Lulzim Basha

Bedri Islami: Lulzim Basha, shkatërruesi i Shqipërisë, denoncuesi i UÇK-së, fshehës i dëshmive të masakrave serbe

Kurrë nuk i kam dërguar një urim Lulzim Bashës dhe as që kam pasur ndër mend.

Përse do ta bëja?

Ta uroja që, ende pa u diplomuar si duhet, dikush e gjeti si me dorë dhe e dërgoi në zyrat e UNMIK-ut, në Kosovë, bashkë me bijën e Berishës, pikërisht aty ku shumë shpejt do të hetohej mbi të ashtuquajturat krime të ushtarëve të UÇK-së – nuk kisha përse. Ndoshta mund ta kishte uruar dikush tjetër, ai që edhe ia delegoi detyrën dhe ku shumë gjëra , jo vetëm që nuk u bënë si duhet, por krejt së prapthi.

Ta uroja se, në kohën kur ai, kunati i tij dhe përsëri bija berishiane ishte në sektorin e hetimeve të UNMIK-ut dolën dosje të tëra të Millosheviçit, ato të brendshmet fare, nuk kisha përse. Në gjyqin e tij në Hagë, çuditërisht, ai, kasapi i Ballkanit, ishte një hap para dëshmitarëve të ardhur nga Kosova, të cilëve ua dinte edhe ato që kishin dhënë në bisedat e lira me hetuesit e huaj dhe përkthyesit shqiptarë. Nuk mund të uroja askënd për këtë rrjedhje drejt një njeriu të krimit dhe uroja gjithnjë, “ kurë mos qoftë shqiptar ai që i ka nxjerrë”.

Ta uroja për filmimet që u bënë në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël, vendlindja e filozofit të pashoq, Ukshin Hoti, ku u vranë qindra vetë, burra e fëmijë, në dy ditë të vetme dhe që këto filmime iu dorëzuan atij, Lulit, e pastaj humbën, përse ta uroj. Njeriu që bëri dëshminë e filmimeve akuzoi pikërisht Bashën, si ai që mori filmimet dhe që tani nuk janë më. Humbën ose i dhanë diku ato dëshmi rrëqethëse, përmes së cilave krimet serbe kishin pamjen më të llahtarshme.

Ta uroja që, një ditë, papritur, ai zbriti në një fshat të Matit, tek një shtëpi e zakonshme, që më pas u quajt Shtëpia e Verdhë, tashmë jo vetëm shoqërues, por edhe përkthyes, për të ngritur njërën ndër akuzat më monstruoze të luftës në Kosovë, transplantimin e organeve të robërve serbë, të cilat, më pas, sipas kësaj sajese, u shitën nëpër botë. Nuk ia vlente të uroja askënd, e më pak këtë shqipfolës , i kollarisur, si të kishte ngrënë okllai, që nuk ia bënte syri “ tërr”, që vendi i tij të kishte mbi shpatulla një akuzë të tillë, e cila, edhe pse dihet nga të gjithë se është një trillim politik, i denjë vetëm për Del Ponten, kundërshtaren e hershme që kur ishte kryeprokurore në Zvicër, kundër luftës çlirimtare në Kosovë e më pas të një  sharlatani politik nga i njëjti vend, i cili , pasi mori rreth 700 faqe material akuzues nga shteti serb, shtoi edhe këtë që kishte hulumtuar një grup lulash, përsëri dëmi është i pandreqshëm.

Luli u bë i njohur një ditë fillim viti 2005, kur papritmas u bë drejtuesi i një strukture fantazëm, KOP, i cili nuk ishte asgjë tjetër, me ndonjë përjashtim të vockël, vazhdimi i zyrave të UNMIK-ut në Tiranë, ardhja në politikën shqiptare të atij ekipi që kishte “hulumtuar” në zyrat e një institucioni jashtë Shqipërisë dhe për të cilin vend, ku kishin lindur, dinin aq pak.

