Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, për kryeministër, Bedri Hamza, ka theksuar përkushtimin e tij të vazhdueshëm ndaj qytetit të Mitrovicës dhe interesit shtetëror. Hamza deklaroi se, pavarësisht sfidave të mëdha, veçanërisht atyre financiare, ka arritur të realizojë pjesën më të madhe të premtimeve të dhëna si udhëheqës lokal. Ai nënvizoi se për të, Mitrovica dhe interesi institucional i shtetit janë gjithmonë mbi interesat partiake. “Saherë që ka nevojë për Mitrovicën, unë jam aty. Interesi shtetëror dhe institucional vjen gjithmonë para partisë politike. Kurrë nuk kam me vepru ndryshe,” u shpreh Hamza, duke riafirmuar përkushtimin e tij ndaj qytetarëve. Në të njëjtën paraqitje, Hamza kritikoi ashpër qeverisjen aktuale, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për kapje të shtetit. Sipas tij, premtimi për çkapje ka mbetur vetëm në letër, ndërsa realiteti ka treguar të kundërtën. “Sot kriteri kryesor për punësim është bërë libreza partiake e Vetëvendosjes. Ndryshimi i qeverive nuk do të thotë ndërrim i shërbyesve civilë sipas bindjeve politike. Kjo është kapje e pastër e shtetit,” theksoi Hamza.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
