Shaban Mangjolli

Bedri Tahiri: Shaban Manxholli, një jetë të tërë për atdheun

 Nuk luftuam për grada e pasuni, po për Atdhe e për L i r i ! Azem GALICA

Qëmtimet nëpër lashtësitë historike, zakonisht i bëjnë specialistë të fushave të caktuara. Por, tek ne ngjanë edhe ndryshe, ato barten edhe si kujtime, duke ia lënë brezi brezit amanet. S’do mend se kjo e lehtëson punën e atyre që ndajnë mendjen për t’iu rrekur këtyre problemeve. Këtë e provova edhe vetë, kur zura të shkruaj për atdhetarin e madh, i cili tërë jetën ia kushtoi atdheut, për luftëtarin e paepur, Shaban Manxhollin.

Manxhollët, një histori në vete. Dhe, siç theksova në fillim, atë e shpjegojnë ata vetë…

…Rrënjët tona të shpiejnë tej e tej në Shqipëri, saktësisht në katundin Arrshiqaj të Tropojës. Të parët tanë ishin magjepunues në zë dhe, mbase nga kjo, edhe u quajtën manxholli. Para shumë e shumë vitesh, tre vëllezër u shkëputen që andej dhe erdhën në Kosovë. Këtu u ndanë dhe u degdisen; një në Gjurgjevik të Klinës, një në Polac (nga kjo derë doli Hasan Prishtina) dhe i treti në Mikushnicë, trungi i të cilit ende bulon…

Trung i lashtë trimërie

Në lagjen Manxhollaj të Mikushnicës, aty bri malit  qarrishtë, jetonte dhe gjallonte një burrë babaxhan i quajtur Zymer, me të shoqen Halimen nga Polaci. Tokën e varfër e të pakët e punonte me mund e për gazep. Shtëpia e tyre gumëzhinte nga tetë fëmijët; gjashtë djemtë: Ramadani, Tahiri, Lahu, Rexha, Shabani, Maksuti dhe nga dy vajzat: Nuria e Elfia. Ai konak kishte bërë emër për mikpritje, për bujari, për trimëri, për mençuri. Oxhaku i tyre gjithmonë kishte nxjerrë njerëz të pushkës e të mendjes. Djali i madh, Ramadani, vajti xhynli në vend të djalit të Rrukë Taraxhës dhe më nuk u kthye kurrë. Edhe i katërti, Rexha, u nis asaj rruge dhe mbi dymbëdhjetë vjet shërbeu ushtar i mbretit. Nga ato luftëra u kthye i gjymtë, pa njerën dorë e pa njërin sy.

Në mesin e tyre , më i dalluari ishte djali i pestë, Shabani, i cili u lind më 1873 në Mikushnicë. Ai rritej e burrërohej tamam malësor i racës së vjetër dardane. I gjatë, shtathedhur, i pashëm, pedant dhe shumë i zhdërvjellët. Nga të parët trashëgoi bujarinë, mençurinë dhe trimërinë.

Shaban Manxholli rrugën e kaçakëllekut e nisi shumë herët, qysh më 1912, kur mori pjesë në kryengritjet e përgjithshme antiosmane dhe antisrebe. Hapat e parë i bëri me mikun e tij, me Lec Gradicën.

Mirëpo, krahas luftëtarëve të lirisë shtoheshin edhe spiunet dhe hafiet, të cilët e përcillnin veprimtarinë e tyre atdhetare hap pas hapi. Kështu i ngjau edhe trimit të Mikushnicës. Një natë kur shkoi tek e motra, Nuria, në Dubofc, të Zenel Shalaku, një hafie vendas kishte lajmëruar xhandarët dhe agu i ditës së nesërme e gjeti të rrethuar. Pas një lufte të rreptë ai arrinë të hap shtigje, por pasojat qenë të mëdha. Shtëpia ku kishte qenë mysafir digjet. I zoti i konakut plagoset rëndë dhe ashtu dërgohet në Mitrovicë e prej andej drejt e në burgun e Pozharevcit, ku pas pak edhe vdes. Trimi shkon në Galicë, të Azem Galica, i cili tashmë veç kishte filluar t’u jepte mend hafijeve…

Shaban Mangjolli, pos me Azemin, të cilin e kishte edhe kapedan, ishte vëllazëruar edhe me: Bajram Delinë, me Bajram Zenen, me Emin Latin, me Tafë Shytin, me Lutë Gllanasellën, me Rexhep Gjelin, me Halit Bajramin, me Mehmet Konjuhin, me Hazir Radishevën, me Zenel Ujkanin, me Hazir Ramën, me Bekë Galicën, me Fazli Beranin etj.

