Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka pranuar se koalicionet parazgjedhore, përfshirë atë me Nismën Socialdemokrate në zgjedhjet e fundit, i kanë kushtuar AAK-së me rënie elektorale. Tahiri u shpreh se bashkimi i Aleancës me një numër subjektesh të ndryshme politike, duke përfshirë Nismën, intelektualë të pavarur dhe figura si gjenerali Nuredin Lushtaku, e ka bërë të paqartë mesazhin e partisë gjatë fushatës. Sipas tij, votuesi tradicional i AAK-së nuk e ka mirëpritur këtë qasje të përzier, duke abstenuar nga votimi, por pa u larguar përfundimisht nga partia. Tahiri kujtoi edhe raste të mëhershme ku koalicionet i kanë shkaktuar humbje Aleancës, përfshirë bashkëpunimin me Listën Ibrahim Rugova. Ai theksoi se është kundër çdo koalicioni parazgjedhor dhe se AAK, sipas tij, ka një bazë të qëndrueshme votuesish që i siguron 8 për qind edhe nëse garon e vetme. Nënkryetari i AAK-së bëri thirrje për reflektim të brendshëm në parti, duke theksuar se Aleanca ka njerëz të zot dhe vlera për të cilat ia vlen të qëndrohet.
