Bedri Tahiri

Bedri TAHIRI: Misërnikja 

Çdo komb çlirohet me përpjekjet e veta. (Fan Noli) 

Shirat e pandërprera, të dy- tri ditëve të fundit, sollën ujë të mjaftueshëm në pusin e mullirit të vockël, që si babagjan sedërmadh e hijerëndë qëndronte midis shelgjishteve kacavjerrëse e lotuese. Xha Rrustemi, një plak imëtak e paksa gungaç, me një pelerinë ngjyrë blu, të gjatë deri në fund të këmbëve e me një shat bishtshkurtër i rrinte gati çdo pike uji.

-Hë, hë, i bekuari, po na duhet më shumë së kurrë, po na duhet më shumë se edhe vetë jeta!- mërmëriste me vete, ashtu  nëpër hundë dhe çap e çup e thellonte vijën, e cila vende- vende kishte zënë të mbushej me gjethe të thara e me llumin humusor, zbritur nga arat e pakta, që shtriheshin tej lart, rrëzë maleve shkëmbore.

E si mos t’i rrinte gati i uruari, kur po mbushej muaj pa bërë vërr guri i mullirit e pa bluar asnjë kokërr. Një thatësi e tillë, në këtë kohë, në muajin e pestë, nuk mbahej mend as nga më të vjetrit.

– A do të bluash sot, o xha Rrustë?!- e pyesnin papra nevojëtarët e shumtë, që nga të katër anët ishin lëshuar rrëke me thas e breme në shpinë.

– Po, në pastë thënë i lumi Zot, po, veç me rend e me vend!- ua kthenti ai, me plot gojën, pa e çuar kokën nga puna e tij…

***

Prej që kishte krisur lufta e fundit, ai e kishte aktivizuar mullirin e batallisur prej kohësh. Dorën në zemër, plaku përvojëhidhur edhe më heret e kishte nuhatur zezonën dhe kishte zënë të merrej me të. Kur e pastronte nga ferrat, nga hithërat e nga drizat, që e kishin mbuluar deri në kulm, të gjithë e merrnin për të krisur dhe talleshin me të… Ah, si është edhe kjo puna e njeriut të shkretë! Pa, pa, pa. Nuk mund t’i biesh dot në fije! Çdo gjëje, me t’i dalë koha, ia humb edhe vlerën. Punë e keqe!

Njëherë e një kohë, ky mulli i vockël sa grima, që mezi shquhej në atë lugajë të madhe e misterioze, bëri emër e nam të madh. Aty vinin e nga nuk vinin. Vinin nga afër e nga larg, për qejf e për zor. Sa e sa lavdata e urime kishte marrë mullisi duarartë. E uronin sidomos magjetorët, që u vinte lehtë për të gatuar me atë miell të bluar mire e butë. Por, kohët ndryshuan shumë. Dolën mullinjtë elektrikë dhe këta u harruan fare…

Por, ja që globi i rrumbullakët sillej e vërtitej rreth bushtit të vet. Madje nuk qenkësh fare e vërtetë as ajo thënia: Të shkuara, të harruara! Jo xhanëm, jo. Për këtë u bindem që të gjithë. Sërish kohët ndryshuan. Bota sikur u kthye së prapthi. Plasi edhe damllaja e mbledhur me vite e decenie… Barbaria serbe u vërsul si bishë gjakatare dhe dogji e shkretëroi çdo gjë mbi tokën tonë të stërlashtë. Hiqjau bukën se e harrojnë luftën!- u kishin thënë dikur gjyshërit e etërit e tyre dinakë. Dhe, këta të sotmit ato mësime i mbajtën vath në vesh…

Ama, kot së koti. Fara e jonë kishte rrënjë të thella. Ajo ishte bëër imune dhe i përballonte çdo stuhie…Çdoherë e në çdo kohë gjeti forma dhe mënyra për të mbijetuar. Edhe kësaj here, e njëjta gjë. I vuri gjoksin së keqës dhe vuri në sprovë përvojën shekullore… Edhe mullinjve të  ujit u erdha radha…

***

       – Komandant, ushqimet mbaruan deri me një. Edhe miellit, që mbrëmë, i ramë në fund!- raportoi ushtari idendant, atë mëngjes të zymtë e me riga shiu mëtak.