Jeta maleve ishte jetë e vështirë. Jetë komitësh më. Herë- herë, për të kaluar dimrat e egër, kalonin edhe në Shqipëri. Kalonin nëpër Qafë-Thanë, përplot me rreziqe. Është interesant takimi i Shabanit me Mehmet Konjuhin. Dy trimat ishin nisur drejt Alpeve Shqiptare. Diku në bjeshkë të Junikut takohen. I ndërrojnë cigaret dhe duke kuvenduar njoftohen. Sa çudi, secili kishte dëgjuar për njëri-tjetrin, por kurrë nuk ishin parë. Dhe, të gëzuar e të bashkuar, vazhdojnë deri në Shkodër.

Mërzia dhe malli për familje i gërryente si gangrene e mallkuar. Një natë Shabani bëri mendjen top dhe vendosi të kthehej në shtëpinë e vet. Të nesërmen doli edhe deri të mixha Deli Manxholli. Mirëpo ç’ndodhi?! Sakaq e rrethuan xhandarët. Sa keq, pushkën nuk e kishte me vete. Mirëpo disi arriti të dalë pa u hetuar dhe vajti drejt e në Gradicë, te Leci. Prej aty, bashkë me Beqir Gradicën tfillojnë për në Tërnavc. Të Poillat i ndalojnë austrohungarezët dhe duarlidhur i shpiejnë në Mitrovicë. Hajde, mendje, hajde. Për taksirat, kur  e marrin vesh kush janë i dërgojnë në burgun e Vjenës, ku qëndrojnë plot dy vjet. Kur Austria prishet me Hungarinë këta e shfrytëzojnë rastin dhe arratisen. Me mund të madh, duke e hequr të zitë e ullirit, sa këmbë, sa me ndonjë kamion, duke kaluar nëpër Slloveni, Kroaci, Mal të Zi, arrijnë në vendlindje.

Në Çetën e Azem Galicës

Kur u kthye Shabani, në Kosovë gjeti pushtes të rinj, gjeti Sërbinë e Dytë, siç e quajti populli Mbretërinë SKS. Pra ishte viti 1918. Por, edhe malet ishin mbushur me çeta çlirimtare. Nëna e tyre ishte Çeta kreshnike e Azem e Shotë Galicës. Dhe, pa u hamendur fare u radhit përkrah “të Galicsit” siç e quante nga dashamirësia kryekomandantin Azem Galica.

-Azem Galicë më nuk lind nëna!- thoshte më vonë Shaban Manxholli. Dhe, kur e pyesnin për të, ai ua kthente si me gjuhë shpate: Të gjithë kemi pasur dëshirë t’i prijmë Çetës, por pas vrasjes së Shaqir Smakës, ne e kemi hedhur kokrrën, Azemi e ka marrë i pari dhe këtu shihet se ai ka qenë më guximtari. O vëlla, ai ka qenë trim mbi trima!- e përmbyllte bisedën.

Në  Çetën heroike të Azem Galicës, Shabani kishte një vend të rëndësishëm e të merituar. Ishte ndër njerëzit e tij më besnik. Ai gjithmonë shkonte si pararojë e këtyre bashkëshortëve luftëtarë. Madje, ai dhe Fazli Berani ishin edhe më të vjetrit, andaj edhe në njëfarë mënyre ishin këshilltarë të Azemit.

Megjithatë komandanti, të shumtën e rasteve ishte këmbëngulës në qëndrimet dhe vendimet e veta. Vlen të ceket një rast. Një natë ishin në Polac, të xanët. Kur u nisen për në Qyqavicë, Shabani tha që të mos shkonin nëpër Prelloc, sepse aty ishte stacioni i xhandarmërisë dhe mund t’u dilnin telashe. Azemi tha jo, nuk e thej rrugën, unë sundoj këtu, jo Serbia! Dhe, kur arrijnë te Kroi i Samardanit, hasin në pritë. Luftuan deri në mbrëmje. U vranë shumë xhandarë, por edhe nga tanët pati të dëmtuar; u vra Qun Radisheva e u plagos Shaban Manxholli, plumbi ia kishte prishur dorën.

Të palgosurin e dërgojnë në kullë të Emin Latit dhe prej andej në Radishevë. Barnat popullore, djath të pjekur, djathë pa kripë, nuk patën efekt, andaj Azemi e dërgon në spitalin e Shkodrës, ku qëndron plot gjashtë javë .

Me t’u kthyer, sërish aktivizohet në Çetë. Tashmë trimëritë e tij kishin jehuar larg e larg. Djajtë e kërkonin me qiri e me pishë, siç i thonë një fjale. Shumë njerëz kishin pësuar në vend të tij. Qup Gradicën e kishin zënë në Lubovec dhe e kishin therrur me bajoneta afër shtëpisë së tij në Mikushnicë. Të gëzuar që e hoqen qafësh e thërrasin Azem Manxhollin për ta identifikuar. Ky nuk është Shabani, u thotë ai preras. Ata, të inatosur, e rrahin për vdekje dhe krisin e ikun. Edhe një dajë të tij nga Polaci e kishin mbytur me sëpatë, duke e marrë për Shabanin. Për familje mos të flasim fare, ata maltretoheshin thuajse për çdo ditë. Më së shumti hoqi i vëllai Rexha dhe nipi Uka me të shoqen Razen, e cila ishte mbesë e Lec Gradicës…

Se Azemi e donte Shabanin tregon edhe rasti kur në dimrin e vitit 1920 kaluan në Shkodër. Çeta u nda në disa grupe. Azemi me vete mori Shabanin dhe Hazir Ramën. Sa mirë kishin kaluar te prefekti i Shkodrës…

Një dimër tjetër, Shabani me disa shokë e kishte kaluar në Geghysen të Krasniqës, te Çelë Arifi. Azemi me grupin tjetër në Kolgecaj. Dhe, kur thotë kush po shkon në Shkodër me e marrë Shotën dhe Ajet Koshtovën që kishin qenë të sëmurë në spital, i pari lajmërohet Shaban Manxholli,- rikujton më vonë Xhemë Tërnavci.

Arbëria e Vogël në flakë

Edhe në Epopen e Arbërisë së Vogël, të 15 korrikut 1924, Shaban Manxholli u tregua hero i vërtetë. Kulla e tij kaherë ishte bërë bazë e fortë e rezistencës në kuadër të kësaj bërthame shtetërore, që për një vit e ca i bëri karshillëk Beogradit smirëzi. Edhe ditën kritike ai nuk u hutua fare, por rroku pushkën dhe u vërsul si kreshnik i motit.

Kur komandanti ishte mërzitur për këtë thyerje “bese” ai përgjigjet:

                     – Ty Azem, bre vëlla, t’kam thanë

                       të kam thanë, të kam kallxue

                       pej që kem n’xhami tuj shkue

                       pej që kem me e falë Bajramin

                       na u vranë Shaku e Ramadani

                       na u vra Shaku Azem për ty

                       ma s’kem pasë besë me këtë krajli…

Strategjia e tij u ndihmoi shumë luftëtarëve edhe gjatë tërheqjes, kur i këshillon që të shkojnë andej kah kemi gjuajtur me zagar, pra andej kah livadhet e Mikushnicës, në drejtim të Qyqavicës. Lufta qe aq e ashpër e fytafyt sa nuk kishin mundësi as me e vu pushkën në faqe. Këtë e dëshmon më së miri vetë Shabani kur thotë:

