Besëpremja dhe tradhtia në disa këngë shqiptare


Stigmatizimi i tradhtisë në këngët tona rapsodike dhe popullore është një temë e veçantë, e cila shtrihet në sinkroni e diakroni në kohë dhe hapësirë, duke filluar nga antikiteti, te këngët legjendare të Mujit e Halilit e deri te mallkimi i tradhtisë në luftën tonë çlirimtare e paskëtaj.


Kur merret në trajtim kjo temë doemos se studiuesi ballafaqohet me dilemë morale, meqë po të gjurmohet me kujdes kjo lëngatë e kombit, jo më larg se nga koha e Skënderbeut e deri në ditët tona, mund të konstatojmë me keqardhje se sa më shumë që është luftuar ky fenomen, sa më shumë që është stigmatizuar, duket sikur aq më shumë ka marrë përmasa.


Natyrisht se kështu ndodh jo vetëm me shqiptarët, por edhe me të gjithë kombet e shtypura dhe të robëruara.


Duke gjurmuar përmbajtjen e disa këngëve popullore çeçene, kemi zbuluar  se nuk e gjejmë të shprehur fare këtë fenomen nëpër këngët e tyre, edhe pse jeta e këtij popullit të vogël përballë një Perandorie të fuqishme, sikur është Perandoria gjithnjë despotike ruse, ka pjellë shumë bij bastardë, por çeçenët nuk merren me tradhtinë, ata, thjesht e likuidojnë tradhtarin, ata nuk i këndojnë shembullit, për të ushtruar ndikim te populli.


Ky aspekt i trajtimit të tradhtisë te çeçenët duket i çuditshëm. Shqiptarët këndojnë këngë me qëllim për ta stigmatizuar tradhtinë dhe me qëllim për të mos u përsëritur një akt i tillë bastard, por çuditërisht sa më shumë e stigmatizojmë aq më shumë kanë ndodhur raste tradhtie.


Studiuesit tanë të folklorit nuk i kanë kushtuar rëndësinë e duhur këtij fenomeni, që mund të jetë trajtuar  mbase edhe fenomen i kushtëzuar nga rrethanat historike të jetës së këtij populli  nën robërinë shekullore të Romës, Bizantit, Turqisë dhe Serbisë.


 


Shembujt e këngëve rapsodike shqiptare ku stigmatizohet dhe dënohet fuqishëm akti i tradhtisë janë të shumta dhe janë shënuar në të gjitha trevat e Shqipërisë, në tërë të kaluarën, pa dallim.


Këngët më të njohura ku stigmatizohet tradhtia janë: Kënga e Ballaban Pashës, tradhtia e Mojsi Golemit dhe pendimi i tij, tradhtia e Hamza Kastriotit dhe e shumë prijësve shqiptarë të asaj kohe.


Me aktin e tradhtisë së Halil Patronës nga Sulltan Mahmudi fillon edhe rrokullisja e jeniçerëve për të përfunduar me Ali Pashë Tepelenën, të cilin e tradhtojnë madje edhe bijtë e tij. Ngjashëm ndodh edhe me bushatlinjtë e Shkodrës etj.


Duke e vërejtur shtrirjen e këtij fenomeni, shpjegimin e thjeshtë e nxjerrim në rrethanat historike. Pas çdo humbjeje të betejave, shumica e mundur e popullit sikur luhatej, dhe për të mbijetuar pranonte bashkëpunimin me forcat pushtuese. Ky realitet nuk stigmatizohet, por stigmatizohen rastet kur tradhtia bëhet për tregti dhe përfitim, kur bëhet zeje, jo për të mbijetuar, por për të përfituar kundër vëllait, fisit, bajrakut dhe kundër kombit apo fesë.


 


Kënga e Halilit dhe Musës


 


Njëra ndër këngët e tradhtisë e cila ka qenë e përhapur në të gjitha viset e Shqipërisë veriore  dhe verilindore dhe që ka arritur e pandryshuar deri në ditët tona  është kënga e Halilit dhe Musës, ku stigmatizohet premja në besë e mikut. Për shkak se burri ia ka tradhtuar vëllezërit,  Hajrie Garria vret burrin, Bektash aganë, një turkoshak, i cili thyen traditën dokesore shqiptare dhe vepron kundër nderit dhe moralit të kombit të cilit i takonte. Ajo nga frika se edhe djali do ta trashëgonte në gjak tradhtinë, vret edhe të birin.


