leoni

Bedri Tahiri: Pasqyrimi artistik i një rrëfimi tragjik

Bedri Tahiri: Pasqyrimi artistik i një rrëfimi tragjik

(Ahmet Qeriqi, “Betimi i Motrës”, roman,  Radio-Kosova e Lirë, Prishtinë, 2022)

Profesor Ahmet Qeriqi, një personalitet poliedrik: gazetar, publicist, i burgosur politik, luftëtar, redaktor, botues i serisë “Feniksët e lirisë”, drejtues i Radios kombëtare Kosova e Lirë dhe kryeredaktor i TV-DIELLI, mbi të gjitha shkrimtar, me penën e tij të mprehtë, që prej kohësh iu ka rrekur trajtimit të temave të mëdha të dhimbjes sonë krenare, temave historike, të cilat, duke i pasqyruar e realizuar artistikisht, na i bën edhe më  të kapshme e më të lehta për përjetime individuale.

Dhe, sikur ka parapëlqyer formën më të gjatë e më të vështirë të prozës së gjatë-romanin, ku mundësitë për trajtim shumëdimensional janë më të mëdha. Kështu, radhës së veprave të tij të deritashme  historike-letrare, si:  “Meditime në arrati, “Burgu”, “Milush Kopili serb apo shqiptar”, Krojmiri”, “Çlirimtarët dhe mercenarët”, “Fenomene shqiptare”, “Guri i Betimit” “Gjurmime dhe studime” etj., këto ditë iu shtua edhe romani “BETIMI I MOTRËS”, i shkruar qysh në vitin 2010.

Tema e romanit, nuk është as e panjohur as e re, është: Fati i rëndë i femrës shqiptare, në kohën e regjimit vrastar serb! Në fakt, të gjithë kemi dëgjuar e lexuar rrëfime e  vargje kushtuar vajzës trimëreshë, Hasimes, që veshur si Shotë Galica, merr gjakun e dy vëllezërve të saj, diku në gjysmën e parë të shekullit XX. Qitja pushkë e motrës për vëllezër është motiv i njohur në traditën tonë dokesore. Fati i Hasimes, pas mbytjes së gardianit serb në burg, i cili kishte tentuar ta dhunonte, kishte mbetur mister i pazbuluar…Të gjithë mendonin se jeta e saj kishte përfunduar në qelitë e burgut…

Mirëpo, autori i romanit, si një gjurmues e qëmtues ngulmues, arrin ta zbardh edhe këtë detaj, pasi, në burgun ku po vuante vetë, në burgun e Suboticës (1986), takon një hungarez, të quajtur Joshka, i cili vinte nga një familje me lidhje gjaku shqiptar, përkatësisht nipin e Hasimes, e cila pas shumë peripecive, lidhet me gardian Mitarin, me origjinë shqiptare, dhe arrijnë të arratisen në Hungari…

“Gjyshja ime, Zhana, kështu e quanin, ishte me origjinë shqiptare…Ajo ka vdekur pesë vjet pasi kam lindur unë. E kam dashur shumë, meqë jam rritur në duart dhe në prehrin e saj…Ajo ka qenë nga një fshat i juaj atje në Kosovë…Kur ishte rritur, dikush ia kishte vrarë të dy vëllezërit dhe ajo ishte hakmarrë…-kishte rrëfyer i burgosuri hungarez…

Siç duket mjaftoi kjo shkëndijë për ta ndezur imagjinatën e bujshme të autorit, që, brumin e kësaj ngjarjeje të trajtuar në letërsinë tonë të pasur gojore, ta mbarë-shtrojë artistikisht dhe, përmes një rrëfimi origjinal të diskursit letrar, të realizoi një roman të mrekullueshëm që do të lexohet me ëndje nga të gjithë lexuesit kureshtarë.

 

Gërshetimi i temës bosht me ngjarjet e shumta historike, të rezistencës shqiptare të atyre viteve, lidhja emocionale e protagonistes me heroinën Shotë Galica e me të bëmat e kryetrimit të luftërave çlirimtare, Azem Galica, i japin romanit përmasat e një vepre me vlera të veçanta e me shtrirje të gjithmbarshme kombëtare.

Heroina e romanit “BETIMI I MOTRËS”, vajza me emrin Zana, e bija e Murat Marashit, përjeton e ç’nuk përjeton. Ajo rritet përplot me sfida e me shumë mundime. Zezonat e përcollën që nga fëmijëria, kur një serb u mundua t’ia dhunonte të ëmën, Salën, por e kishte paguar me kokë, paskëtaj vrasja e dy vëllezërve, Limit e Lanit, martesa me të moshuarin, Lilë Barga, me kusht që do t’ia merrte hakun për vëllezërit e vrarë, betimi i saj dhe realizimi i atij betimi, burgosja dhe mbytja e gardianit në burg, njohja me gardianin zemërmirë hungarez, ikja në Hungari…mbetet shëmbëlltyrë e femrës shqiptare, që reflekton dhe përligj veprimet gjatë gjithë faqeve të romanit…

Romani është i mbushur me rrëfime të jetës shqiptare nën robëri: skamjen, varfërinë, vrasjet, që i kurdiste regjimi,  shpërnguljen e disa familjeve shqiptare për në Turqi, me qëllim  për të shpëtuar nga regjimi vrastar, por edhe qëndresën për të mbijetuar dhe për të mos u pajtuar me robërinë.

Narracioni i romanit, përplot dramacitet, me një rrjedhë logjike e kronologjike të ngjarjeve, gjuha e pasur dhe pastër, me refleksione të fuqishme nga historia dhe etnografia shqiptare, portretizimi dhe mishërimi i natyrshëm etnopsikologjik i personazheve, bëjnë që romani të lexohet me një frymë dhe ngjarjet të të mbesin gjatë në kujtesë.

Urime, suksese e mbarësi, Ahmet Qeriqi!

 

5. 10. 2022

Kontrolloni gjithashtu

Adil Fetahu: Tri libra e fundit të profesor, Ahmet Qeriqit, që u botuan në tri vitet e fundit trajtojnë tri tema të ndryshme

Libri i parë- GURI I BETIMIT, është roman, është një kronikë historike-letrare për Luftën e …