leoni

Besim Beqaj: Ministria e Financave është ndër ministritë më të organizuara në nivel të qeverisë së Kosovës

RKL: Zotëri ministër, cila ka qenë gjendja e Ministrisë së Financave në maj të këtij viti kur e filluat punën zyrtarisht në këtë ministri?

 Beqaj: Është me interes për publikun që të informohet që  Ministria e Financave është një ndër ministritë më mirë e organizuar në nivel të qeverisë së Republikës së Kosovës. Është një ministri e cila ka një strukturë profesionale të njerëzve, të cilët pavarësisht që për një periudhë ministria është udhëhequr nga zëvendësministër, nuk ka pasur ndonjë pengesë. Mendoj që si institucion është i mirë organizuar dhe unë kam pasur kënaqësinë ti bashkohem këtij ekipi të njerëzve të cilët me përkushtimin maksimal bëjnë punën e tyre në drejtim të menaxhimit të financave publike, në drejtim të planifikimit buxhetor, krijimit të politikave fiskale të cilat mundësojnë zhvillim të ekonomisë së vendit, duke mos lënë anash asnjëherë grumbullimin e mjeteve nga taksat e qytetarëve dhe duke i orientuar ato në projektet të cilat janë me interes për qytetarin. Pra është një ministri e strukturuar mirë, një ministri që ka një staf të përgatitur, ministri e cila është e gatshme t’ju del ballë të gjitha sfidave të mundshme lidhur me projektet buxhetore apo edhe makroekonomike në vend.

 RKL: Cilat janë disa nga sfidat kryesore dhe prioritetet të ministrisë, të cilën ju e drejtoni?

Beqaj: Po është e vërtetë. Unë jam përballë menjëherë me të marrë pozicionin e ministrit me rishikimin e buxhetit, e cila ka specifikat e veta sepse duhet të bëhet një prerje e gjendjes së grumbullimit të mjeteve në raport me shpenzimet të cilat janë të parapara. Dua të them që konform planit në nivel të hyrave jemi mbi planin e paraparë, që tregon se edhe më tutje që niveli makroekonomik ka gjendje të mirë. Nuk kemi asnjë lloj shqetësimi sa i përket obligimeve tona. Ministria e Financave është e kënaqur edhe me punën e Doganës edhe me punën e Administratës Tatimore, të cilat janë dy burimet kryesore, por kemi edhe të hyrat vetanake në nivel komunash, në nivel të hyrave jo tatimore të cilat vijnë edhe nga niveli qendror. Deri më tani po e them është mirë se nga plani i përgjithshëm jemi mbi plane, duke përfshirë të gjitha mekanizmat e paraparë. Ne nuk dëshirojmë ti ndajmë se a është Dogana apo ATK-ja. Ju e keni parë se gjatë këtyre ditëve ka pasur edhe komunikime që ka pasur më pak të hyra. Unë po them se nivel të planit jemi më mirë se në vitin e kaluar dhe jemi në realizim shumë korrekt të planeve tona. Sfida ka, sepse ekonomia e Kosovës ka nevojë për tu zhvilluar. Ekonomia e Kosovës ka nevojë edhe më tutje për politika të reja fiskale që stimulojnë prodhimin. Sfida është në mes të ruajtës së stabilitetit makrofiskal dhe dhënies së mundësisë ekonomisë për tu zhvilluar, që është një mision që unë i kam dhënë vetes por që e kam edhe mbështetjen e kabinetit qeveritar dhe të kryeministrit që të gjejmë këtë balancë në mes të asaj që duhet që patjetër të kemi stabilitetin makrofiskal por edhe mundësitë. Unë gjatë këtyre ditëve kam komunikuar shumë me biznesin, me shoqatat e ndryshme dhe përfaqësuesit e tyre, të cilët kanë kërkesa të ndryshme dhe unë besoj se shumë shpejt do të dalim me një paketë të re, ku ne do të tregojmë edhe njëherë që qeveria  është jashtëzakonisht e përkushtuar për të krijuar ambient për të rritur vendet e punës, sepse ne konsiderojmë që krijimi i vendeve të punës duhet të bëhet në duar të biznesit privat dhe biznesit privat duhet që t’ju jepet  mundësia për tu zhvilluar. Në anën tjetër sfidë edhe më tutje është tendenca për rritje të buxhetit, është sfidë aktiviteti ynë i përditshëm për të për të eliminuar apo zvogëluar në masë optimale ekonominë joformale, e cila edhe më tutje është prezent në tregun tonë. Gjatë këtyre ditëve ne jemi duke u marrë me atë çështje dhe shumë shpejtë ne do të bëjmë  edhe një ligj për inspektoratin, i cili do të jetë në nivel të Ministrisë së Financave por që do të monitoron dhe do të inspekton punën e doganave dhe të ATK-së. Pra një mekanizëm tjetër i cili ngadalë do të tenton që këto dy institucione të cilat janë të rëndësishme, dy agjenci të rëndësishme për grumbullimin e të hyrave të jenë sa më afër njëra tjetrës, dhe njëkohësisht të kemi një sistem të harmonizuar për situata të mëvonshme. Pra me këtë ligj do të fillon një inspektim, i cili do të jetë drejtpërdrejt në nivel të Ministrisë së Financave dhe do të kontrollon punën e nivelit të lartë menaxheria  të Doganave dhe të ATK-së, në mënyrë që ne ngadalë të lëshohemi pastaj deri te nivelet tjera. Sfidë tjetër është që ne të ruajmë, apo më mirë të themi të kemi kujdes shumë që zyrtarët tanë mos të jenë elementë të cilët mund të krijojnë çfarëdo aparence devijonte në shoqëri, sikurse e kemi pasur rastin në Pejë gjate këtyre ditëve, ku mendoj që Prokuroria dhe Policia kanë bërë një punë jashtëzakonisht të mirë dhe  kemi inkurajuar që rastet e tilla kur kërkohet mito, çfarëdo veprimi qytetarët duhet të lajmërojnë dhe ne do të marrim masa. Ministria e Financave konsideron që kjo është sfidë, por sfidë e përbashkët edhe e jona edhe e qytetarëve. Unë i kam bërë me rastin e Pejës ftesë publike qytetarëve që të na raportojnë. Edhe një herë dua që ti shfrytëzoj valët e radios suaj të bëj ftesë, që të gjithë ata që kanë indikacion për veprime të këtilla duhet të na lajmërojnë dhe po e them me përgjegjësi të plotë se do të marrim masa brenda 24 orëve. Por ky është aktivitet i yni i përbashkët sepse nuk mund të marrim masa, përderisa nuk kemi informacione. Pra këto janë disa nga sfidat të cilat ne i kemi, por që gjithmonë na shtynë për punë më shumë, na shtynë për aktivitet më të fokusuar, për punë më të mirë profesionale, politika makroekonomike që ndihmojnë zhvillimin ekonomik të vendit dhe që krijojnë një tendencë të rregullimit të raporteve tregtare të Kosovës me vendet tjera të rajonit.

