Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka hedhur akuza të forta ndaj Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti, duke e cilësuar atë si kabinetin më të stërngarkuar dhe më të politizuar në rajon. Struktura aktuale qeveritare përbëhet nga 21 anëtarë të kabinetit dhe plot 453 persona staf politik, një shifër që ai e konsideron të paprecedentë dhe dëshmi të një modeli qeverisjeje të fokusuar në rehati politike, e jo në rezultate konkrete. Tahiri ka kritikuar ashpër edhe mënyrën e organizimit të stafit, duke theksuar se mbi 200 këshilltarë politikë dhe dhjetëra këshilltarë të jashtëm kanë zbehur rolin e administratës profesionale. Sipas tij, vetëm kryeministri mund të ketë deri në 24 këshilltarë, zëvendëskryeministrat deri në 11 secili, ndërsa ministrat deri në 7, përveç zëvendësministrave që janë të paktën dy për çdo ministri. Ai ka vlerësuar se kjo strukturë është dukshëm mbi standardet rajonale dhe evropiane, me rreth 26 anëtarë staf për ministër, duke e cilësuar këtë si barrë të rëndë për buxhetin e shtetit dhe qytetarët. “Në vend të një qeverie funksionale dhe të orientuar drejt rezultateve, kemi një sistem të ndërtuar për rehati politike, pa vizion dhe pa program konkret”, ka përfunduar Tahiri.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
