Bilall Sherifi: Limaj nuk pranon poste ministrore, kërkon vetëm kryesimin e Kuvendit

Kryetari i NISMA-s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka refuzuar kategorikisht të hyjë në diskutime për ndarje pushteti apo poste ministrore, duke u përqendruar tërësisht në kërkesën për të udhëhequr Kuvendin e Kosovës.

Këtë qëndrim e bëri publik Sekretari i Përgjithshëm i NISMA-s, Bilall Sherifi, gjatë një interviste në RTV Dukagjini, ku sqaroi se prioriteti i vetëm i partisë dhe i Limajt ka qenë pozita e kryetarit të Kuvendit, jo pjesëmarrja në ekzekutiv.

“Z. Limaj ka qenë i qartë – nuk ka pranuar të diskutojë fare për poste ministrore. Qëndrimi ynë ka qenë i prerë: kemi kërkuar partneritet në Kuvend, jo në Qeveri”, tha Sherifi.

Ai theksoi se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është kompetencë e mazhorancës, megjithatë kujtoi se partia më e madhe nuk mund ta zgjedhë atë pa mbështetjen e duhur numerike.

“Mandati për kryetar Kuvendi i takon mazhorancës, por partia më e madhe nuk mund ta zgjedhë pa numrat. Kjo është vërtetuar edhe në praktikë”, shtoi ai.

Sherifi po ashtu zbuloi se ka pasur diskutime të përgjithshme me Lëvizjen Vetëvendosje për mundësinë e një bashkëpunimi, por ato nuk kanë hyrë kurrë në detaje për ndonjë ministri të mundshme.

“Ka pasur një ofertë të mirë në aspektin e diskutimeve të përgjithshme, por nuk është folur asnjëherë për emra ministrash apo ndarje portofolësh”, sqaroi ai.

Duke folur për figurën e Limajt, Sherifi tha se ai është një ndër deputetët më të denjë për të udhëhequr Kuvendin, por kjo është e realizueshme vetëm në kuadër të një shumice parlamentare.

“Fatmir Limaj meriton të jetë kryetar Kuvendi, por kjo është e mundur vetëm nëse je pjesë e mazhorancës. Pa shumicë nuk zgjidhesh as kryeministër, as kryetar Kuvendi”, përfundoi ai.

Kontrolloni gjithashtu

Zahrije Podrimqaku, mes lotësh para mediave rrëfen torturat nga gardiania Nadica Cvetkoviq

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca fillestare ndaj të akuzuarës Nadica Cvetkoviq, e …