Përse ta uroja Lulin ministër të komunikacionit, kur në një rrugë u zhdukën rreth 230 milionë euro. Zhdukje të tillë nuk kishte parë Shqipëria dhe nuk do të shihte edhe më pas. Djalthi i sapo ardhur ia “ mori dorën” shumë shpejt një zhdukje milionash dhe, kur i erdhi ditë të përgjigjej, fillimisht u bë i sëmurë, pastaj humbi dhe , kur dosjet shkonin në gjykatë, një dorë misterioze i ishte në mëngjes në shkallët e prokurorisë.

Ta uroja që si ministër i jashtëm, për një puthje Bakojanis shiti detin e jugut shqiptar, këtë e ka bërë në histori vetëm një njeri për pushtet, ky do të ishte i dytë, megjithëse ustai pas tij kishte hijen të rëndë dhe dorë të ashpër.

Ta uroja si ministër i rendit, kur qetësisht, në mesin e rrugës, për një gardh kryeministror, që as u shkel, do të vriteshin 4 burra të rinj dhe do të plagoseshin dhjetëra të tjerë – kjo ndodhi në një ditë janari, kur, bashkë me shefin e tij, nga selia kryeministrore, dhanë qetësisht urdhrin për të qëlluar në njerëz.

Ta uroja për Fazllicin, që jo rastësisht, erdhi në Shqipëri në të njëjtën kohë me të dhe që u bë eminenca gri e të ardhurve nga Kosova dhe miku i shtëpisë në familjen kryeministrore, ku edhe ai vetë, Luli, ishte si një bir në shpirt, sa që më në fund i lanë në dorë edhe skeptrin e pushtetit.

Ka shumë gjëra që nuk do mund ta uroja dhe ai vetë nuk është se pret një urim nga unë.

Por sot ai e arriti qëllimin e tij: Bashkimi Europian nuk ia hap dyert vendlindjes së tij, ku është edhe vendlindja jonë.

Nuk ia hap se , si nuk ka ndodhur kurrë, me urdhrin e babait të tij politik dhe për të mbajtur radhët rreth vetes, bëri çka nuk ka ndodhur: iku nga vendi që i kishin besuar. Nga parlamenti. Sepse jeta e tij, që kur kishte ardhur, kishte qenë pushteti dhe tani e di se ky pushtet është larg. Tepër larg. Kjo do të thotë se ai e ndjen veten jashtë Europës, pasi, sipas mendjes së tij, ai mund të shkojë atje vetëm si shef. I fryrë nga vetkënaqësia, duke e ditur se pushteti do të jetë edhe shumë vite larg ëndrrës së tij dhe se, kur do të mund të vijë ai nuk do të jetë aty ku e kanë vënë, ai është i gatshëm t’i vërë flakën gjithë vendit, të zaptojë institucione, të djegë, të bëjë thirrjet halucionante, “ digjni makinat, shponi gomat”, si në një film debatikas.

I paaftë për të qenë lider, e ka më të lehtë të jetë plangprishës.

I vuri vetes qëllim që Shqipëria të jetë larg BE. Gjeti në anën tjetër njeriun që nuk e kishte ndëshkuar, që, si ai, shikon pushtetin për pasurinë dhe, po si ai, mendon se oligarkia politike e financiare, e mban në pushtet.

Luli ia arriti qëllimit të tij, ndaj është i gëzuar. Sot, si gëzim i papërmbajtur, do të bllokojë rrugët, do të djegë gomat, do të flasë me fjalë të mëdha, do të trashë zërin.

Askush si ai nuk gëzohet për një të keqe ndaj vendit të tij.

Askush si ai nuk ia hap rrugën të keqes së vendit të tij për gëzimin e një çasti.

Por, ia arriti qëllimit. I vetëm nuk do e kishte bërë. Gjysma e urimit të tij i takon Ramës.

Në mbrapshtinë e pushtetit dhe të mosndëshkimit që i bëri shefi i tashëm i qeverisë, ai arriti të ketë një sukses, të largojë një ditë afrimi të vendit të tij me Europën.

Dhe thërret gjithë ditën e gjithë natën se e do këtë vend si gjithë Europa.

Të kishte Europa lider si ai nuk do të ishte kurrë Europë. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Vlora Çitaku

Vlora Çitaku: Qeveria, jashtëligjshëm, po i përdorë ambasadat dhe burimet e shtetit për fushatë elektorale

 Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, sot, në një konferencë për …