Bjorn Lomborg: Bota nuk po përmbyset sikur po ngjallin panik mediet në lajmet kryesore

Bjorn Lomborg: Bota nuk po përmbyset sikur po ngjallin panik mediet në lajmet kryesore

Njerëzit janë të njëanshëm ndaj lajmit të keq. Media e reflekton dhe formëson këtë preferencë, duke na ushqyer me fatkeqësi dhe panik. Trendet e gjata, të ngadalta dhe pozitive nuk ia dalin të jenë në faqet e para të lajmeve apo në bisedat kryesore. Ndaj krijojmë perceptime të gabuara, veçanërisht idenë se një shumicë gjërash po shkojnë keq.

Kur publikova “Mjedisori Skeptik” në vitin 2001, theksova se bota po bëhej më mirë në shumë aspekte. Atëherë, kjo shihej si herezi, pasi binte në kundërshtim me disa keqkuptime të përhapura, si ideja se burimet po mbaronin, se një popullatë gjithnjë e më në rritje po kishte më pak për të ngrënë dhe se uji e ajri po bëheshin përherë e më të ndotura.

Në secilin rast, ekzaminimi i kujdesshëm i të dhënave që krijonin skenarët prevalues e të zymtë në atë kohë ishin të ekzagjeruar. Ndërsa rezervat e peshkut janë pakësuar prej mungesës së rregullimit, ne në fakt mund të hamë më shumë peshk se kurrë, falë përparimeve në kultivimin ujor. Shqetësimet që po humbasim pyjet tona nuk marrin parasysh realitetin se vendet janë bërë më të pasura dhe kanë rritur mbulimin pyjor.

Që kur shkrova librin, bota është përmirësuar, sipas shumë indikatorëve të rëndësishëm. Ne kemi vazhduar të shohim pakësime të konsiderueshme në vdekshmërinë e foshnjave dhe në keq ushqim, dhe ka pasur hapa para ndaj çrrënjosjes së fruthit, malarjes dhe analfabetizmit.

Duke u përqendruar në problemin më vdekjeprurës mjedisor – ajrin e ndotur – ne mund të shohim disa nga arsyet e përmirësimit. Teksa bota u zhvillua, vdekjet nga ajri i ndotur kanë rënë shumë dhe trendi ka gjasa të vazhdojë. Duke parë një qytet të ndotur në një vend si Kina mund të duket e kundërta, por ajri brenda shtëpive për shumicën e njerëzve më të varfër është rreth dhjetë herë më i ndotur se ajri më i keq në Pekin. Problemi më serioz mjedisor për njerëzit është ndotja e ajrit brenda nga gatimi dhe nxehja me karburante të pista si druri dhe plehu – rezultat i varfërisë.

Në vitin 1900, më shumë se 90 për qind e vdekjeve nga ndotja e ajrit vinin prej ajrit të ndotur të brendshëm. Zhvillimi ekonomik ka çuar në më shumë ndotje të jashtme, por gjithashtu në më pak ndotje të brendshme. Pakësimet në varfëri kanë shkuar dorë më dorë me një pakësim katërfish të vdekshmërisë nga ndotja e ajrit. Megjithatë më shumë njerëz sot vdesin nga ajri i ndotur brenda sesa nga ndotja e jashtme. Edhe në Kinë, ndërsa ajri jashtë është bërë më i ndotur, pakësimi i varfërisë ka shkaktuar rrezik më të ulët nga vdekjet e ndotjes. Dhe teksa vendet janë bërë më të pasura, ata mund të përballojnë të rregullojnë dhe të ulin ndotjen e ajrit të jashtëm.

Dyqind vjet më parë, thuajse çdo person në planet jetonte në varfëri dhe një elitë shumë e vogël në luks. Sot, vetëm 9.1 për qind e popullatës, ose thuajse 700 milionë njerëz, jetojnë me më pak se 1.90$ në ditë (që në vitin 1985 ishte një dollar). Dhe vetëm në 20 vitet e fundit, proporcioni i njerëzve që jetojnë në varfëri ekstreme është thuajse përgjysmuar. Megjithatë, pak nga ne e dinë këtë. Fondacioni Gapminder bëri një sondazh në Mbretërinë e Bashkuar dhe zbuloi se vetëm 10 për qind e njerëzve besonin varfëria është ulur. Në Afrikën e Jugut dhe në Suedi, më shumë njerëz besonin se varfëria ekstreme është dyfishuar krahasuar me faktin se ajo është pakësuar.