 RKL: Thatë se Kosova ka siguri në planin buxhetor dhe në atë makrofiskal. Sa e vlerësoni performancën e Administratës Tatimore dhe të Doganave të Kosovës, prej të cilave dihet se varet pjesa më e madhe e buxhetit të Kosovës?

Beqaj: Unë po e them dhe e kam përsëritur edhe disa herë sepse tani edhe jemi në kohë fushate, ku njerëzit kanë tendenca për të manipuluar pak realitetin ekonomik të Kosovës. Kosova ka stabilitet makrofiskal. Kosova edhe më tutje nuk ka borxhe në raport me biznesin privat, sikurse kanë shtetet tjera. Borxhet e jashtme janë jashtëzakonisht të nivelit të ulët, që është diku rreth 9 %, për krahasim me vendet e rajonit që shkojnë në nivele shumë të larta 30%, 40%, 50 deri 100%, dhe kjo ka qenë një ndër defektet të cilat kanë ndodhur, ku  ka ndodhur edhe kriza si rezultat i kësaj gjendje, d.m.th i funksionimit të ekonomisë virtuale. Ne jemi në 9 %, ndërsa me ligj e kemi të kufizuar në 40 %. Do të thotë se ne kemi ende hapësirë të madhe për huazime të jashtme. Gjatë këtyre ditëve është diskutuar shumë se qeveria është në stres për buxhetin dhe tani po hyn në borxhe të jashtme. Jo. Borxhi i jashtëm, të cilin ne po e planifikojmë është për të rritur mundësitë zhvillimore, jo sepse kemi probleme me buxhetin, dhe përderisa ne kemi arritur gjatë kësaj periudhe të anëtarësohemi në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të kemi marrëveshje me Bankën Evropiane për Investime, të kemi marrëveshje me Bankën Islamike për Zhvillim dhe të kemi oferta tjera për financime të ndryshme, nënkupton që është një besim në stabilitetin makrofiskal të Kosovës, sepse nëse nuk ka besim në stabilitet makrofiskal, askush nuk do të besonte të jepte kredi shtetit të ri të Kosovës. Pra nuk flasim këtu për asnjë lloj shqetësimi makrofiskal. Ne edhe më tutje jemi me bilanc pozitiv bankar. Bile tani së fundi për tu përkujdesur në raport me stabilitetin makrofiskal, ne kemi aprovuar edhe rregullën fiskale, e cila nënkupton që shteti në bazë vjetore nuk mund të ketë deficit më të madh se 2% nga GDP-ja, që do të thotë se do të jetë diku rreth 107 milion deri 110 milion niveli i deficitit vjetor.