                      – Mjeri unë më pshtoj majori

                                 shumë me ymer thiu ish kanë

                                 tri paqeta ja kam dhanë

                                 dhanë ja kam nja tri paqeta

                                 asnja n’trup, veç tana për tesha

                                 krejt për tesha ja kam lanë,

                                 vra ja kam nja tre nizamë…

Krahas Galicës dhe Lubovecit edhe Mikushnica e Shaban Manxhollit u mbulua me tym e flakë. Çdo gjë u dogj e u shkrumbua. Atë ditë, në Mikushnicë, ranë për të mos vdekur kurrë: Smajl Manxholli, Ahmet Manxholli, Mehmet Manxholli, Jashar Behrami, Ali Behrami, Sadik Behrami, Ujkan Mehmeti, Sadri Zeneli, Sadik Lahu, Munish Ademi, Sali Fazliu, Rexhë Hyseni, Jakup Rexhepi, Halil Behrami, Bajram Baica (mysafir), Cen Muharremi, Bahtie Avdiu, Hafie Avdiu, Hasime Musliu dhe Ajete Sadriu. Kurse u plagosen: Ukë Mangjolli, Bajram Veliu, Milazim Rexhepi, Shashivar Azemi, Shaqir Osmani, Ahmet Behrami, Shaqir Mangjolli dhe Budec Begani (rom).

Drejt Shqipërisë

Shaban Manxholli vazhdoi rrugën me kapedanin e plagosur për vdekje. Disa ditë qëndruan në Qyqavicë dhe kur u bashkuan edhe me Mehmet Konjuhin vazhduan drejt Shqipërisë. Kaluan nëpër Shkozë të Vërbocit, nëpër Makërmal, nëpër Abri dhe ndaluan në kullë të Sadik Ramës në Gjurgjevik të Madh. Në mes Gllarevës dhe Përçevës trimi lodhet shumë dhe ua lë shëndenë. Edhe këtu Shabani luajti rol të rëndësishëm. Kur secili vriste mendjen për mënyrën se si ta fshehin trupin e tij të pajetë, ai kërkoi nga Halim Përçeva, i cili e njihte mirë terrenin, ta gjente ndonjë shpellë…

Pasi e lëshojnë në shpellën e thellë 73 metra me emrin “Çuku që kërcet”,  lidhin besën që luftën ta vazhdojnë në emrin e kryetrimit, kalojnë kufirin…

Shabani vendoset në fshatin Derven të Fushë- Krujës, tek Ura e Zezë. Aty ishte edhe Shota me jetimat e shokëve të rënë në luftë dhe shumica e atyre që kishin kaluar kufirin…

Familja e tij në Kosovë, ngeli në gojë të ujkut. Kurrë nuk i lanë të qetë. Më 1933 Rexha, Uka me të shoqen dhe dy djemtë: Kamerin e Zymerin u detyruan të kalojnë në Shqipëri, përndryshe mund të përfundonin në kampin e përqendrimit në Nish a gjetiu në Sërbi. Atje jetonin si është më së keqi. Pa bukë, pa shtrojë, pa mbulojë. Kasollja e tyre përdheske shpesh përmbytej nga ujërat e ndotura. Pas pak Rexha vdes. Vdes edhe Raza me fëmijën e posalindur. Jeta e Ukës me dy jetimet rëndohet aq shumë sa disa herë provojë të mbytet në bunar. Shaban Manxholli, me sa mundej kujdesej për ta. Besa  shumë u ndihmonte edhe daja i tyre, Mehmet Gradica.

Kthimi

Familjet e trimave të lirisë, në përgjithësi, jetonin në mjerim të plotë. Një ditë korriku 1927 edhe dada Shotë ua lë lamtumirën. Oh, sa u mërzitën të gjithë! Në varrimin e saj, përkundër kërcënimeve të pushtetarëve, morën pjesë shumë veta; të gjithë jetimet, të gjithë luftëtarët e gjallë, të gjithë kosovarët. Shabanit iu këputen shpresat fare. Dhe, mezi e priti fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1941, merr Ukën e lodhur e të dërrmuar dhe dy nipat: Kamerin e Zymerin dhe kthehet aty ku kishte lindur, në Mikushnicë.

Ishte koha e mihjes së misrit. Kur arrijnë në hyrje të fshatit, të Veliajt, mbi njëzet prashtarë lëshuan shytnit dhe thirren sa munden: O burra, vraponi se na erdhi Shaban Manxholli!

Në kullën  e tij qe vendosur një kolonist me emrin VIDA, por me të marrë vesh kthimin e tij kishte tretur pa e parë kush me sy.