Si ta vazhdojmë progresin tonë të shpejtë? Nuk ka pasur mungesë të ndërhyrjeve me qëllime të mira në politika, ndaj kemi dekada të dhëna që tregojnë se çfarë funksionon mirë dhe çfarë jo.

Në kategorinë e fundit, edhe idetë më të konsoliduara nga mendimtarët më të shquar të botës mund të dalin huq. Koncepti ambicioz i Fshatrave të Mileniumit supozohej të krijonte progres simultan në disa fronte, duke prodhuar “rezultate madhore në tre ose më pak vjet”, sipas themeluesit Jeffrey D. Sachs. Por një studim nga Departamenti për Zhvillimin Ndërkombëtar të Britanisë tregon se fshatrat kanë ndikime pozitive të moderuara dhe pak ndikim të përgjithshëm mbi varfërinë.

Është më konstruktive të përqendrohemi në atë që funksionon. Analiza globale e objektivave të zhvillimit për Konsensusin e Kopenhagenit nga një panel ekonomistësh fitues të Nobel tregoi se ku mund të arrinin më shumë paratë. Ata arritën në përfundim se aksesi i përmirësuar te kontraceptivët dhe shërbimet e planifikimit familjar do të pakësonin vdekshmërinë e nënave dhe foshnjeve dhe gjithashtu përmes një dividenti demografik, do të rrisnin ekonominë.

Po kështu, kërkimi vlerësoi politikat më të mira të zhvillimit për Haitin dhe zbuloi se përqendrimi te përmirësimet në ushqim përmes përdorimit të miellit të pasuruar me ushqyes do të transformonin shëndetin e fëmijëve, duke krijuar përfitime afatgjata.

Një tjetër kërkim i Konsensusit të Kopenhagenit sugjeron se shtimi i platformave qeveritare të prokurimit publik do të ishte transformues. Kjo mund të tingëllojë tangentiale për pakësimin e varfërisë, por nuk është. Në përgjithësi, vendet në zhvillim përdorin gjysmën e buxheteve për prokurime, duke shtuar transparencën e konkurrimit kjo do të pakësonte humbjet nga korrupsioni.

Ky nuk është një spekulim. Një rast studimor në Bangladesh, që shpenzon më shumë se 9 miliardë dollarë në prokurime publike në vit, zbuloi se prokurimet publike online në një departament qeveriar ulën çmimet me 12 për qind, duke lënë më shumë burime për prioritete të tjera buxhetore. Kërkimi tregon se zgjerimi i prokurimit dixhital në të gjithë qeverinë do të shpëtonte 670 milionë dollarë në vit – mjaftueshëm për të rritur shpenzimet në shëndetin publik me rreth 50 për qind. Qeveria e Bangladeshit është tani në zgjerim të këtij shërbimi.

Dhe mjeti më i rëndësishëm në luftën kundër varfërisë është ai që na solli këtu ku jemi sot: rritja ekonomike gjithëpërfshirëse. Gjatë 30 viteve të fundit, rritja ekonomike e Kinës nxori nga varfëria ekstreme 680 milionë njerëz.

Një marrëveshje tregtare globale – si përmbyllje e suksesshme e Doha Round tashmë të ngecur – do të nxirrte 160 milionë të tjerë nga varfëria. Skepticizmi ndaj tregtisë së lirë dëmton më të varfrit e botës. Ndërsa politikat e tjera të SHBA dhe postimet e presidentit Donald Trump marrin më tepër mbulime mediatike, refuzimi i administratës aktuale ndaj tregtisë së lirë mund të jetë tragjedia më e madhe.

Suksesi i njerëzimit në pakësimin e varfërisë është një arritje e jashtëzakonshme, të cilën hezitojmë ta pranojmë. Duhet të sigurohemi që të mos heqim dorë nga ajo që na ka sjellë deri këtu dhe ajo që justifikon shpresën për një të ardhme më të mirë. /Project Syndicate/reporter.al/

Kontrolloni gjithashtu

INDEP-ja publikoi Studimin e Politikave “Ringjallja përmes kredive – Pritjet dhe Arritjet e masës së dytë të Pakos së Ringjalljes“

INDEP: REAGIM, Koeficientët të harmonizohen me pagën minimale, jo me lojërat e partive për pushtet

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) shpreh shqetësimin e thellë që, për të disatën herë, partitë …