       – Do t’ia dalim disi, ore trim, do t’ia dalim!- ia priti ai me një    ton burrëror e mbizotërues. Në fakt, fjalët më shumë i dolën nga goja se sa nga zemra. Ashtu ishte, donte t’u jepte kurajo, sepse në vetvete ndrynte diç tjetër dhe mendonte krejt ndryshe. Po bëhej java, që togu i tij kishte ngelur si në qark të mbyllur. Ishin rrethuar shumë keq. Dhe, e kishin tepër të vështirë. Një grusht ushtarësh kundër një ushtrie të tërë me gjithë atë makineri e armatim të rëndë. Aq më keq, kur poshtë në luginë gjendej popullata e pambrojtur, e cila sytë dhe shpresën e kishte drejtuar këtej.  O Zot, ajo ngjante në një spital të improvizuar. Pleq të lodhur e të dërrmuar, fëmijë të lëbetitur nga frika, gra të shushatura, plaka flokëthinjura e shamizeza, të plagosur, të shtrirë mbarë e mbrapshtë e burra të menduar e të pagojë…Edhe ata e kishin mjaft pisk. Çdo moment mund t’u kanosej mordja katile. Mjaftonte që këta ta lëshonin atë pikë dhe çdo gjë do të merrte fund…Paskëtaj, ore lum vëllai, i kërcënonte ashpër edhe e zeza uri, duke  u  qëndruar mbi kokë si Shpatë e Damokleut. Veç me patate e me tramaka misri të zier e mbanin shpirtin gjallë. Obobo! Kur thoshin pleqtë se shpirti nuk del lehtë, e merrnin si një fjalë goje dhe nuk u besonim. Nuk thuhet kot: I provuari, i mësuari!…

          ***

          Kur muzgu vellozi  lëshonte krahet mbi tokën e lagur deri në palcë, një si hije e përhitur zvarritej drejt istikameve të përgjakura, ku qëndronin shqipet e lirisë. Roja, një djalosh, që ende nuk i kishin djersirë mustaqet, nuk po u besonte syve të vet. I fërkoi disa herë dhe prapë nuk e kishte të qartë, ç’ishte ajo që vinte drejt tij. Hija përherë e më afër. Silueta e saj, disi e pazakontë, e pakapshme. As burrë, as grua, as fëmijë!!! As në këmbë, as ulur, as galuc! Terri i zi ia shtonte edhe më misteriozitetin. Të qëllonte, si të qëllonte?! Nuk ishte i sigurt se mund të ishte armik. Të priste edhe më, si të priste?! Nuk i besohej dhe mund të pësonte, siç kishte ngjarë shumëherë atyre ditëve. Të alarmonte me të shtëna në ajër?! As kjo nuk flente në shpirt dhe, thënë të drejtën, paksa edhe  i vinte inat. Djall, o punë!

          Mos u ngut, o burrë- i dha zemër vetes, duke e shtrënguar armën fort e fort. Kishte kohë edhe për të vepruar ndryshe. Automatikun me dy karikatorë përplot e kishte të gatshëm…Sakaq, sikur iu kthjellua të pamurit. Bebëza e syrit ia kapi një plakë të kërrusur me një gjë të rrumbullakët mbi kokë. Ah, seç iu kujtua gjyshja, dritë pastë, kur ua shpinte argatëve  bukën në Arat e Bungut. Ashtu ecte, me tepsi në kokë, pa e mbajtur fare me duar…

           – Hajde loke, hajde!- ia priti ky, me një zë shqetësues, kur e dalloi qartë atë plakë  gjysmë të kërrusur, që mezi ngjitej kodrës përpjetë.

          – Erdha djalem, erdha!- nxori ajo ca fjalë të përbiruara përdhunshëm nëpër gojën e padhëmbë e duke e hequr me mund barrën nga tepja e kokës. Ua solla këtë bukë misri, që e  gatova me ujin e Kroit të Bradhë e me miellin e sapobluar të Rrustemit. Ah, ju pastë halla, ju pastë! Thashë, i ka marrë uria djemtë e mi, se katilat i kanë ngushtuar fort dhe u nisa këndej. Pse, ç’më gjen mua qyqen, një këmbë në dhe e një mbi dhe?! Hajt more, mjaft kam jetuar e mjaft kam përjetuar. Luftërat më përcollen që kur u linda, por kjo ua kalon të gjithave – fliste ajo hiç pa u ndalur…

         Ushtari i gëzuar e i çliruar nga një makth mbytës ecte para saj, e përcillte për të komandanti. Edhe atij, sakaq, i erdhi bëftë dhe për një çast gati u hutua. Ua, halla Gjylë qenka!- gati klithi më zë, kur e pa mirë në dritën e mekur të një qiriu, i cili po jepte shpirt. Por, prapë se parë, mendja nuk ia përthekonte dot një gjë të tillë! Si kishte mundur të depërtonte deri aty? Një grusht plakë, me gjithë atë bukë, si gurë mulliri! Paskëtaj, lëri të gjitha, po edhe rrezik nga zuzarët e snajperistët përreth! E çuditshme! E pabesueshme!

          Pas pak, Komandanti, një mesoburrë shpatullgjerë e fjalëpakë, i mblodhi të gjithë luftëtarët pranë hyrjes së bunkerit, që si sy çiklopi vezullonte nën rrënjët e një ahu qindvjeçar. Plaka ishte qetësuar dhe me ata sy të vegjël e zhbirues po i  shikonte të gjithë me radhë. Ah, të keqen lokja! Të gjithë djem të rinj, shumica pa i rënë brisk fytyrës, por trima që vdekjen e shikonin drejt në sy e  i thoshin: Plaç! E mjera unë, e mjera, si nuk më qëlloi edhe mua një djalë e t’ia falja lirisë!

          Komandanti, pasi e mori bukën në dorë, e vuri mbi një trung lisi të prerë moti, ua ndau ushtarëve  në pjesë të barabarta dhe, i entuziazmuar, nisi të fliste:

         -Dëgjoni mire, o trima, kjo Nënloke sonte ka bërë një heroizëm të pashoq… Kjo luftoi më shumë se ne…Arma e saj është më e fuqishme se këto tonat… Misërnikja na dilka të gjithëve dhe qenka  më e ëmbël se mjalti. Nuk është thënë kot:  Kush e ka bukën e fiton luftën. Këtë më së miri e ka kuptuar kjo nënë hallemadhe, andaj edhe e ka marrë këtë rrugë të vështirë e me plot rreziqe…I lumshin duart dhe shpirti i ndritë përjetë!…

          Ajo po dëgjonte vëmendshëm dhe po ngazëllehej në të shpërthyer. Dhe, papritur, lotët e mallëngjimit i vërshuan faqeve thatuke e të rrudhosura.

– O Komandant, më nuk do të kthehem, por do të qëndroj me ju, këtu në fushëbetejë,- u tha ajo preras, duke e thyer atë heshtje të krijuar dhe nga palet e dimive me lara nxori një bombë gjermane, të ruajtur që nga Lufta e Shaban Polluzhës…

          ***

          Dita e nesërme gdhiu edhe më me zerzele. Ende pa aguar mirë, shpërtheu një rrëbesh sulmi nga të gjitha anët. Gryka e male, gjëmonin e bubullonin si në ditë qameti. Zëri i grykëhollave të lirisë veçohej në atë polifoni çmendëse. Kësaj radhe, ai ishte më e ëmbël se kurrë…

         – Lë të vënë në dreq të mallkuar!- shfreu tërë inat udhëheqësi i gjakatarëve dhe, kur e pa se nuk pa ia dilte dot, dha urdhër për tërheqje…

         – Ngadalë beg se ka hendek!- plasi si bombë zëri i ngjizur i plakës.

           Një shqipe krahëhapur mori drejt qiellit kaltrosh…

          Trimat, ishin grumbulluar rreth lokës dhe e uronin për misërniken e për betejën e fituar…

Kontrolloni gjithashtu

Arif Vladi

Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit, – këngëtari emblematik, Arif Vladi

Hyrje Këngëtari, i  përmasave kombëtare me origjinë nga Lura e Dibrës, Arif Vladi radhitet në …