Plakun e çetave çlirimtare sërish e ndoqën luftërat. Dhe, ai ishte i gatshëm për to. Fill vajti në Treg të Ri dhe luftoi me çetnikë që po bënin zullume mbi muslimanë e mbi shqiptarë të Peshterit. Paskëtaj, edhe pse në moshë të thyer, nuk u durua pa iu bashkangjitur Brigadës së Shaban Polluzhës. Heroizmi i tij u pa në Prekaz të Epër, afër shkollës, ku bashkë me Xhemë Tërnavcin, me Isuf Rexhën, Sejdi Mehajn, Ilaz Halimin, Nasuf Aruçin, Fazli Havollin etj. bëri kërdi mbi  sllavokomunistët çetnikë, të cilët ia kishin prerë më sëpatë edhe Ukën e vërbër.

Ndarje e përmallshme

Pas luftës, nga kjo familje e madhe dhe atdhetare, mbetën fare pak, mbetën vetëm tre burra: Shabani me dy nipat: Kamerin dhe Zymerin.  Trimi edhe pse i kishte kaluar të 60-tat detyrohet të krijojë familje, martohet me Razen nga mariqanët e Klinës. Jeta e vështirë e rëndonte pamëshirshëm. Shokët e luftës ishin rralluar, kishin ngelur  pak. Ende jetonin vetëm Xhemë Tërnavci, Emin Lati e Murat Kameri, të cilët e vizitonin rregullisht…

Plaku Shaban mendjen e kishte të kthjellët si loti. Në një ndejë, kur shoku i tij, Murat Kameri nga Rakinica, si me shaka i kishte thënë se në këtë luftën e fundit pak e ndihmove, ky ia kishte kthyer :” E more Murat, ne e gjuajtëm gurin deri diku, por erdhën të tjerët dhe na e shkuan.” Pra, ishte shumë i lumtur që amaneti i brezave po përcillej duke ia kaluar njëri-tjetrit e duke qenë përherë e më afër ditës së bardhë.

Pleqëria e thellë e rëndonte vazhdimisht. Vetëm një shok i kishte ngelur ende besnik- PUSHKA. Ah, e bekuara, kurrë nuk e kishte tradhëtuar. Për të qenë as ky nuk e kishte koritur, të tërën e kishte veshur në serma të bardhë. Një ditë prej ditësh e kërkuan në hyqymet. Ashtu, të pandarë si përherë, me pushkën e gjatë në krah, vajti e hyri në zyrën e Riza Vocës në Skënderaj. Komandanti i rrethit e priti fort mirë dhe qe shumë i lumtur që po e takonte për së afërmi njeriun, i cili gjithë jetën e kishte vënë në shërbim të kombit e të atdheut.

-Shko në shtëpi  pusho i qetë dhe nëse do edhe pushkën merre me vete,- i kishte thënë ai me plot gojën.

-“Unë ja kam shkuar hujin kësaj”- ia kishte kthyer ky, duke shtuar: Nga gjithë jeta kjo më ka mbetur, kjo pushkë besnike që ma shpëtoi jetën dhe ma zdriti fytyrën, sepse e përdora kundër armikut dhe nuk desha ta dorëzojë për të gjallë, mirëpo ti qenke shqiptar, andaj merre se, edhe ashtu jam plakur e sytë as dora nuk po më punojnë”.

Një ditë dimri të egër, pikërisht më 24 janar 1952, plaku flokëthinjur na e la shëndenë. Vdiq dhe u varros në vendlindje, në Mikushnicë. U nda nga ne luftëtari i vjetër, i cili e nderoi Mikushnicën, e nderoi Drenicën, e nderoi Kosovën, e nderoi Shqipërinë. Vajti në atë botë, me një merak në shpirt, pse nuk e pa të realizuar ëndërren e tij shekullore, nuk e pa Kosovën e lirë, nuk e pa Kosovën nuse të teleisur nga nipat e stërnipat e tij, nga trimat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lavdi për jetë e mot, trimit Shaban Manxholli!

 

Kontrolloni gjithashtu

Spiro Dine (1844-1922), rilindës, atdhetar dhe mbledhës i folklorit

Spiro Dine (1844-1922), rilindës, atdhetar dhe mbledhës i folklorit

Spiro Dine lindi në Vithkuq të Korçës në vitin 1844. Mori pjesë në Lëvizjen e …