodhi në shtator të vitit 2023. Reagimi vjen pas raportimeve se disa prej të dyshuarve janë parë të shtunën në Beograd, duke vepruar si roje sigurie gjatë një proteste studentore para Presidencës serbe. Në një deklaratë për media, Zyra për Shtyp e BE-së kërkon nga Serbia që të ndërmarrë “urgjentisht të gjitha hapat e nevojshëm për ndjekje penale dhe për të sjellë para drejtësisë autorët e dyshuar që gjenden në territorin e saj”. Po ashtu, theksohet nevoja për bashkëpunim të plotë me hetimet në lidhje me këtë akt të rëndë. Ndërkohë, Prishtina ka njoftuar se disa nga të akuzuarit nga Prokuroria Speciale e Kosovës për sulmin në Banjskë janë identifikuar në Beograd, ndërsa Serbia nuk ka ngritur asnjë aktakuzë ndaj tyre.
