Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa ka thënë se partia që ai i takon mbetet konsistente në qëndrimin e saj për të mos votuar kandidatë për kryetar të Kuvendit nga asnjë parti me të cilën nuk ka marrëveshje paraprake politike. Ai theksoi më tutje se sa i përket votimit pro kandidatit Dimal Basha për kryetar të Kuvendit nga ana e deputetit të LDK-së, Arben Gashi, , ai ka vepruar në mënyrë të pavarur si deputet. “Kemi thënë që nuk votojmë asnjë kandidat të asnjë partie me të cilën nuk kemi një marrëveshje paraprake politike. Njësoj vepruam edhe sot, pavarësisht edhe emrave që VV-ja propozoj vazhdimisht. LDK mbetet konsistente, kemi qëndrimin e njëjtë që kemi pasur, nuk votojmë kandidat për kryetar nga një parti me të cilën nuk kemi marrëveshje politike paraprake”, theksoi deputeti, Besian Mustafa.