Pra flasim për një menaxhim shumë konservativ të buxhetit  për një mundësi që tani neve po na hapen për kreditime afatgjate dhe ne do të shfrytëzojmë do të jemi shumë të kujdesshëm në kreditime afat gjate  por do të shfrytëzojmë që tu japim mundësi qytetarëve për tu zhvilluar. Prandaj nuk ka shqetësim që do të kemi probleme me makrostabilitet, nuk ka shqetësim që qeveria nuk mund ti kryen të gjitha obligimet e veta ndaj qytetarëve edhe më tutje ne po bëjmë investim rreth 40%,  nga buxheti për investime kapitale që janë pak vende të rajonit që ndodh kjo, pra shumë pak vende ka në këto kohëra, në këto 4-5 vitet e fundit që 40% e buxhetit shkon në investime kapitale dhe po të ketë shqetësime buxhetore atëherë ndoshta do të duhej të ndalej pak niveli i shpenzimeve kapitale për ti ruajtur shpenzimet operative, pra buxheti na lejon të kemi edhe shpenzime kapitale edhe shpenzime operative dhe me mburrje mund të them se veprimet të cilat janë marrë për rritje të pagave, veprime paraprake kanë qenë mjaft mirë të realizuara sa që nuk  kanë krijuar as një shqetësim.  Pra në këtë drejtim dua të them se edhe të hyrat edhe performanca e doganave, e ATK-së janë në nivelin e duhur , ne kemi një nën performancë te dogana e cila ka ndodhur muajt e fillimit të vitit ku realisht ka pas më pak import, po duhet të kuptojmë që kjo nuk është  si rezultat i përkeqësimit të gjendjes ekonomike sepse ne këtë vit kemi rritje të eksporteve , këtë vit kemi rritje të investimeve të huaja të drejtpërdrejta, këtë vit kemi rritje të prodhimit dhe si rezultat i aktivitetit ekonomik të brendshëm ne kemi performancë të ATK-së, që është  më mirë se sa plani pra është mbi planin, sepse ne jemi të orientuar që aktivitetin  ekonomik ta bëjmë në brendi të vendit jo gjithmonë të matemi me atë se sa kemi import, pra kemi një stabilizim të importit , kemi një rritje të eksportit që tregon që ka rritje të aktivitetit Brenda. Dhe ne tani në planifikim për vitin e ardhshëm sigurisht që do të shkojmë më shumë në drejtim të rritjes së planit për ATK-në,  dhe stabilizimit të  planit për importin nga  doganat sepse edhe marrëveshja e CEFTA-s, ka ndikuar që të hyrat nga dogana të bien deri në një nivel sepse nuk kemi doganorë po vitin e ardhshëm ne kemi  edhe marrëveshje më BE-në,  që prapë mund të ketë rënie të hyrave nga dogana sepse do të kemi aktivitete ekonomike me BE të cilat nuk do të kenë dogana, në këtë drejtim dua të them që në përgjithësi raporti të hyrave ne i analizojmë si raport të hyrave sepse deri tani e kemi rrit shumë planin e doganave, për shkak se kemi konsiderua aktivitetin tregtar është më  të fuqishëm,  këtë vit. Po e shohim që aktiviteti ekonomik i brendshëm po shkon më mirë prandaj duhet të koncentrohemi që të kemi aktivitete të tjera shtesë.

