Mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar pas konfliktit në Kosovë është fokusuar në ndërtimin e institucioneve të forta të sundimit të ligjit, autoriteteve efektive të të hyrave dhe organeve të pavarura rregullatore. Ndër arritjet më të rëndësishme të këtij bashkëpunimi janë Dogana e Kosovës dhe Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), të cilat konsiderohen ndër historitë më të suksesshme të zhvillimit institucional në Kosovë. Të dyja institucionet përfaqësojnë shembuj të qëndrueshëm të ndërtimit të shtetit përmes ekspertizës teknike dhe mbështetjes afatgjatë të Mbretërisë së Bashkuar dhe njihen si ndër institucionet kryesore në rajon.
Që nga viti 2020, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) ka hasur në vështirësi të vazhdueshme operacionale, sa me Bord të Drejtorëve po aq edhe pa të, duke qenë shpesh jofunksional, gjë që ka krijuar sfida serioze për industrinë minerare dhe ka penguar funksionimin normal të sektorit minerar dhe të gjitha kompanive të përfshira në këtë sektor. Fatkeqësisht, gjatë kësaj periudhe është dëmtuar reputacioni i KPMM-së si një nga institucionet më kredibile në vend, gjë që ka ndikuar negativisht edhe në interesimin e kompanive ndërkombëtare për investime në Kosovë.
Bordi i KPMM-së në përbërjen e fundit, i emëruar në maj 2024, ka lëshuar vetëm 60 licenca nga 316 aplikime të dorëzuara, që do të thotë se më pak se 20% të aplikacioneve janë trajtuar, dhe të gjitha licencat e miratuara kanë qenë për resurse jo-metalore, duke përjashtuar aplikimet e lidhura me Trepçën. Për më tepër, koha e pritjes për vendime ka arritur deri në 50 muaj, pavarësisht afatit ligjor të paraparë prej tre muaj, me mundësi shtesë prej dy muaj në raste të veçanta kur kërkohen informacione shtesë, maksimumi pesë muaj gjithsejtë.
Për krahasim, në vitin 2020 KPMM menaxhonte 854 licenca. Vetëm në periudhën janar–gusht 2020 (për shtatë muaj) janë lëshuar 167 licenca. Në dallim, gjatë mandatit të fundit dyvjeçar janë lëshuar vetëm 60 licenca, me rreth 160 licenca aktualisht nën menaxhim. Këto të dhëna janë marrë nga faqja zyrtare e KPMM-së.
Për më tepër, KPMM nuk ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Ekonomi që nga viti 2020!
Gjithashtu është evidentuar një trajtim jo i barabartë i kompanive private kundrejt atyre shtetërore si Trepça apo KEK-u. Duhet theksuar se Ligji duhet t’i trajtoj njëjtë të gjitha palët pavarësisht pronësisë së tyre.
Pos kësaj, mungesa e licencimit për gurthyesit si dhe komplikimet që kanë rrjedh nga hyrja në fuqi e Ligjit për Pronë Publike ka çuar në situata ku Kosova është detyruar të importojë në mënyrë enorme rërë dhe zhavorr nga shtet fqinje. Ky proces ka rezultuar edhe me rritjen e çmimeve për rërë, zhavorr, beton dhe materiale të tjera të ngjashme.
Kosova dikur njihej për legjislacionin më të avancuar minerar në Evropë, të bazuar në praktikat më të mira të Australisë, duke përfshirë parimin “i pari që aplikon, i pari që shërbehet”, i ashtuquajturi “e drejta e të parit”. Megjithatë, moszbatimi i sundimit të ligjit, veçanërisht kur institucionet nuk respektojnë ligjet e tyre, si periudha e shqyrtimit 3+2 muaj, ka çuar në rënie të kredibilitetit institucional. Si pasojë, interesi i investitorëve zvogëlohet, pasi kompanitë zgjedhin vende të tjera për eksplorim. Edhe pse Kosova mbetet territor shumë atraktiv për eksplorime minerare, rrezikon të mbetet pa investitorë ndërkombëtarë dhe pa zhvillim serioz në sektorin e hulumtimeve minerale.
Kjo nuk është mënyra se si mund të tërhiqen investitorët e huaj, veçanërisht duke pasur parasysh se statistikat tregojnë se vetëm 0.01% e projekteve të hulumtimeve përfundojnë si miniera operative, zakonisht pas 15 deri 30 vitesh të punës intensive. Kjo dëshmon se investitorët seriozë kërkojnë stabilitet afatgjatë juridik dhe institucional.
Në këtë rast, BCCK kërkon:
- Trajtimin e përshpejtuar të të gjitha aplikacioneve të mbetura;
- Zbatim të plotë të ligjit, duke siguruar që KPMM të përgjigjet brenda afatit ligjor prej tre muajsh, dhe jo më vonë se pesë muaj në raste specifike;
- Hartimin dhe miratimin e një Strategjie të re Minerare të Kosovës, pasi ajo e mëparshmja ka skaduar në vitin 2025;
- Plotësimin urgjent të Bordit të KPMM-së për të rikthyer funksionalitetin dhe kapacitetin e plotë operacional.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
