Begzad Baliu: TRE DËSHMORË – NJË RËNIE E MADHE

Agim Qerkin Bajrami (12.2.1964 -10.8.1998), Xheladin Miftar Kurtaj (20.4.1976 – 10.8.1998) dhe Besnik Liman Begunca (21.7.1972 -10.8.1998)
Të nderuar anëtarë të familjeve Kurtaj, Bajrami, Begunca, të nderuar anëtarë të familjeve të dëshmorëve, të nderuar bashkëluftëtarë të dëshmorëve!
I nderuari kryetar, luftëtar e biri i dëshmorit, Z. Besim Ilazi!
Jemi bashkuar sot këtu të nderojmë me fjalën tonë, me përuljen tonë, me frymën tonë përvjetorin e rënies së dëshmorëve të lirisë Agim Qerkin Bajramit, Xheladin Miftar Kurtajt dhe Besnik Liman Beguncës, të cilët luftën dhe rënien e kishin të përbashkët ashtu sikur e kishin edhe idealin dhe qëllimin: çlirimin e Kosovës dhe bashkimin kombtar.
Jam shumë i nderuar që mund të flas për njërin prej tyre, Xheladin Kurtajn, pas rreth tri dekadave të njohjes sime me të, me besimin se duke folur për Xhelën, sikur e quanim, mund të flas edhe për bashkëluftëtarët e tij të rënies Agimin e Besnikun, për të gjithë luftëtarët e idealeve të tij, të gjallë e të rënë dhe për Luftën Çlirimtare të Kosovës, natyrisht.
Xhelën, Xhaladin Kurtajn e kam takuar për herë të parë në qershor të vitit 1996. Bashkë me gruan dhe vajzën e sapolindur jetonim në një gjysmëilegalitet në periferi të Prishtinës. Në vitin 1991 kishim themeluar Shoqatën për të Rënët e Kombit Shqiptar me kryetar Bajram Kurtin, në shtëpinë e të burgosurit politik Kadri Osmani, ndërsa në janar të vitit 1982 shkuam në Tiranë për të parë gjendjen nëse mund të përgatitemi për një “politikë tjetër nga ajo e durimit dhe nënshtrimit”. Pas pak kohësh unë u ktheva nga Tirana, ndërsa Baca Kadri mbeti në Tiranë, si një pikë mbështetje për aktivitetet tona në Kosovë, por policia serbe interesohej për detyrat që më kishte dhënë ai, prandaj jetonim në njëfarë gjysmëilegaliteti. Atë kohë Nebi Balaj, i cili gjithashtu ishte kthyer nga Tirana, por nuk mund të qëndronte në shtëpinë e tij, në maj të vitit 1996 na strehoi në një lagje afër Tregut të Gjelbërt në Prishtinë, ku herë pas here vinte edhe ai.
Nga fundi i muajit në çerdhen tonë filloi të vinte një djal i ri, me një trup në të imtë, zeshkan, flokë të zeza dhe me sy zhbirues prej shiponje. Nebiu na e prezentoi si një student të arteve, që do të angazhohej në një grup artistik të folklorit, i cili nuk ishte gjë tjetër veç se një anëtar i grupit të të rinjve që angazhoheshin andej e këndej për të mbuluar aktivitetin tjetër të Nebihut dhe “për t’i thënë Serbisë se ne jemi këtu, të gjallë që madje këndojmë!”. Pasi mbaruam drekën, Nabiu kërkoi nga Xhela, që të interpretonte ndonjë skenë të shkurtër teatrale, por Xhela, një djalë i ndrojtur në shikim të parë dhe i menduar tek dëgjonte secilën fjalë tonën, tha se këtë do ta bënte diku tjetër pasi i vinte turp nga Myrveti, e cila sapo kishte dalë nga burgu i dytë i Serbo-Jugosllavisë. Gjetëm një zgjedhje. E nxorëm Myrvetin në koridor dhe Xhela shpërtheu me kryqëzimet e tij fizike, me imitimet e tij të personave të caktuar, me dhunëtinë e tij prej natyre.
E pabesueshme!
Një të riu, në shikim të parë, krejt i ndrojtur, një të riu që vinte nga fshatrat gati të humbura të maleve të Kosovës, natyra i kishte dhënë pasurinë më të madhe të karakterit, të cilin do ta lakmonin artistët më të mëdhenj të Teatrove të Europës. Në imitimet e tij përtokeshin mbretër e diktatorë, princa e gjeneralë, malësorë epikë e qytetarë aristokratë. E paarritshme edhe për artistët më me përvojë. U nguta ta pyes nëse ishte angazhuar në ndonjë projekt televiziv, nëse ishte paraqitur në ndonjë teatër alternativ, nëse po i lexonte veprat e klasikëve apo ata modernë të dramës, nëse i kishte tragjeditë e klasikëve grekë, dramat edhe tragjeditë e Shekspirit, ndërsa ai rrudhte krahët dhe fërkonte duart duke përsëritur fjalën “Diçka nga ato…”. Vetëm kur e pyeta nëse kishte lexuar dramat e Ibsenit, Tolstoit, Shekspirit, Eskilit, në të cilat rrolin kryesor e kishte luajtur Aleksandër Moisiu, ai sikur u tremb dhe ndali frymën.
-Jo, më tha, – unë kam filluar së lexuari vetëm disa nga dramat që jepen në mësimdhënin e lëndës së letërsisë, përkatësisht dramës, qofshin ato të letërsisë shqipe, qofshin të letërsisë botërore.
– Ju nuk duhet të humbni kohë me skeqet e humorin pa humor që krijohet sot, ju duhet të hyni në teatër me tragjedin dhe dramat që e kanë ndryshuar botën, ju jeni vetë Aleksandër Moisiu i kohës sonë, – thash me zë të lartë.
– Duhet ta kem shkollën dhe teatrin, nuk mjaftojnë veprat e klasikëve, – vazhdoi ai duke menduar.
-Beso, – u nguta t’i them, – as Aleksandër Moisiu nuk e kishte shkollën. Teatrin po. Dhe sidomos derejtuesin Rainhard. E ti e ke Rainhardin tënd. Ja ku e ke Nebi Balën, i cili nuk lë vend pa gjetur për të dërguar grupin e tij për shfaqeje, ndërsa së shpejti do të paraqitemi edhe në Teatrin Dodona. Ja një rast për ty që artin tënd ta ekspozosh edhe para artistëve të këtij Teatri. Mos shiko çfarë do të këndojnë. Ti merru vetëm me artin që të ka falë Zoti.
Dhe ardhi ajo ditë. Në Teatrin Dodona Nebihu organizoi një koncert për popullin, sikur shprehej ai. E kishte ftuar edhe Fitim Domin (Mixhën Ramë). Më kishte caktuar mua ta drejtoj manifestimin. Pas dy a tri pikash e ftova Mixhën Ramë. Ai dha një pikë humoristike me të cilën në mënyrën e tij përgojonte disa emra e mbiemra ortodoks të politikanëve shqiptarë në Tiranë. Publiku e priti me të qeshura dhe reagime të turbullta.
Pas tij dhe një pike mizikore e ftova në skenë Xheladin Kurtin. Ai paraqiti tri pika: imitoi një skenë me të cilën pubiku u shkri së qeshuri. Po kështu ndodhi edhe pas imitimit të Rugovës dhe Millosheviqit. Manifestimi vazhdoi edhe më tej, por pa Mixhën Ramë, të cilit më nuk ja dhash më fjalën.
Në mbarim të koncertit Mixha Ramë u ankua te Nabiu e pastaj edhe te unë, ndërsa Xheladini më përgëzoi duke ma kujtuar që po të dilte prapë me atë humor banal Mixha Ramë ai nuk do të vazhdonte më. Mixhës Ramë i thash me seriozitetin më të madh, që “këtu ishe në Teatrin Dodona e jo në Parlamentin e Serbisë”, ndërsa Xheladinit i fola me ironi. “Të kam thënë që ti pasardhësi i Aleksandër Moisiut nuk je për humor rrugësh por për shfaqje epike në Teatrot e Europës. Xheladinit tim, Xhelës së shtëpisë sonë, ju skuq fytyra dhe u largua me ndrojtje.
Në ndërkohë Nebi Bala kishte planifikuar një udhëtim artistik në Europë. Dëshoronte që me atë udhëtim të forconte grupin financiarisht. Në atë grup ishte përfshirë edhe Xheladini, i cili sa mësova përveç në Fakultet dëshironte të ndiqte studimet edhe në Teatrin e Enver Petrovcit, por çmimi ishte shumë i lartë dhe nuk ja mbulonte dot familja. Kërkesat për të hyrë në grup ishin shumë të mëdha, prandaj frika më e madhe ishte që shumë prej tyre do të mbeteshin atje. Xheladini erdhi një ditë dhe më tha se Familja ishte gëzuar shumë që do të shkojmë në Gjermani dhe unë as nuk i kam thënë që “do të kthehem” as “nuk do të kthehem”. Kam nevojë që kur të mungoj në fshat të mos e dinë nëse jam kthyer apo jo. Por unë do të kthehem dhe besoj edhe tek ti se do të kthehesh pasi nuk po e merr me vete Profesoreshen Myrvete dhe vajzën.
Se si mu kujtua një bisedë e para disa ditësh ndërmjet tij edhe mikut tonë të shtëpisë Bajram Kurtit, me të cilin punonin natë e ditë për të përgatitur vëllimet me biografi të dëshmorëve, “Gjaku i lirisë”. Kur Bajram Kurti e lexoi një një varg të tekstit të tij për një nga dëshmorët që thoshte “Liria i ka rrënjët në këngë”, Xhela ia ktheu duke lëvizur nga vendi dhe tha “Liria i ka rrënjët në hirin tonë”. Baca Bajram, sikur e quanim, i cili e vizitonte shtëpinë tonë së paku njëherë në javë, u ndal pa frymë dhe e shikoi Xhelën me ngulm. Si për t’i plotësuar mendimet e tyre, ndërhyra me një shpjegim, vlerësues: ja mendimi i krijuesit dhe artistit të teatrit, por këtë e vuni re Baca Bajram:
– Jo jo, – reagoi ai, – fjala është për mendimin e një brezi dhe një brezi tjetër. Fjala është për mëndimin e brezit të ri, i cili nuk dëshiron të mësohet me robërinë, sikur jemi mësuar ne.
Xhela e shikoi me një dozë krenarie, të cilin nuk isha mësuar t’ia shquaj ashtu më parë, por nuk shtoi ndonjë fjalë. Kur më tha se do të kthehej dhe familjes as nuk i kishte thënë se do të kthehej e as që nuk do të kthehej, desha t’i them se “ja paske vënë syrin ndonjë goce”, por kujtesa për bisedën e pardokohshme me Bacën Bajram, më bëri që të heshtja. Ja paske vënë syrin lirisë, desha t’i them, po as këtë nuk arrita t’ia them.
– Po shkojmë, me kusht që të kthehemi të gjithë ata që shkojnë, – ia ktheva, – e nëse vëmë re se atje do të shkojnë shumica për të mos u kthyer, atëherë nuk do të shkojmë asnjë. Mjaft po i shpërngul Serbia, nuk do të bëhemi dora e zgjatur e saj, masha e saj. Xhelës sikur i ndrinë sytë.
Dhe ashtu ndodhi. E kishim të pamundur të merrnim vizat pa përplotësuar kërkesat e kompanive që krahas nesh të dërgonim edhe disa të tjerë që nuk do të ktheheshin. Nebiu edhe kësaj here dëshmoi se ishte një Rajnhard i fortë i Tatrit Gjerman ku luante Aleksandër Moisiu, përkatësisht i një Grupi të foklorit ku luante Xheladin Kurtaj.
Deri nga fundi i vitit 1996 zhvilluam shumë aktivitete kulturore. U gëzuam të gjithë kur doli vëllimi i parë i biografive të martirëve me titull “Gjaku i lirisë”, por me Xhelen bisedonim më shumë për dramën time të parë, komedinë “Kafeneja ballkanike”. Po hynim në vitin 1997 dhe sikur po përqëndroheshim më shumë në punët tona. Ai në Universitet dhe në Teatrin e Enver Petrovcit, ndërsa unë në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Nebihu punonte e fshohej së fundi pas Sindikatave të Kosovës, ku unë shkoja herë pas here për të dërguar tekste nga fusha e gjuhësisë dhe letërsisë. Po shiheshim më rrallë, por pritshmëritë për artin e tij ishin të veçanta dhe të larta.
Xhaladini gjithashtu dukej gjithnjë e më pak. Të fundmen herë e takova diku nga marsi i vitit 1998. Sa ishim kthyer në ndërtesën e Institutit Albanologjik. Isha në kabinetin e punës kur hyri Xhela. Nuk u ul. Tha se vetëm dëshironte të më shihte sepse nuk kishte kohë, por më shumë se mua dhe Myrveten dëshironte “të shihte Bardhën sa ishte rritur”, vajzën tonë të parë.
– Atëherë po dalim bashkë, – i thash pa e zgjatur dhe dolëm nga Instituti. Tani banonim në Breg të Diellit, prandaj shkuam drejt e në shtëpi, por kur u afruam te dera, nuk deshi të hynte brenda.
– Desha vetëm ta shoh një minut z. Myrvete dhe Bardhën, të cilën e ahkriu së qeshuri me disa mimika fytyre. U kënaqëm të gjithë dhe ja përsëritëm disa herë se na ka munguar. E lutëm shumë herë që të hynte brenda dhe të hante drekë me ne edhe kësaj here si edhe më parë “bukë e krip e zemër”, por nuk e zgjati shumë duke e përsëritur të njëjtën shprehje: Më falni, kam ardhë me punë!
Më 11 gusht të vitit 1998 dëgjuam për rënien e Xheladin Kurtit dhe bashkëluftëtarët e tij, të cilët nuk i kishim njohur më parë, por na u bënë të njohur të afërt e të dashur pranë emrit të tij, pranë luftës së tij, pranë rënies së tij.
Më vonë mësuam edhe emrat e luftëtarëve, si: Agim Bajrami (i cili në Kosovë kishte hyrë së bashku me Fehmi Lladrovcin, Xhevë Lladrovcin, Hashim Thaçin, Shukri Bujën, Imri Ilazin etj.), si dhe të luftëtarëve të tjerë si: Besnik Begunca, Emrush Suma, Xhemal Burniku, Jetë Hasani, Milaim Beha, Sylë Qeriqi etj. Fakti se me emrin e një prej të rënëve të parë, Agim Bajrami, së bashku me Xheladinin e Besnikun, u emërua Brigada 162 “Agim Bajrami” e Zonës Operative të Nerodimes, na bënte të kuptojmë vendin dhe rolin e tij në ditët e para të luftës së Kosovës. Ajo na bënte të kuptojmë formimin luftarak të tij në zonat e tjera ushtarake të Kosovës, në Drenicë, Dukagjin e më tej. Përpjekja për të krijuar edhe zonën ushtarake të kësaj pjese të Kosovës dhe sidomos vendimi i tij e shokëve të tij për të qëndruar deri në fund në mbrojtje të pragut të shtëpisë, dëshmonte për formimin atdhetar të tij e të brezit të tij dhe pikëpamjen e tij të shqiptuar dy vjet më parë para një prej bardëve të lëvizjes sonë kombëtare Bajram Kurtit, se: “Liria lind nga hiri jonë”!
Të nderuar të pranishëm!
Jemi mbledhur t’i kujtojmë Agimin, Xheladinin e Besnikun rreth tri dekada pas rënies së tyre dhe është e kuptueshme t]ju themi edhe atyre një fjalë. Duke ju folur atyre ne ju flasim jo vetëm atyre po edhe një brezi tjetër pas tyre. Kur ranë ata ishin brez i moshës së dy-tri dekadave, që ishin formuar nën kërbaçin serb të dhunës dhe që dhanë rezultatet e tyre në flakët e luftës.
Duke kujtuar ata ne kujtojmë porositë e tyre, idealet e tyre, ëndërrat e tyre jo thjesht për lirinë si koncept i së drejtës qytetare, po lirisë si përmbajtje e dëshirave individuale dhe kolektive njëkohësisht.
Unë e di Xhelë se shpirti i yt, e i bashkëluftëtarëve tu të rënë, atje lart mbi shtatë palë qiej, do të më thoshte: më thuaj çfarë po ndodhë atje, poshtë në tokë, po mos u merr me partitë se duke u marrë me ato, jua merr mëkatet, prandaj nuk po merrem as me partitë as me qeverisjet e përkohshme, vetëm po të them se:
– përbërisi i parë i qëllimeve tuaja për çlirimin e Kosovës nga Serbia, që ishte ëndërr e gjyshërve tanë, ëndërr e të gjithë brezave nga viti 1912 e këndej është realizuar, ndërsa idealet tona të bashkimit kombëtar ende mbeten ideale të brezave që presim t’i realizojmë në të ardhmen;
– që Republika e Kosovës, është shpallur, por Republika sikur ka ndodhur historikisht me shumë shtete dhe shoqëri, ka filluar t’i ha krijuesit e saj;
– se Kosova, atdheu ynë i vogël, është bërë sinonim i epërsisë së dy kontinenteve, ndërsa Shqipëria, vëllai ynë i madh i Republikës, është bërë kërthiza e botës;
– se me fatet e shqiptarëve në Mal të Zi, Maqedoni e Luginë të Preshevës ende vazhdojnë të bëjmë politika krahinoriste, jo vetëm qeveritë e partitë, po edhe institucionet akademike e universitare të profesorëve tu, institucionet kulturore (të cilave ju pate bashkuar dikur ti) e sportive (me të cilat aq shumë ishte i mishëruar Besniku);
– se ende nuk e kemi plotësuar ëndërrën e tënde për Teatrin e Madh Kombëtar në kryeqytetin e Kosovës dhe Teatrin e Vogël në Kaçanik. Nuk e dinim ndërkaq dhe nuk e kemi biseduar, as mendja na ka shkuar, se Teatrin më të madh e kemi ngritur në Hagë. E di. Do të thoshe: çfarë drame, çfarë tragjedie, çfarë ironie po luhet atje. Prandaj po të them këtu, se sot po na mungon shumë. Si kurrë më parë! Sigurisht, as sot nuk do ta bëje heroin në Teatër. Po, kush, kush ma më mirë se ti, do t’i emitonte dëshmitarët e shtirur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Një komedi tjetër ndërkaq, në jetën jetën politike po luhet në Kosovë. Prandaj, kush, kush më mirë se ti do të luante shokët e idealit, të cilët nuk e patën fatin të bien në betejat e mëdha e të përgjakshme me Serbinë, ndërsa sot po përulen e bien si kukulla në betejat e vogla e anakronike për parti, grupe e klane fantome.
-çfarë fati, në krahasim me ne, ti që re në krahët e bashkëluftëtarëve tu Agimit e Besnikut, çfarë fati! Ti nga atje, ju flet të gjithë brezave, ndërsa ne që mbetëm të gjallë i flasim zëulët vetëm një brezi, përulshëm vetëm një partie, paqëndrueshëm vetëm një grupi!
Të nderuar të pranishëm!
– Duke e përfunduar fjalën time për Xheladinin dhe bashkëluftëtarët e rënë Agimin e Besnikun, po i kthehem edhe njëherë vitit të largët, vitit të shenjtë të rënjës së tyre, 1998. Atë vit në Amerikë u xhirua filmi “Shpëtojeni ushtarin Rajan”. Filmi u mbështet nga një histori e vërtetë. Ishte historia e katër vëllezërve amerikanë – Niland, të cilët shërbenin në forcat e armatosura gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kur tre prej tyre u vranë gjatë zbritjes në Normandi, autoritetet amerikane vendosën ta kthenin në shtëpi vëllanë e mbetur gjallë, Fritz Nilandin, për të mos rrezikuar që familja e tij të humbiste të gjithë djemtë. Kujtojmë këtu se regjisori më i madh i të gjitha kohërave Stiven Spilberg për këtë film shpenzoi një miliardë dollarë për xhirimin e tij.
Sot kur kujtoj se si pas rënies suaj, vëllezërit tu (Hajrushi e Danushi), vëllezërit e Agimit (Afrimi e Azemi), bijtë e dëshmorit Qamil Iljazit, Besimi e Besniku, shoqet e shokët e tu të grupit të folklorit në Prishtinë Raza Potera me babanë e dy vëllezërit e saj, Feriz Krasniqi, Shaip Berisha, Muhamet Malsori, Beqir Gashi, Sokol Dibrani, Ali Krasniqi etj., vazhduan luftën më tej, pa frikën se do të digjen edhe ata në flakët e saj, e marr me mend çfarë do të më thoshe ti: “Amerikanët kanë paratë dhe regjisorin, të cilat nuk i kemi ne. Ne si edhe amerikënët i kemi temat e mëdha historike, brenda së cilave ata kërkojnë humanizmin, ndërsa ne epikën. Po, do të vazhdoje ti, amerikanët nuk e kanë trashëguar një veçori të cilën e kami ne shqiptarët, thënien shekullore: NJË BIE, ME MIJËRA NGRITEN! A nuk e kemi dëshmuar këtë ne me shembullin tonë, me familjet tona!
E vërtetë, Xhelë, e vërtetë!
Lavdija e kësaj koherence individuale, familjare, kolektive e kombëtare për të sakrifikuar jetën për lirinë tonë, na ka mbajtur gjallë si popull i vogël me jetëgjatësi mijëvjeçare!
Lavdija juaj na mban gjallë sot!
Lavdisë suja do t’i falemi përgjithmonë!
Lavdi!
Kaçanik, më 10 gusht 2025
(Fjala e mbajtur në Kaçanik me 10 gusht 2025)

Kontrolloni gjithashtu

Tefta Cami: FJALIMI I z. ALI AHMETIT ME 7 GUSHT NË PRISHTINË ËSHTË HISTORIK

E dëgjova dhe e lexova dy herë fjalimin historik të z.Ali Ahmeti, kryetarit të PDI …