Bedri Halimi: INATI I MADH DHE TAKATI I VOGËL I SURROIT, NË NJË PAMFLET POLITIK (5)

Bedri Halimi: INATI I MADH DHE TAKATI I VOGËL I SURROIT, NË NJË PAMFLET POLITIK (5)

Ilegaliteti dhe heshtja si pengesa për Vetonin

Me daljen në skenën politike të LDK-së, që u simbolizua si lëvizje e re politike, me të Surroi nënkupton se do ti thyhej kodi i heshtjes, i klandestinitetit, ngase parullat e viteve 80-ta shqiptarët tani lirisht mund ti flisnin publikisht. Prandaj “nëse shqiptarët mund të flasin lirisht për aspiratat e tyre, nëse mund ti thonë e ti shkruajnë të gjitha ato për të cilat deri atëherë çdo i treti qytetar i Kosovës ka pësuar një masë represioni, për qka nevojiten treshet klandestinë?Për të shkruar parulla Kosova Republikë, të cilët Ibrahim Rugova po i shqipton anekënd?”-thotë Surroi. Por Surroi edhe në këtë rrafsh vazhdimisht del i vonuar. Prandaj edhe i dështuar. Kur këto parulla janë shkruar në vitin 81, Surroi ka qenë në anën e institucioneve, pra me evolucionin. Ndërkaq në kohën kur Kosova duhej bërë përpjekje për çlirim praktik, Surroi del kundër klandenistitetit sepse mjaftohet me të drejtën për ta përmendur termin “Kosova Republikë”. Lëvizjet klandestine në Kosovë kanë qenë domosdoshmëri, qofshin ato treshë, dyshe, apo edhe njëshe. Ato kanë qenë ilegale për shkak se qëllimin e kanë pasur legal, çlirimin e Kosovës. Ndërkaq në kohën e okupimit lëvizjet legale lejohen për të funksionuar vetëm deri në ato përmasa sa nuk e rrezikojnë prezencën e okupatorit. Po Vetoni i di të gjitha. Atij i mjafton vetvetja, prandaj, pse te mos i mjaftoi edhe e drejta për ta përmendur fjalën “Kosova Republikë”. Mos e dhëntë zoti që Vetoni të detyrohet për tu futur në klandestinitet. Ai është shefi. Heshtja në momente të caktuara vërtet e kishte mbajtur gjallë lëvizjen. E Vetoni është kundër heshtjes, jo kundër heshtjes që fle por kundër heshtjes që flet, që djegë. Lëvizjet klandestine koha i ka mësuar që të heshtnin “kur të zhveshnin”, dhe të vepronin edhe me heshtje. Po këta vetëm me ‘heshtje’ para së gjithash arritën vërtet të krijojnë njësitet guerile. Vetëm me heshtje, arritën të fusnin armatim, të cilën do ta përdornin për ta thyer ‘heshtjen mortore’.

