Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, me të cilin ka diskutuar për forcimin e lidhjeve kombëtare dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Hamza bëri të ditur se takimi u karakterizua nga një bashkëbisedim i hapur mbi marrëdhëniet dypalëshe, duke theksuar se raportet mes dy shteteve shkojnë përtej kornizave formale diplomatike. “Marrëdhëniet tona shkojnë përtej diplomacisë. Ato janë vëllazëri, histori dhe një e ardhme e përbashkët. Shqipëria dhe Kosova ecin së bashku, të lidhura ngushtë nga vlerat dhe përgjegjësia ndaj kombit tonë,” ka shkruar Hamza. Ai vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm institucional dhe politik mes dy vendeve, duke nënvizuar se forcimi i këtyre lidhjeve është thelbësor për stabilitetin, zhvillimin dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe Shqipërisë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
