Behlul Jashari

Behlul Jashari: Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, “Fillim i së nesërmes” së Kosovës shtet

-Para 30 viteve, në ditën e Deklaratës Kushtetuese për pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990 gazeta tradicionale Rilindja doli me mbështetje të fuqishme, edhe me komentin “Reprizë nuk do të këtë” pasuar me redaksionalin “Fillim i së nesërmes”-

Kosova para 30 viteve me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 shpallte pavarësinë e saj, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

“Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike…”, theksohej në vendimin historik, që merrej në seancën para dyerve të mbyllura e snajperëve në rrethana të shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur regjimi i Beogradit, pasi me “kushtetutën e tankeve” në marsin 1989 kishte suprimuar autonominë që kishte Kosova element konstituiv i federatës me të drejtë vetoje me Kushtetutën e vitit 1974.

 “Deklarata Kushtetuese është hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës, që u ndërtua me Lëvizjen paqësore për çlirim, ndërsa kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’u realizuar e plotë në 17 Shkurt 2008”, shprehet nënkryetari në kohën e 2 Korrikut 1990 e pastaj edhe kryetari i Kuvendit, Ilaz Ramajli.  Ai udhëheqte Kuvendin e Kosovës kur miratoi Kushtetutën dhe më të shpalli Kosovën Republikë në një mbledhje në Kaçanik në 7 Shtator 1990, edhe kur u mbajt Referendumi për shtet sovran dhe të pavarur i shtatorit 1991, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.

Skenari i delegatëve të Kuvendit të Kosovës për aktin historik të 2 Korrikut të para 30 viteve ishte: Seancën do ta udhëheqë Bujar Gjurgjealo nga Prizreni, Deklaratën do ta lexojë Muharrem Shabani nga Vushtrria…dhe nëse ata do arrestoheshinin, ishin caktuar edhe zëvendësit e tyre.

Delegati që e lexoi Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës, Muharrem Shabani, kujton:
“Ishte marrë qëndrimi që unë ta lexoj Deklaratën. Më thanë kolegët delegatë të ulem afër një shtylle te hyrja e poshtme e ndërtesës së Kuvendit, që të mos më rrokte ndonjë plumb, sepse snajperistët shiheshin mbi ndërtesën Bankës së Kosovës, që tash është kjo ku jemi e Qeverisë së Republikës së Kosovës…Snajperistë kishte edhe në ndërtesa tjera përreth. Por, kishim vendosur që me çdo kusht ta shpallnim Deklaratën Kushtetuese, dhe qëndruam pa u ulur. Lexuam, miratuam dhe nënshkruam Deklaratën. Rreth nesh ishin edhe qytetarët, kishim përkrahjen e madhe të popullit…”

Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës.

Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese…

“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të Kosovës.

 Komenti u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…

Raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbajet sot dhe të ketë në rend dite këkesat gjithëpopullore”. Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Repoublikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti.

Deklarata Kushtetuese, bashkë me aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumin për Pavarësi të  ditëve të fundshtatorit 1991, shënonte kthesën historike drejt së nesërmes – të sotmes së Kosovës së lirë tashmë 21 vjet nga Qershori 1999, Kosovës shtet  12 vjet – Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurt 2008, të njohur deri tani nga 116 shtete të botës, anëtare të OKB-së.

Delegatët kosovarë të 2 Korrikut 1990 kujtojnë e vlerësojnë mbështetjen e fuqishme që u dhanë në atë kohë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, me të cilën në duar u panë edhe në seancën për pavarësi, dhe Radio Televizioni i Prishtinës.

 “Fillim i së nesërmes” ishte titulli i redaksionalit tjetër që kam shkruar në 2 Korrik 1990, duke qenë me delegatët në ngjarjen historike, të botuar të nesërmen në ballinën e gazetës tradicionale të vetme shqipe kosovare në atë kohë Rilindja, ku theksoja se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”

Deklarata Kushtetuese për pavarësi të Kosovës e 2 Korrikut 1990 jubileun e 30-vjetorit e pret në Arkivin Shtetëror të Kosovës, ku e para një viti e dërgova  me këtë shënim bashkangjitur në një letër shoqëruese të veçantë:

“Kjo është Deklarata Kushtetuese e Kuvendit të Kosovës e 2 Korrikut 1990, ekzemplari origjinal që sapo u lexua e mora dhe e ruajë prej atëherë, kur edhe e kam cituar në redaksionalin që shkruajta për gazetën Rilindja me titull ‘Fillim i së nesërmes’ botuar në faqen e parë në numrin e 3 Korrikut 1990.  Prishtinë, 30 Maj 2019  Behlul Jashari”.

 Dërgimin e shumëmirëpritur të origjinalit të Deklaratës Kushtetuese në Pallatin e dokumenteve historike e kisha paralajmëruar në takime e komunikime me atëherë Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj dhe Drejtorët Hamit Shala e Ruzhdi Panxha, si dhe me Kryeinspektoren Dijana Dushullovci Haziri, e cila e mori në dorëzim.

 Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, ekzemplari origjinal, për herë të parë është ekspozuar në një ekspozitë të Arkivit Shtetëror të Kosovës në 2 Korrik 2019. Deklarata Kushtetuese për Kosovën e pavarur e 2 Korrikut të vitit 1990, e cila më është dhënë në Kuvendin historik,  ishte e shkruar me makinë shkrimi vetëm në një faqe, në një letër, fotografinë e së cilës për botim për herë të parë e kam dërguar  në Agjencinë Telegrafike Shqiptare si korrespondent nga Kosova që nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në rrethana të rënda okupimi.

