Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka reaguar me një deklaratë të fortë pas dështimit për herë të 29-të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Në një postim të publikuar në rrjete sociale, Berisha ka ofruar një reflektim të thellë e kritik për gjendjen politike dhe morale në vend, duke listuar dhjetë arsye që sipas tij dëshmojnë se sistemi është thellësisht i kalbur. “Kur nuk mundesh me komuniku as me u marr vesh me askënd; kur rrena, mashtrimi dhe materializmi dominojnë; kur çdo pozicion mbushet me njerëz të poshtër; kur degjenerimi mbërrin majën – atëherë është e qartë se kriza është më shumë se politike, është shpirtërore dhe shoqërore,” shkruan Berisha. Ai shprehet i zhgënjyer nga mungesa e vlerave, nga përdorimi i heronjve për qëllime teatrale, nga degradimi i elitave dhe nga shthurja e sistemit të vlerave. Në fund të reagimit të tij dramatik, Berisha ngre një paralajmërim të rëndë: “Nëse Zoti nuk dërgon një pejgamber, atëherë gjakderdhja është e pashmangshme.”
