Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka kritikuar ashpër Qeverinë gjatë seancës së jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës për çmimin e naftës, duke theksuar se gjendja ekonomike e qytetarëve po përkeqësohet. Sipas tij, institucionet nuk po e marrin seriozisht ndikimin që rritja e çmimeve ka në standardin e jetesës. “Kjo vazhdon të varfërojë qytetarin e Kosovës”, është shprehur ai. Hamza ka theksuar se Qeveria nuk po i lexon si duhet indikatorët makroekonomikë dhe financiarë, duke iu referuar edhe raportit të fundit të Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ai tha se rritja ekonomike për vitin 2025 vlerësohet në 3.6 për qind, ndërsa për vitin 2026 parashihet të bjerë në 3.3 për qind. Duke folur për inflacionin, Hamza theksoi se rritja e çmimeve ka ndikuar drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve. Sipas tij, në shkurt të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, varfërimi i qytetarëve është rritur për 6 për qind. Në fund, ai u shpreh se PDK-ja do të mbështesë çdo masë që synon përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve të Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
