Në kuadër të botimeve të Institutit Albanologjik të Prishtinës në vitin 2004 u botua libri i historianit Shkelzen Raça me titull jo pak të çuditshëm “Shtegtimet dhe ngulimet e shqiptarëve në Greçi shek. XIII – XVI”.
Guximi i autorit për ta botuar këtë libër është interesant për dy arsye që gjithsesi e kanë një qëllim të vetëm e i cili ende mbeti i pasqaruar.
Së pari është interesant çështja e titullit prejudikues ahistorik dhe joshkencor “Shtegtimet dhe ngulimet e shqiptarëve në Greçi shek. XIII – XVI”!
Qysh atëherë, lidhur me këtë libër RTK pati bërë një emision duke e ftuar edhe autorin e librit për të biseduar lidhur me përmbajtjen e tij. I njëjti emision u përsërit edhe pasmesnate më 9 dhjetor 2004.
Arsyeja e dytë që e bën më interesante ishte niveli “bindës” shkencor i autorit për të biseduar lidhur me temën që e trajton autori në libër dhe gadishmëria e tij për t’i arsyetuar disa gjëra që nuk ka mundësi t’i arsyetoj askush me një qasje të tillë parashkencore, gjithsesi të denja për pseudoshkencën shoviniste serbe apo atë greke.
Pyetjes shumë të drejtë të udhëheqësit të emisionit S.Gërguri “Pse dhe nga shtegtimet dhe ngulitjet e shqiptqarëve në Greçi në shekujt XIII dhe XVI, kur shkencëtarët e kanë vërtetuar se shqipëtarë në Greçi ka pasur madje që në shekullin e IV, madje duke i marrë parasysh edhe vet autorët bizantin si dhe historiografinë europiane, “Shkencëtari” ynë i “vetëm“ i gjuhës greke në Kosovë u përgjigj se …“e sigurt, e drejt ta stigmatizoj dhe ta vendos praninë e shqiptarëve në Greçi në shek XIII” dhe atë prap e lë dilemë se a është gjysma e parë apo është gjysma e dytë e këtij shekulli!
Për të gjitha këto, grekfolësi i vetëm në Kosovë, thotë se është i thirrur në burimet greke. Pra kjo është e njëjta gjë sikur njëri nga recensuesit e këtij libri Zekeria Cana të shkruante për praninë e shqiptarëve në Kosovë duke u bazuar vetëm në burimet serbe. Dhe jo vetëm kaq! Historiani Raça si grekfolës i shkëlqyeshëm shkon edhe më larg kur thotë “mund të ndodh që të kishte pasur shqiptarë në Çamëri” të cilët kryesisht sipas tij “kanë mundur të jenë të ardhur nga Jugu i Shqipërisë” dhe Jug të Shqipërisë nga goja e grekfolësië tonë doli se qenka Berati, Vlora e madje madje edhe Durrësi, siç potencoi më vonë gjatë këtij emisioni.
Pastaj në rolin e “njohësit të thellë” të kësaj problematike, u mundua të na bindur madje edhe duke na e sqaruar dallimin mes Arvanitasve dhe Çamëve, duke thënë se “Arvanitasit janë grekë, kurse Çamët shqiptarë…”.
Kjo i gjason praktikës dhe teorisë shkencore serbe kur gjatë komunizmit Akademia Serbe mundohej përmes ndonjë “shkencëtari” shqiptarë si Halit Tërnavci të bënte vijën ndarëse mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë “Shiptari dhe Albanci”.
Po gjatë këtij emisioni, grekfolësi ynë Shkelzen Raça i sfidon edhe vet historianet grek në këtë drejtim, madje as Sathasi i cili sipas tij është ndër historianët më të mëdhenj grek i cili thotë se shqiptarë në Greçi ka pasur që në shekullin VI (gjashtë), kurse historianët Kanilidis Panajotopulos thonë që në shekullin VIII. Madje sipas Raçës as toponimet shqiptare në Greçi nuk janë bindëse se cilit shekull i takojnë dhe në këtë drejtim për të “nuk ështrë bindës as Çabeji”. E pasi nuk janë bindës për historianin tonë as historianët më të mëdhenj grekë e as Çabeji natyrisht, ku për ndonjë studiues thotë se “qëndrimet e tij i ka shkelur koha”.
Ndërkaq i pyetur për njohjen e kësa problematike nga historiani Zija Shkodra, Shkelzen Raça bën loj fjalësh duke përmendur vetëm emra të ndryshëm duke e veçuar Mitat Frashërin, por pa hyrë në esencë të problemit, pa u thelluar dhe pa sjellur asgjë nga mendimet e studiuesve të njohur të kësaj çështjeje si Zija Shkodrës, Irakli Koqollarit, Eqrem Çabejit e veçmas as nuk i ndërmend bile emri i studiuesit të njohur arvanitas Aristidh Kola.
Për historianin Raça dhe arvanitasit sot e konsiderojnë veten grek sepse ata qenkan të ardhur nga Vlora e madje edhe Durrësi, (ndërkaq e vërteta është pikërisht e kundërta) kurse fshatra të tëra me toponime shqipe deri në Athinë ndonëse e pranon se ekzistojnë, as nuk i bëjnë përshtypje e as nuk e merr mundimin t’u përgjigjet.
Por nuk është vështirë të dihet se si do tu përgjigjej një historian që praninë e shqiptarëve në viset e tyre nën Greçi e zhvendos për disa shekuj, dhe atë prej shekullit IV, VI e VIII deri në shekujt XIII e XVI.
Nga i tëri ky emision dolën në sipërfaqe dy gjëra.
E para, udhëheqësi i emisionit (Skender Gërguri) la përshtypjen se është njohës më i mirë i kësaj problematike se sa Shkelzen Raça dhe
E dyta, gjatë këtij emisioni katërcipërisht u vërtetua niveli shkencor i Shkelzen Raçës dhe u qartësua se cili është grazhdi i tij, prej nga është orientuar edhe qëllimi shkencor i tij.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