 


Vjen e motra tue pvetë


-Të mij vllazen çka i ka gjetë?


-I ka shitun miku i vet


-I ka shitë treqind duket.


-Na paç në qafë ti mori motër,


-Qysh na rrejte na prune n’ Shkodër,


-Ty mos t leftë, kurrë djalë në votër,


-Mos leftë djalë, vëlla mos left çikë,


-Ket punë motra se ka ditë.


-Mos ku gajle vëlla i motrës


-T’ i pret motra qentë e Shkodrës.


 


Këto vargje janë të lidhura mjeshtërisht dhe në nivel të lartë artistik ku ndërthuren dialogjet ashtu sikur në tragjeditë e Eskilit, të Eurupidit apo të Sofokliut, dhe të cilat shpjegojnë më së miri esencën e tragjedisë së motrës, e cila nuk kishte dyshuar se burri do t’ ia punonte pas shpine; duke ia tradhtuar vëllezërit kryengritës, që i kërkonte pushteti për t’ i ekzekutuar.


Mallkimi të vëllait, ajo i përgjigjet duke mallkuar madje edhe veten dhe duke marrë mbi vete fajin që nuk e kishte, por që ajo konsideronte se  ishte pleksur në atë faj. Pikërisht ajo ndjenjë, edhe pse realisht e paqenë e fajit, e bën atë të vrasë edhe birin, i cili sipas bindjes së saj, ishte pjellë e tradhtisë.


 


Kënga e shtatë shaljanëve


 


Një këngë tjetër e mirënjohur që ka motiv mallkimin dhe ndëshkimin e tradhtisë  është edhe  kënga e “Shtatë shaljanëve”, të cilët i prenë në besë, Veziri i Shkodrës.


Nga kjo këngë po shkëpusim vetëm një fragment shumë domethënës.


Nga shtatë shaljanët, që ishin hyrë në saraje, në besë të Vezirit kishte shpëtuar gjallë vetëm, Deli Pjetri, i cili me vrap kishte arritur në Shalë dhe kishte përhapur fjalë, për gjëmën e madhe dhe tradhtinë,  që kishte ndodhur në sarajet e Vezirit, në Shkodër. Nëna e tij duke e parë djalin që kishte shpëtuar dhe ishte kthyer pa shokët, pyet e tmerruar:


 


-Pse ke ardhë bir, ku i ke shoktë,


-Unë për ty i prefsha floktë.


 


Djali i shpjegon se nuk i ka tradhtuar shokët, por ka shpëtuar dhe është kthyer  në Malësi për ta dhënë kumtimin e zi të tradhtisë së Vezirit shqiptar.


Nga dy vargjet e sipërme të këngës zbërthejmë botën shpirtërore të një nëne, e cila është besnike e moralit tradicional dhe e aktit sublim të mbajtjes së besës. Nga frika se djali, i cili ishte kthyer vetëm, mund t’ i kishte tradhtuar shokët, ajo në një moment mallkon veten, ashtu sikur Hajrie Garria, por këtu kemi të bëjmë me një zhvillim tjetër të situatës. Nëna, biri i së cilës do të kishte tradhtuar, do t’ i priste flokët si shenjë mallkimi kundër vetvetes kundër pjellës së vet. Edhe me këtë rast kemi të bëjmë me një element po aq të fuqishëm sikur në tragjeditë e mirënjohura të antikës.


 


Kënga e Kolë Gjeqit


 


Në Kurbin të Shqipërisë së mesme është shënuar edhe një këngë shumë karakteristike, që ka të bëjë me tradhtinë dhe vëllavrasjen.


Edhe me këtë rast tradhtia vjen nga Shkodra, por jo nga Veziri, as nga Bejtash Aga apo Bejta Syla, por nga një cub shkodran. Veziri i Shkodrës kishte premtuar një qyp me lira, për personin, i cili do ta zinte apo do ta vriste, Kolë Gjeçin. Me qëllime lakmie e përfitimi, një shkodran, (kënga popullore nuk na njofton me emrin e tij) që ishte rritë në bukë të familjes së Kolë Gjeçit, ndërsa nënën e tij e konsideronte si motër, kontakton me Kolën, duke ia fshehur sa më thellë dyshimin. Pasi i shtrohet buka, dhe qëndron si vëlla në shtëpinë e moçme, ai largohet si vëlla i largët, Kola e pyet të ëmën:


 


-Pa vështro ti mori nanë,


-Ata miq që erdhën mbramë,


-Pse kanë ardhë ata shkodranë?


-Për me m’ vra, a për me m’ nxanë?


 


Nëna e bindur se shkodrani, të cilin e kishte rritë me bukë nuk do të bënte akt tradhtie i përgjigjet të birit:


 


-Pasha nanën je tuj gabue,


-Njani sish asht gjak me mue,


-Vllazen jemi, e nuk e drue


-Shpija jem e tij ka kanë,


-Bukën tem aj e ka ngranë.


 


Edhe me këtë rast, ashtu sikur me rastin e Hajrie Garrisë, nëna e Kolë Gjeçit gabohet duke qenë thellë e bindur në qenien e saj se, njeriu të cilin e kishte rritur me bukë nuk do ta tradhtonte.


Shkodrani, pas disa ditësh e vret më pritë Kolë Gjeçin, ia heq kokën, e vendos së calik dhe shkon te Veziri në Shkodër, të cilit i drejtohet:


 


-Tu ngjatë jeta shka ke urdhnue


-Urdhni sot në vend të ka shkue,


-Ti kolë Gjeqin e ke lypë,


-Ja ku e ke në ket calik.


 


Veziri shqiptar, çmeritet kur e kupton se vrasësi është njeriu, që është rritur në bukën e Kolë Gjeçit, të cilin ai e kishte trajtuar si vëlla. Duke u zemëruar për veprën e tij të ligë, Veziri  ia kthen vrasësit:


 


-Flliqë na i paske vend e votër,


-Tue tradhtue vëlla e motër,


-Mbasi vllanë me vra ke shkue,


-Ti gja s’ lejke pa punue,


-Varne cubin qen t’ terbue,


-Se Shqipninë e ka shnjerëzue.


 


Në këto tri këngë të traditës folklorike shqiptare  tradhtia ndëshkohet rëndë. Hajrie Garria mbyt të shoqin dhe birin, shtatë shaljanët, në përpjekje për të dalë nga saraji, vrasin birin e Vezirit, ndërsa një tjetër Vezir i Shkodrës, urdhëron të varet njeriu, i cili kishte vrarë kryengritësin, që e kërkonte pushteti, mirëpo ai kishte vrarë njeriun, në bukën e të cilit ishte rritur.


Tradita dokesore shqiptare nuk lejonte që vëllai ta tradhtonte, apo ta vriste vëllanë, as atëherë kur pushteti e kërkonte kokën e kundërshtarit.


 


Stigmatizimi i tradhtisë në këngët tona rapsodike dhe popullore është një temë e veçantë, e cila shtrihet duke filluar nga antikiteti, te këngët legjendare të Mujit e Halilit e deri te mallkimi po jo edhe ndëshkimi  i tradhtisë në luftën tonë çlirimtare e paskëtaj.


Kur merret në trajtim kjo temë, doemos se studiuesi ballafaqohet me dilemë morale, meqë po të gjurmohet me kujdes kjo lëngatë e kombit, jo më larg se nga koha e Skënderbeut e deri në ditët tona, mund të konstatojmë me keqardhje se sa më shumë që është luftuar ky fenomen, sa më shumë që është stigmatizuar, duket sikur aq më shumë ka marrë përmasa.


Natyrisht se kështu ndodh jo vetëm me shqiptarët por edhe me të gjithë kombet e shtypura dhe të robëruara.


Studiuesit tanë të folklorit nuk i kanë kushtuar rëndësinë e duhur këtij fenomeni, që mund të jetë mbase fenomen i racës dhe i rrethanave historike të jetës së këtij populli  nën robërinë shekullore të Romës, Bizantit, Turqisë dhe të Serbisë.


Aktet e tradhtisë nuk ishin ndërprerë gjatë tërë kohës së sundimit turk por as gjatë kohës së sundimit serb në trojet e robëruara të Shqipërisë.


Janë të shumta dhe të mirënjohura këngët, që kanë si subjekt tradhtinë. Nga këto këngë po përmendim disa sosh ku tradhtar është kumbara, njeriu i besuar, i cili në të kaluarën konsiderohej si njeri i shtëpisë. Kënga e Sinan Dragushës, të cilin e tradhton kumbara, kënga e  Bec Sinanit, e Lec Gradicës, Dan Darocit, të cilët po kështu i tradhtojnë kumbarët e shtëpisë, pastaj kënga e Ndoc Mark Gegës, e cila shtjellon disa veçanti krejtësisht të veçanta lidhur me këtë motiv si dhe këngë të tjera të shumta që i i përkasin këtij fenomeni.


 


Kënga e Ndoc Mark gegës


 


Kënga e mirënjohur e Ndoc Mark Gegës, sjellë disa elemente krejtësisht të veçanta dhe është kënga më tipike e këtij lloji.  Për dallim nga të gjitha këngët e tjera, përmbajtja e kësaj kënge është më shumë lirike sesa epike. Nga studimi i kujdesshëm i vargjeve  të kësaj kënge, nga mënyra lirike e këndimit, e shpeshherë edhe e recitimit të vargjeve me një dinamikë, që nënkupton ritmin e lëvizjes së kryengritësve dhe komitëve  në trojet arbërore, të cilët  i kërkonte për t’ i ekzekutuar pushteti turk për shkak se ata ose kishin kryer kundërvajtje ose thjesht nuk i bindeshin pushtetit,  nga mënyra e interpretimit të ndeshjes në Ndoc Mark Gegës me Çaushin turk, arrijmë në përfundim se aktet e tradhtisë ishin bërë krejt të rëndomta dhe dukej sikur këngëtarët tashmë nuk stigmatizonin, por këndonin për një fenomen që ishte përhapur në çdo krahinë të vendit  dhe dukej krejtësisht i zakonshëm.


Kënga e Ndoc Mark Gegës është këngë antologjike e kundruar nga shumë segmente, qoftë për nga shtjellimi i syzheut, përmbajtja, gradacioni, ritmi luftarak, dialogu i ashpër dhe burrëror por edhe nga përfundimi deri diku tragjik dhe komik.


Të dy personazhet kryesor të këngës, Ndoc Mark Gega dhe Çaushi,  dëshirojnë të shpëtojnë nga luftimet që po zhvilloheshin.


Ndoci, i cili kishte shkuar në shtëpi për të festuar ditën e Shën Kollit, rrethohet, meqë një Vocërr faqezi, e kishte parë  atë kur ishte nisur për në shtëpi, dhe e kishte denoncuar te çaushi, i cili sipas detyrës kishte marrë sejmenët dhe ishte nisur në rrethim të kullës së Ndocit, që ndodhej në shtëpi së bashku me të atin, Markun, 70-vjeçar.


Zëri i tellallit i bën me dije Ndocit se ishte rrethuar dhe nga ai kërkohej të dorëzonte fillimisht armët e pastaj të dorëzohej edhe vetë, meqë edhe po të kishte  krahë të fluturonte, nuk mund të shpëtonte i gjallë.


Këtë moment këngëtari anonim popullor e ka interpretuar me përshkrim heroik dhe pa asnjë element të tragjizmit, meqë, Ndoc Mark Gega ishte prej atyre kryengritësve, i cili i kishte dy duar për një kokë dhe nuk priste fat tjetër veç luftimit, mundësisht edhe çarjes së rrethimit. Në moment ai i drejtohet babait:


 


-Baba Gegë ti çka po thue,


-Ne Çaushi na ka rrethue,


-Po i lypë armët, pa u dëmtue.


-A me i dha a me luftue?


 


Babai, i cili i përkiste traditës së fortë të burrërisë dhe qëndresës, i përgjigjet me përbuzje dhe duke e qortuar të birin:


 


-Mos lashtë Zoti, bir, pa t marrue,


-Qysh mu ba burri si grue,


-Me  dhanë huten pa luftue!


 


Gjatë luftimeve të ashpra mes Ndocit, babait të tij, Markut dhe Çaushit vriten e plagosën shumë sejmenë, po ashtu vritet edhe babai i Ndocit. Duke parë epilogun e rrethimit dhe nga frika se mos po e merrte plumbi Çaushi ikë duke i lënë sejmenët në rrethim. Ai bekon ditën e Bajramit si ditë me fat, që po shpëtonte vetë, ndërsa për sejmenët nuk e bënte fare dert,  meqë mbreti do të regjistronte sejmenë të tjerë.


Edhe Ndoc Mark Gega lumturon Ditën e Shën Kolit, që kishte rastisur të binte në të njëjtën ditë me Bajramin dhe  në ditë të shenjtë  kërkonte të shpëtonte vetë, dhe për babanë, nuk e kishte dert. Tekefundit, ai kishte kërkuar të mos dorëzoheshin dhe  ishte  plak 70 vjeç, i cili  nuk kishte më përse të jetonte, për më tepër nuk po shkonte gjakhupës, sepse  i kishte vrarë shtatë a tetë sejmenë.


 


Kënga e Ndoc Mark Gegës është një margaritar i rrallë i këngëve tona ku heroizmi dhe tragjikja shkrihen në një tërësi të realitetit ekzistues, në një kohë dhe në rrethana ku ishte tëholluar tejmase kufiri mes jetës dhe vdekjes, ku shpëtimi i rastit ishte një qelepir, për të jetuar edhe një ditë më shumë, qoftë edhe mbi kurriz të njëri tjetrit, pse jo edhe mbi kurriz të babait plak, nga djali i cili i kishte shpëtuar rrethimit, apo Çaushi, i cili kishte shpëtuar falë qëndresës së zaptive.


 


Kjo këngë është e pasur me një dialog refleksiv, pa shumë përshkrime pa stilizime të zakonshme. Ngjarja zhvillohet me një ritmikë të shpejtë dhe të jashtëzakonshme. Tradhtari, simahori, i cili në këtë rast ishte një Vocër Prenku faqezi, e lajmëron Çaushin se e ka parë Ndocin, që ishte nisur drejt shtëpisë së tij, dhe pastaj ngjarja zhvillohet me shpejtësi. Çaushi sapo merr lajmin mobilizon sejmenët, me  qëllim për ta zënë shumë të kërkuarin sapo të futej në shtëpi, përndryshe, ai do t i qepej malit dhe nuk e zinin dot.


 


Për dallim nga këngët e tjera ku zakonisht ndëshkohet tradhtari, në rrëfimin e kësaj kënge ai ndëshkohet me denoncim publik, duke i bërë të ditur emrin, me qëllim që turpi e tradhtia të mbeteshin në këngë,  brez pas brezi dhe vepra e tillë të stigmatizohej e të demonizohej, si shembull i  tradhtisë.


Është me interes edhe një dukuri, që vërehet në këto këngë, të cilat, mbi të gjitha janë krijime të fuqishme artistike. Në disa raste denoncohet emri i tradhtarit, por në shumë raste nuk denoncohet, po zakonisht është kumbara i shtëpisë, apo dikush i afërm. Ky anashkalim i emrave të tradhtarëve në shumë raste konsiderojmë se është bërë me qëllim për të mos i demonizuar pasardhësit, apo vëllezërit, e fisin, që kishte krijuar një reputacion për të mirë, duke iu përmbajtur parimit të kanunit, se nuk ka fis pa një pis, dhe një dele e keqe nuk e prish kopenë e bagëtisë.


Këngëtari anonim popullor, i cili ishte rrëfimtar besnik i përshkrimit të ndodhive, kishte qëndrim të qartë klasor dhe politik. Ai, kurdoherë kishte mbështetur  interesin e popullit dhe duke marrë anën e kundërshtarëve të regjimeve sunduese, duke stigmatizuar tradhtinë, përmes shembujve që kanë sjellë në ndodhitë e caktuara.


Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Dhjetë alfabete të gjuhës shqipe, të cilat i ka prezantuar në një libër studiuesi i mirënjohur, Robert Elsie

Robert Elsie: Literatura shqipe në traditën islame-osmane I

Me ardhjen e tij ne Shqiperi, pushteti Osman solli me vete kulturen e tij te …