Ish-këshilltari i Presidentit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku, ka deklaruar se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e përfshirë fillimisht në marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, është ricikluar disa herë ndër vite dhe ka pësuar ndryshime të mëdha. Çollaku tha se gabimi më i madh dhe “fatal” i kryeministrit Albin Kurti ishte pranimi i Aneksit të Ohrit dhe draft-statutit të Asociacionit të imponuar nga fuqitë kryesore evropiane, pa asnjë mundësi që ekipi negociues i Kosovës të bënte ndryshime në përmbajtje. “Që nga koha e Marrëveshjes së Brukselit 2013 deri sot, parimet e përgjithshme të Asociacionit të pranuara nga Isa Mustafa janë ricikluar. Disa prej tyre u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese, gjë që ishte një garanci shtesë se çdo draft i ri nuk do të mund të cenonte funksionimin institucional dhe unitaritetin e Kosovës. Fatkeqësisht, këto garanci janë injoruar tërësisht me pranimin e marrëveshjes bazike të Brukselit nga Kurti dhe Aneksit të Ohrit,” tha Çollaku. Sipas tij, ky hap ka lënë Kosovën pa mekanizma mbrojtës ndaj cenimit të funksionimit të brendshëm institucional të vendit.