Teksti i plotë i komentit, botuar në 2 Korrik 1990:

REPRIZË NUK DO TË KËTË

E ashtuquajtura “fazë e parë” e ndryshimeve kushtetuese të Serbisë për “shtetësi në tërë territorin”, përkatësisht për suprimimin e funksionave vitale të autonomisë së krahinave, u bë vjet me aplikimin e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë nga Kryesia e RSFJ-së, që atëbotë u quajt me eufemizëm me termin “masa të posaçme”.

“Faza e dytë”, e paralajmëruar qysh atëherë, e ndryshimeve kushtetuese dhe e suprimimit të autonomisë së Kosovës, filloi shpejt dhe tentohet të realizohet përfundimisht tash me aplikim të gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë nga Kryesia e RS të Serbisë, po ashtu duke përdorur eufemizmin – “rrethana të posaçme”.

Në këtë shpejtësi të premtuar të “zgjidhjes së problemit të Kosovës” erdhi edhe referendumi për nxjerrje të kushtetutës së re të Serbisë, që në fakt është edhe tendencë për ruajtjen e monopolit monist të udhëheqjes e Partisë që e shkaktoi tragjedinë kosovare, si dhe tendencë për t’ia prerë rrugën pluralizmit e demokracisë, madje në emër të popullit dhe të “shpëtimit të shtetit”!

Shihet sheshazi se kështu dëshirohet të përsëritet skenari i vjetëm i dramës tragjike e plot gjakderdhje në Kosovë.

Ka edhe segmente tjera të ngjashmërisë së situatave. Vjet minatorëve të vetëngujuar të Staritërgut iu premtua dialog pasi të dalin nga zgafella, e për dalje u mashtruan me përmbushjen e rreme edhe të një kërkese – të dorëheqjeve që mandej u tërhoqën me pretekst se me pranimin e atyre dorëheqjeve, me shkuarjen e tre individëve, po u shkatërruaka tërë LKJ dhe politika e saj. Pas mashtrimit që iu bë minatorëve për nxjerrjen e tyre nga greva në nëntokë, jo vetëm që nuk u bë dialog, por u aplikua gjendja e jashtëzakonshme, e me këtë e me masa represive e gjakderdhje “shteti juridik” iu kundërvu rezistencave gjithëpopullore kundër ndryshimeve kushtetuese që e ngushtonin autonominë.

Megjithatë, rezistenca gjithëpopullore, jo vetëm që nuk u shua, por edhe u rrit, çka shihet edhe nga kërkesat e tubimeve e manifestimeve te tjera popullore qe një kohë të gjatë. As LK nuk u shpëtua me mbetjen në funksione të atyre që tërhoqën dorëheqjet, përkundrazi u shkatërrua, sepse populli humbi çdo besim në të dhe ia ktheu shpinën përgjithmonë, duke kërkuar fat e ardhmëri në pluralizëm e demokraci.

Por, ja edhe tash paraqiten “shpëtimtarë”, përkundër mësimeve që do të duhej të nxirreshin nga pësimet që solli injorimi i vullnetit e kërkesave të popullit. Një nga kata “shpëtimtarë” është Gjorgje Bozhoviqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës, i cili si koautor i realizimit të një skenari drejtashkelës, kundërkushtetues e kundërkosovar e anti shqiptar  vepron edhe duke shkaktuar drama në Kuvend, duke mos lejuar që në te të hyjnë në rend dite kërkesat legjitime të popullit dhe të përfaqësuesve të tij -delegatëve, duke bllokuar e ndërprerë punën e organit më të lërtë të vetëqeverisjes e të pushtetit të Kosovës, po edhe të proceseve demokratike.

Ai punën e mbledhjes së Kuvendit e ndërpreu dy herë që të vazhdojë në “ditë më të mira”, sigurisht për të pritur aplikimin e “rrethanave të posaçme” në Kosovë, që u bë pas bindjes së delegatëve që të dalin nga salla e Kuvendit në mëngjesin e 23 qershorit e pas premtimit se mbledhja do të vazhdojë më 2 korrik. Megjithatë kryetari i Kuvendit, i cili tashmë ka humbur besimin e mandatin nga shumica e popullatës në Kosovë, përsëri gjeti dofarë arsyesh për ta shpallur të shtyer mbledhjen edhe pse shumica e delegatëve janë këmbëngulës që ajo të mbahet sipas marrëveshjes në ditën e premtuar – sot.

Kurdo që të mbahet kjo mbledhje, një gjë është e sigurt: Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit. Asnjë shtyerje nuk mund të ndalë realizimin e këtyre kërkesave e këtij vullneti gjithpopullor, të shprehur me urti e vendosmëri, në qetësi paqësore e në frymim të thellë demokratik në çdo mjedis në Kosovë.

Kjo është garanci se reprizim të skenarit të vjetmë të dramës tragjike e të humbjes së autonomisë në Kosovë nuk do të ketë as sot, as nesër, as kurrë më. Populli dhe përfaqësuesit e tij legjitimë – delegatët janë të vendosur që vetëm me urti e demokraci të realizojnë të drejtat dhe interest e veta jetike të patjetërsueshme.

(Gazeta Rilindja – Prishtinë, 2 Korrik 1990)

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …