Behxhet Shala: Zgjedhjet lokale 2025, raund pa befasi, balotazhi përcakton hartën e re politike

Raundi i parë i zgjedhjeve lokale në Kosovë është mbyllur pa ndonjë surprizë të madhe politike. Sipas analistit Behxhet Shala – Bajgora, rezultatet e 13 tetorit konfirmuan pritjet e përgjithshme dhe ndarjen e pushtetit lokal në linja të ngjashme me ato të vitit 2021, me shumicën e komunave që do të shkojnë në balotazh. Në këtë raund, vetëm Ferizaj arriti të sigurojë fitore pa balotazh, ndërsa Gjilani mbetet në pritje të votave të diasporës, që mund të jenë vendimtare. Sipas Shalës, nëse rezultati mbetet i pandryshuar, balotazhi do të ketë rol kyç në përcaktimin e “arkitekturës” përfundimtare të pushtetit lokal dhe ndikimit politik në nivel qendror. Nga partitë kryesore, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar pa balotazh në tri komuna – Podujevë, Shtime dhe Kamenicë – ndërsa Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të garojnë në disa beteja të forta në raundin e dytë. AAK-ja ka siguruar fitoren në Deçan, ndërsa partitë e vogla, si NISMA dhe Partia Turke, kanë ruajtur prezencën e tyre në disa komuna. Shala vlerëson se rezultatet tregojnë dobësimin e Vetëvendosjes në nivel lokal, për shkak të, siç thotë ai, “fjalorit të shfrenuar politik dhe mungesës së etikës publike nga disa figura kyçe të partisë”. Ai shton se PDK-ja dhe LDK-ja do të jenë faktorët përcaktues në balotazh, me mundësi për krijimin e aleancave taktike që mund të ndikojnë edhe në skenën qendrore. Në analizën e tij, Shala paralajmëron se marrëdhëniet ndërmjet partive opozitare dhe qeverisë mund të ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin politik të vendit, ndërsa një bashkëpunim eventual mes PDK-së dhe Vetëvendosjes në disa komuna “nuk do të ishte i pamundur, sado i pabesueshëm të duket”. Sipas tij, përfundimi i balotazhit do të qartësojë jo vetëm raportet e forcave politike në nivel lokal, por edhe orientimin e ardhshëm të skenës politike në Kosovë, ku “çdo aleancë e re mund të shërbejë si hyrje drejt zgjedhjeve të parakohshme”.

Kontrolloni gjithashtu

Të paraburgosurit në Hagë me të drejtë vote në zgjedhjet lokale të Kosovës

Gjykata speciale në Hagë, në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kanë ndërmarrë të gjitha veprimet …