Unë po paralajmëroj që shumë shpejt do të marrim masa për promovimin e bujqësisë. Ne jemi të interesuar që, edhe kjo nëse i kushton buxhetit  një sasi të caktuar të hollash brenda një viti, jemi të gatshëm për tu dhënë atyre mundësi, që ndoshta një pjesë e tatimit mbi vlerën e shtuar për prodhimin primar ta heqim, dhe t’iu mundësojmë atyre të zhvillohen. Ne gjatë javës së kaluar vizituam me kryeministrin një ndërmarrje  prodhuese në Prizren  e  cila ka filluar aktivitetin me prodhues të vetin me 98%, të lëndës së parë  dhe sot aktivitetin e prodhimit e bën me 98% , të  produktit vendor që e merr pra për përpunimin e pemëve perimeve të gjitha i merr nga prodhimi vendor dhe i ka 2000 kooperant të ndryshëm, dhe ne po dëshirojmë që ta stimulojmë këtë prodhim qoftë prodhimin e qumështit, qoftë prodhimin e patates, mjedrës, dredhëzës, mollës të frutave të ndryshme në mënyrë që të stimulohet në mënyrën e drejtpërdrejt  industria e përpunimit. Jemi në një fazë të ndryshme ka kaluar koha kur të gjithë janë konsideruar në tregti tani ngadalë po hymë në orientime  tjera një stabilitet më afatgjatë  që mund ti kushton shtetit pak në një fazë po qe realisht krijon vende pune dhe ky është synimi ynë.

RKL: Sa ka arrit Ministria e Financave t’i kontribuojë  një mjedisi të volitshëm për investime të huaja, raporte të ndryshme flasin për rënie, edhe të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës bëjnë të ditur se investimet e huaja gjatë vitit 2012 ishin 232 milion euro për dallim nga viti paraprak kur shuma ishte më e lartë 394 milionë euro?

Beqaj: Mendoj që ministria e Financave ka dhënë dhe po jep kontribut jashtëzakonisht të madh për krijimin e politikave fiskale të cilat janë të përballueshme dhe të volitshme për qytetarët tonë, dhe në këtë drejtim jemi në komunikim të rregullt bëhen politika në nivel shteti, tani qe një kohë të gjatë e kemi ligjin për  tatimin në akcizë  zero që  po pret në kuvend për tu aprovuar, i cili i kushton buxhetit diku rreth 4 milion e gjysmë por që jemi të determinuar që këto gjana mundësojnë zhvillim dhe rritje të bizneseve tona, rritje të punësimit , ne ta pranojmë një kosto të tillë .Ndërsa sa i përket investimeve të huaja do tu them se fatkeqësisht ka aq shumë koketime le të themi ashtu profesionale  për investime të huaja  duke tentuar ta venë Kosovën kështu në grila , që Kosova ka pas  rënie të investimeve të jashtme, është e vërtet që ka rënie por duhet ta gjejmë burimin e rënies së investimeve, a është burim burokracia shtetërore a është burim  problemi politik në Kosovë apo është burim problemi të cilat i ka ekonomia evropiane dhe ekonomitë e tjera.

RKL: Cila është pranishme ndër ne?

Beqaj: Tek ne në masë mbi 90%, është kriza që ka ndodhur në vendet e rajonit dhe më gjerë sepse ne kohë të krizave investitorët bëhen shumë konservativ, ata konsiderojnë që paranë me konservatizëm ta ruajnë për situate të mëvonshme,  dhe nuk mund të themi pse dikush nuk hyn me bë një analizë , sa ka pas rënie të investimeve të huaja Maqedonia ,Kroacia, Shqipëria, Sllovenia, Bullgaria,Greqia dhe ta nxjerrim në përqindje sa ma keq ka përformuar Kosova në këtë rast , nga një herë statistikat tona janë me synime të fokusuara.

Ju keni dëgjuar shpesh duke u folur se është planifikuar 5, 6,7,e 8 % por është planifikuar në aspekte afat mesme kohore. Por është planifikuar në rrethana të caktuara sepse plani bëhet në rrethana ekzistuese me projekcision për të ardhmen, nuk bëhen plane me projekcione 100 % për të ardhmen sepse nuk dihet saktësisht ndërsa ne kemi përfunduar 3 % rritje ekonomike, sipas informatave që ka Banka Qendrore për vitin e kaluar përderisa vendet tjera të rajonit, jo që kanë ngecje por kanë regresion ekonomik. Ne duhet t’i shohim këto rrethana dhe duhet t’ia sigurojmë qytetarëve këtë informatë të drejt duke ju thënë është e vërtetë që bota është në krizë, që recesioni ekonomik gjatë këtij vit po shënon shenjat e para të përmbylljes në nivel të bashkimit evropian por vendet e rajonit kanë pasur rënie ekonomike. Ju e shihni shpesh nëpër tituj ku thuhet se Kosova ka rënie ekonomike. Jo, ka rënie të rritjes ekonomike por rënie ekonomike nuk ka sepse rënie ekonomike nënkupton kur ne shkojmë në regresion. Në këtë drejtim duhet të them që performanca e investimeve ekonomike duhet të matet në këtë kontekst.

RKL: Një prej projekteve kapitale në të cilat përfshihet Ministria e Financave është edhe ndërtimi i autostradës Prishtinë – Shkup, çmimi i së cilës parashihet të jetë rreth 300 milion euro. A mendoni se një investim i tillë do ta rëndoi jashtë mase kapacitetet e buxhetit të Kosovës?

Beqaj: Kostoja mund të jetë edhe më e lartë, nuk kemi ende ndonjë vlerësim të saktë, të kostos së autostradës. Ju e dini se ende jemi në proces, ne jemi që këtë vit të kemi të buxhetuar diku rreth 30 milion euro për të filluar punimet, pra janë të buxhetuara në buxhetin e Kosovës dhe ne jemi të gatshëm që posa të krijohen kushtet ligjore për nënshkrimin e kontratës ne do të jemi të gatshëm për të filluar. Është diskutuar shumë edhe në atë se Fondi Monetar Ndërkombëtar pret privatizimin e PTK- së, se pa privatizimin e saj nuk mund të bëhet, ne kemi një komunikim me FMN që thotë se bilanci bankar i Kosovës duhet të jetë 300 milion euro kur të nënshkruhet kontrata. Më duhet të ju them se pak shtete kanë balance bankar prej 300 milion euro. Ne do ta kemi bilancin bankar 300 milion euro. Ne nga momenti kur të jenë të gatshëm, Ministria e Infrastrukturës dhe komisioni ndërqeveritar  të hyjmë në marrëdhënie kontraktuare dhe do ta realizojmë projektin pa ndonjë efekt të rëndë në buxhet. Ne do ta shtrijmë ndoshta në katër vitet atë projekt dhe do të jetë i përballueshëm për qytetarët sepse kur bëhen projekte të tilla duhet të maten dy gjëra: 1- a ia vlen, ndoshta për dy – tre vite të ngushtohemi pak me shpenzime të tjera, të krijojmë hapësirë të mire që ekonomia të zhvillohet sepse nuk mund të zhvillohet ekonomia pa infrastrukturë të mirë apo ,2 – t’i japim komoditet vetes pak më shumë dhe të mos bëjmë projekte të mëdha. Këto janë dy gjëra shumë të thjeshta. Unë besoj se çdo qytetar që shkon në drejtim të Shqipërisë ka kënaqësi, dhe kjo do të ndodhë edhe me Shkupin dhe nuk do të kemi probleme. U shit apo nuk u shit PTK-ja, rruga do të bëhet sepse nuk do të kemi probleme në të ardhmen në aspektin buxhetor. Ne kemi mjaftë stabilitet buxhetor, unë prapë po them se edhe mos me u shit, edhe nëse nuk realizohet procesi i privatizimit të PTK-se ne do të jemi në gjendje që t’i realizojmë këto projekte dhe do të jemi prapë në gjendje që afër 40 % të shpenzimeve të buxhetit t’i kemi nga këto, sepse kemi treguar kujdes, jemi duke dhënë prioritet dhe kjo ka filluar nga shkollat kontejner në kuadër të kësaj qeverie, do të thotë ka qenë prioritet të hiqen shkollat kontejner, të hiqen nxënësit prej tyre, kaluam nëpër infrastrukturën nëpër fshatra dhe vende të ndryshme që qytetarët të ndjejnë se a përkujdeset shtetit, mandej prioriteti ka qenë rritja e pagave për qytetarët që ata të barazohen dhe të mund të krijojnë një jetë të dinjitetshme, dhe tani duke krijuar ambient për infrastrukturë dhe zhvillim ekonomik ngadalë dal do të hyjmë në promovim të aktiviteteve ekonomike prodhuese brenda përbrenda sepse janë krijuar parakushtet. Më parë ne nuk kemi pasur mundësi të konkurrojmë me prodhimet tona në tregun e Shqipërisë sepse është dashur që të bëhen 12 orë rrugë shkuarje dhe 12 orë ardhje dhe kjo ka për pasojë amortizim të makinave transportuese, shumë kohë, dëmtim dhe prishje të prodhimeve ndërsa tani atje mund të arrihet për dy orë e gjysmë. Pra këta janë treguesit në kontekstin më afatgjatë sepse ekonomia nuk është akt, nuk mund që me një udhëzim administrativ të thuash në rregull, këtë vit zhvillimin ekonomik e kemi 15 %. Mund të jetë akt në letër por zhvillimi ekonomik është proces, është proces i cili merr kohë dhe duke qenë një kohët gjatë kryetar i Odës Ekonomike, dhe afër 80 % e ndërmarrjeve ekonomike e njohë secilën veç e veç, dhe njohë zhvillimin e tyre dhe mund të them se ne jemi duke shkuar në drejtim të duhur. Ekonomia e Kosovës ka shumë probleme, ajo ka nevojë të rritet, të hapen shumë vende të punës, të ketë punësim të madh, por këto janë akte të cilat janë duke u ndërmarr në aspektin legjislativ por duhet pasur parasysh se zhvillimi ekonomik është proces. Ne nuk mundemi që prej asaj kohe kur nuk kemi pasur as infrastrukturë bazike tani të themi se ne mund të krahasohemi me shtetet e Bashkimit Evropian. Ju e keni vënë re se, më duhet të theksoi disa detale sepse konsideroj se është e nevojshme për qytetarët. Ju kenë vërejt se çfarë vlerësime kanë dhënë, është thënë se ne na duhen 80 vite për të arritur në nivelin e Bashkimit Evropian! Kjo është joprofesionale, kjo është miopi ekonomike nëse dikush thotë ashtu sepse nuk maten ashtu, maten me standarde jetësore. Nuk matet se sa i kemi të hyrat ne sot por sa është paga e profesorit universitar që e kemi këtu dhe të krahasohet me pagën e profesorit universitar në Gjermani, dhe si mund të jeton profesori universitar në Kosovë që merr 1 mijë e 100 euro dhe si mund të jeton profesori universitar në Gjermani me pagën që merr atje. Pra, nuk bëhet pagë për pagë por standard jetësor me standard jetësor dhe atëherë mund të flasim.

