Bizneset e mëdha kalojnë në tregun e hapur të energjisë nga 1 prilli 2026

Nga 1 prilli 2026, bizneset në Kosovë që kanë mbi 50 punonjës ose realizojnë qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro nuk do të furnizohen më me tarifa të rregulluara në kuadër të shërbimit universal. Sipas kornizës ligjore në fuqi, këto kompani do të jenë të obliguara të zgjedhin vetë një furnizues të licencuar në tregun e hapur të energjisë elektrike. Bazuar në të dhënat zyrtare të Administratës Tatimore të Kosovës, një numër i konsiderueshëm biznesesh nuk i plotësojnë më kriteret për të mbetur në skemën e furnizimit me tarifa të rregulluara. Për pasojë, KESCO nuk do të mund t’i furnizojë ato në kuadër të shërbimit universal pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve. Bizneset e prekura duhet që deri më 1 prill 2026 të kenë përzgjedhur një furnizues të licencuar dhe të kenë nisur procedurën e ndërrimit të furnizuesit së paku 21 ditë pune para fillimit të kontratës së re. Lista e furnizuesve të licencuar është e publikuar në faqen zyrtare të ZRRE. Në rast se një biznes nuk përzgjedh furnizues me kohë, nga 1 prilli 2026 ai do të furnizohet përkohësisht nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit për një periudhë deri në 60 ditë.  Energjia e prodhuar dhe e injektuar në rrjet do të trajtohet sipas kushteve të kontratës me furnizuesin e ri të zgjedhur. KESCO u bën thirrje bizneseve që të konfirmojnë pranë kompanisë numrin e punonjësve, qarkullimin vjetor dhe njësitë apo matësit në shfrytëzim, me qëllim të sigurimit të një tranzicioni të rregullt dhe trajtimi korrekt gjatë kalimit në tregun e hapur.

Kontrolloni gjithashtu

Milazim Krasniqi: Qeveria Kurti është totalisht e dështuar, ajo nuk di të ballafaqohet me krizat ekonomike, energjetike, arsimore

Milazim Krasniqi: Kosova s’e ka luksin për zgjedhje të reja në kohë krizash globale

Njohësi i çështjeve politike, Milazim Krasniqi, ka vlerësuar se Kosova nuk duhet të shkojë në …