Një Flamur të Kosovës – peshqir për djersët e Surroit

“Gjashtë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk mbajmë mend asnjë fjalë nga ajo ceremoni, sepse ishte dizajnuar të jetë pa fjalë që do të mbahen në mend. Ishte dizajnuar të jetë një lloj heshtje” – thotë Surroi.
Këtu është në pyetje pa dyshim çështja se Pavarësia u shpall pa Vetonin. Dhe kjo është e pavlefshme, sepse kështu mendon Baltazari. Sikur të ishte Vetoni në proces, do të ishte e vlefshme. Madje edhe për çfarëdo lloj pavarësie po të bëhej fjalë. Kështu që Pavarësia vërtet s’ka kuptim për Vetonin, sepse ai nuk e ka mbajtur asnjë fjalë në mend. Dhe përderisa nuk e ka mbajtur ai, atëherë askush nuk duhet ta mbaj në mend asnjë fjalë. Kështu thotë logjika e Baltazarit. Por nese vërtet Vetoni nuk e di asnjë fjalë dhe nuk e ka mbajtur mend asnjë fjalë, kjo nuk dmth se të gjithë janë si Vetoni. Pos tjerash sepse edhe qëllimet nuk i kanë nihiliste si të Vetonit.
Pastaj, e pengon edhe himni Vetonin. I heshtur – thotë Vetoni. Do të ishte më mirë sikur të kishte edhe tekst, por kjo nuk dmth se nuk do të bëhet. Teksti i gatshëm që ishte, i propozuar nga Rugova, nuk e plotësonte shijen estetike të Surroit. Ai tekst thotë: “Kur ka ra kushtrimin në Kosovë, janë bashku qytete, katunde edhe bjeshkët me malësorë. . . ”.
Pa hy në analizë të asaj se a do të bënte melodia e kësaj kënge për Surroin, e të cilin Surroi zor se do ta pranonte, mos për asgjë tjetër, edhe për faktin se kjo këngë është kënduar edhe me qifteli, kurse për tekstin, Surroi do të kishte shumë vërejtje, duke u nisur nga natyra “parimore” e tij e deri te ato “ideo estetike”. Ky tekst, nuk i plotëson kriteret për disa arsye:
E para, se përmendet fjala ‘kushtrim’, që në vokabularin e pasur të Surroit ky term nuk ekziston, është term arkaik.
Dhe e dyta, permendet termi ‘katund’,term ky që do të ishte kulmi i pakënaqësisë për Surroin. Katundi në tekst të himnit të Kosovës? Trishtim do të ndjente Surroi. Dhe këtë për dy arsye:
E para, sepse nga katundi është Hashim Thaçi dhe shumica e luftëtarëve të lirisë, për të cilët Surroi ndjen neveri, dhe
E dyta, sepse katundet, nuk denjuan t’ia jepnin votat Surroit me rastin e tentimit të mashtrimit të dytë të tij më 2007, ku Surroi për shkak të katundarëve nuk e kaloi pragun zgjedhor. Merre me mend, se sa meritojnë të përmenden në një këngë qoftë edhe për himn ata që nuk ja dhan votën Baltazarit. Si rrjedhojë, Himni mbeti pa tekst, derisa Surroi të mos protestoj për përmbajtjen e tekstit, sepse çfarëdo qoftë teksti që ti vihet himnit të Kosovës, Surroit nuk do ti bie tamam. Dikush si duket ka mirëkuptim edhe për Surroin.
Te flamuri. Për Surroin ishte peshqir. Po edhe mund të jetë, sepse nuk është i trengjyrëshit jugosllav. Për Surroin “ky dizajn u zgjodh pa ndonjë kriter estetik”. Sepse harta është pengesë për Vetonin. Si mundet Kosova të futet në BE, me hartën në flamurin e saj? Dhe pastaj Vetoni ndalet duke e analizuar flamurin, ngjyrën, duke ja numëruar yjet. Por ka një hall: cili yll kë e përfaqëson? Ai e ka të qartë se qenkan etnitetet që jetojnë në Kosovë, por Surroi do ta din psh, ylli i parë i kujt është, i dyti, e kështu me radhë. Kjo në këtë mënyrë, pa asnjë sqarim paraprak, nuk ka “shije estetike” do të thoshte Surroi. Dhe duke kërkuar përmirësimin e shijes estetike të flamurit – peshqir të Surroit, ai do të mbetet duke medituar e numëruar yjet. Dhe jo vetëm kaq! Sa herë të djersitet duke pritur, do ti fshij djersët Surroi. Me flamurin peshqir natyrisht. Ky nuk i ka tri ngjyrat e jugosllavisë.
Në anën tjetër, për të futur huti në opinion dhe për të nxitur pakënaqësi, Surroi thotë se “edhe flamuri i Rugovës, edhe stema e UÇK-së u dizajnuan dhe u përdoren në kushte të vështira, të represionit të okupimit serb”. Nuk kemi njohuri përse nuk është aprovuar flamuri i Rugovës, por mund të supozojmë, se në vend të yjeve në të kishte dy rrota, dhe sikur të ishte aprovuar, çdo etni ka mundur ka kërkonte në vend të yllit, nga një rrotë. Kështu që kjo punë ka mundur të jetë kështu jo për çështje estetike sa për çështje praktike, kurse sa i përket UÇK-së, kjo ka mundur të bëhet, por nuk i ka plotësuar tri kritere sipas Surroit.
E para, se UÇK nuk ishte ushtri
E dyta, se nuk ishte çlirimtare
Dhe e treta, se nuk i ishte e Kosovës.
Kështu që për të mos e qitur në pozitë të palakmueshme Surroin, janë vënë yje. Më lehtë e ka për ti numëruar yjet Surroi se sa për ta kuptuar se a ishte UÇK ushtri? A ishte çlirimtare dhe A ishte e Kosovës?
Pra kësi soji “tre flamurtarët e rinj të Kosovës e morën flamurin peshqir si porosi nga ambasadorja amerikane në Kosovë”, e sa kanë qenë “kritere estetike të ambasadores” kjo është një çështje për të cilën përgjigje mund të jap vetëm SHBA.
Po Vetoni ka vërejtje edhe në fjalimet e tyre sigurisht. Sa mëkat, që fjalimmbajtësit e kanë humbur një shans historik, për t’ua shkruar Vetoni fjalimet. Pos tjerash kjo do ta kishte të mirën, se nëse askush nuk do ta mbante mend asnjë fjali, të paktën Vetoni shumicën e fjalimeve do ti dinte përmendësh. Si mos ti dijë përmendësh njeriu që me fjalimet e tij do të hynte në histori?…

Obsesioni i Surroit rreth figurës së Adem Jasharit

Emri i Adem Jasharit, gjithashtu në këtë të ashtuquajtur libër të Surroit, nuk mbetet pa u përmendur. Në këtë rast, mospajtimet e Surroit janë evidente. Ai ka aftësi tu gjej behone të gjithëve. Në këtë rast, të Ademi është kontestues, termi “komandant” dhe “legjendar”. Ka shumë rëndësi edhe kjo punë për botëkuptimin e Surroit. Atë e pengon kjo gjë, pse quhet ‘komandant’ dhe ‘legjendar’, “gati religjioz” siç shprehet. Pastaj merret me “ndarjen e njërës nga viktimat” (dmth Ademit) nga të tjerat, për ta krijuar mitin me të cilën do të thirren bashkëluftëtarët e tij. Dhe kjo qenka bërë edhe për t’ia kundërvënë mitit tjetër, të gjallë.
Është çështje e konceptimit logjik të njerëzve mbi mitin dhe realitetin. Ai që ishte i gjallë dihet si dhe pse u mitizua dhe nga kush. Dihet edhe si përfundoj. Kurse çështja e mitit për Adem Jasharin, këtë nuk e bëri mit Hashim Thaci, as bashkëluftëtarët, sepse ata kishin punë për ta vazhduar misionin e Ademit. Por kjo ishte çështje e popullit. Kur u vranë Jasharët, e tërë Kosova u ngrit në këmbë. Pardon, përveç Surroit dhe ndonjë përkrahësi të tij. Atë, vet populli e bëri mit, ashtu siç shumë shpejtë, mijëra të rinjë ju bashkuan radhëve të luftëtarëve të lirisë. Por për mendësinë e Surroit, gatishmëria për flijim e tërë familjes Jashari është e pakapshme, e paimagjinueshme. Prandaj ndonjë bashkëmendimtar i Surroit mund të thotë: “pse i ka lënë fëmijët të vdesin? Ka qenë dashur fëmijët ti largonte njëherë, e pastaj ta fillonte “lojën”, pardon luftën. Thua se Serbia kishte shkuar për të luajtur lojëra popullore me familjen Jashari. Çka do të ndodhte sikur vërtet Ademi ti detyronte gratë dhe fëmijët që të largoheshin? Çka do të bënin serbët me gratë e Jasharëve dhe fëmijët e tyre? Surroi nuk mund ta imagjinoj, për dy arsye.
E para, se nuk besonte se Serbia do të vepronte me egërsi ndaj fëmijëve dhe grave të jasharëve,
Dhe e dyta, se nuk besonte në vet luftën.
Por Surroi edhe sikur të kishte menduar kështu atëherë, nuk do ti zihej për të madhe. Por që nga ajo kohë e vrasjes së jasharëve, shumë dhunime kanë ndodhur në Kosovë, me mijëra. Shumë vrasje kanë ndodhur në Kosovë, me mijëra. Në mesin e të vrarëve kishte edhe shumë fëmijë. Prandaj sikur mos të kishte ndodhur asnjë dhunim si dhe asnjë vrasje e fëmijëve nga Serbia, mund të mashtrohej Surroi për të provuar që ti qes hi syve opinionit. Pavarësisht asaj se kë e fajëson Surroi, luftëtarët apo Serbinë.
Surroi më vonë edhe në Rambuje, do ti thoshte Hashim Thaçit që të nënshkruante, sepse ai nuk donte që të vdiste. Donte ta shijonte jetën.
Kur Surroi sot shkruan kështu për Ademin si viktimë, dhe e quan mit të qëllimtë, merreni me mend pas 50 vitesh e më shumë se çfarë do të thoshte ndonjë Surro i kohës së ardhme të përparme. Po Surroi gjërat i mat me kutin e vet, dhe përderisa ai vetëm ka përfituar, duke mos sakrifikuar as edhe një qime floku për interesa kombëtare, logjika e tij, jo vetëm që nuk e arsyeton por as që mund ta imagjinoj një gjë të tillë. Dhe për këtë e shtynë dy gjëra për të menduar:
Mosgatishmëria për tu sakrifikuar
Dhe nostalgjia për të kaluarën.
Por Baltazari nuk ndalet me kaq. Atë e pengon çdo gjë që mund të lidhet me Hashim Thaçin, UÇK-në. Pra edhe Adem Jashari, edhe në këto rrethana. Ai ka averzion nga fotoja e tij dhe sidomos nga emri i tij vënë Aeroportit në Prishtinë, sepse sipas tij, nuk tingëllon mirë për të huajt që sapo zbresin nga aeroplani, ta shohin njeriun e luftës në foto. Kjo për Surroin dmth se Kosova identifikohet me luftë. Po me luftë është çliruar Kosova Veton, apo jo, me luftë, me gjak. Çka ka të keqe në këtë rast? Po Surroin përderisa e pengon edhe fotoja e Adem Jasharit si dhe të rënëve tjerë, mund të merret me mend se deri ku shkon logjika irracionale e Baltazarit për të gjallët. Por ata janë shumë. Surroi ka qenë në Spanjë dhe e ka lexuar Don Kishotin origjinal, prandaj e di se lufta me të gjithë është vetëvrasje. Por ai ka përzgjedhur dy luftra:
E para, ta zhvesh mitin Adem Jashari;
Dhe e dyta, ta luftoj Hashim Thaçin për së gjalli.
Duke i bërë këto, mendon Baltazari i kryen dy punë:
E para, ju tregon popullit, se të gjithë të rënët në luftë, kanë qenë jo në nivel të duhur, prandaj kanë rënë, sepse po të ishin të mençur sa Surroi, do të ishin gjallë.
Dhe e dyta, të gjithë të gjallët janë vetëm uzurpatorë, që nga Hashimi që ka uzurpuar shtetin e institucionet, e deri te secili që e pengon Surroin në misionin e tij.
Dhe për t’ja vënë kapakun rreth çështjes së Adem Jasharit, Surroi i jep vetës të drejtë të bëhet edhe analist ushtarak, prandaj konkludon: “është vështirë të pranohet se Adem Jashari ka pasur njohuri më të thella ushtarake se sa ato që i ka marrë në trajnimet bazike në Shqipëri”. . . E Surroi merr vesh pra edhe në çështje ushtarake. Të paktën dihet se ushtrinë jugosllave e ka të kryer. Nuk kemi ndonjë njohuri tjetër rreth specializimit të mundshëm të tij në fushën ushtarake.
Por Surroi ka të drejtë, nga se siç po shihet, Adem Jashari ka bërë gabim që nuk e ka pyetur Surroin se: “A bën hasmit pushkë me i ra”. Nuk e dimë se s’përgjigje do t’i jepte Baltazari Ademit. Mund të supozojmë se edhe sikur të kishte ndodhur kjo, Surroi nuk do të kishte pasur kohë për shkak të agjendës së ngjeshur të tij. Por në këto rrethana, jemi të bindur në një gjë. Surroi nuk do të shkruante për Ademin në këtë të ashtuquajtur libër. Do të shkruante ndryshe. Në trajtën e imagjinatës së bujshme të Baltazarit natyrisht. Por nostalgjia a do ta lënte vërtet Surroin për tu takuar me Ademin? Vështirë të besohet. . .

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në Grykë të Kizharekës takojmë gazatarin e mirënjohur Kurt Shorck (12 mars, 1999)

Ahmet Qeriqi: Në Grykë të Kizharekës takojmë gazatarin e mirënjohur Kurt Shorck (12 mars, 1999)

Martin Çuni është kthyer nga terreni. Falë hapërimit të tij të pandalshëm nëpër zonat e …