RKL: Ka zëra madje edhe zotime për kompensimin e kategorisë së veteranëve të luftës dhe ish të burgosurve politik. A është bërë vlerësimi financiar i këtij kompensimi?

Beqaj: Për të burgosurit politikë ne në rishikim të buxhetit kemi paraparë një fond të kontingjentit  që është prej dy milionë euro, dhe kemi kërkuar nga shoqatat që të na e sjellin mirë vlerësimin financiar për pesë vite, që duhet t na bëhet një propozim dhe ne do të fillojmë kompensimin dhe ne kemi paraparë mjete për vitin e ardhshëm. Kemi krijuar kategori buxhetore që është për herë të parë, do të thotë, për ata njerëz dhe ne sipas vlerësimit që na vjen nga ata do t’i zhdëmtojmë dhe do t’i realizojmë sepse është një proces i cili tashmë është faktik dhe është një buxhet. Ne kemi pasur nga pak komunikime edhe me FMN, për këtë çështje sepse rritje e kategorisë sociale është gjithmonë me kosto të lart, dhe sa i përket veteranëve të luftës ne e kemi paraparë që në vitin 2014 të kemi një buxhet kontigjence të cilit duhet t’i paraprijë së pari lista, kategorizimi i tyre dhe vlerësimi  financiar dhe ne do të jemi të gatshëm që t’i trajtojmë ato kategori. Pra nuk ka probleme buxhetore për tu realizuar, por janë procedura në mënyrë që të bëhet saktë. Ne nuk mund t’i japim mjete dikujt vetëm në bazë të një liste të thjesht që janë kaq njerëz, pra duhet të jepet lista kush sa vite ka, kush sa duhet të kompensohet, cilat kategori kanë prioritet, sepse kjo punë nuk mund të bëhet për një vit, me një buxhet, sepse kostoja e kompensimit do të jetë shumë e madhe, pra ka shtrirje në vite. Të gjithë ata njerëz që kanë sakrifikuar do të kompensohen, madje në krahasim me shtetet e tjera, kompensimi te ne do të jetë më i mirë sepse në shtetet tjera të rajonit nuk kemi pasur kompensime të tilla.

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …