Ka vrasje që nuk janë vetëm krime ndaj një njeriu. Ato janë plagë ndaj kujtesës së një shoqërie dhe nduja moralit të një shteti. E tillë është edhe vrasja e Qerim Kelmendit.
Kanë kaluar vite nga atentati tinëzar që i mori jetën këtij veprimtari të njohur, por e vërteta për këtë krim vazhdon të mungojë. Dosja e tij duket sikur ka mbetur diku në heshtjen e zyrave, ndërsa pyetja themelore vazhdon të rëndojë mbi ndërgjegjen publike: si është e mundur që një krim i tillë të mbetet pa përgjigje?
Qerim Kelmendi nuk ishte një emër i zakonshëm. Ai ishte ndër ushtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i plagosuri i saj i parë, një ish i burgosur politik dhe një njeri që për dekada e kishte lidhur jetën e tij me përpjekjen për lirinë e vendit.
Prandaj vrasja e tij nuk është vetëm një çështje penale. Ajo është një provë për shtetin e Kosovës dhe për seriozitetin e institucioneve të tij.
Kur atentate të tilla mbeten të pazbardhura, lind një ndjenjë e rrezikshme në shoqëri: ndjenja se krimi mund të zhduket në errësirë dhe se drejtësia mund të vonohet pafund. Dhe kur drejtësia vonohet shumë, ajo fillon të duket sikur mungon.
Një shtet që ka lindur nga sakrifica të mëdha nuk mund të lejojë që kujtimi i atyre që kontribuan për lirinë e tij të mbetet i pambrojtur nga harresa dhe nga heshtja institucionale.
Prandaj Prokuroria e Shtetit ka një detyrim që shkon përtej një procedure të zakonshme hetimore. Ajo ka detyrimin të tregojë se drejtësia nuk fle mbi dosje të tilla.
Rihapja serioze dhe energjike e hetimeve për vrasjen e Qerim Kelmendit nuk është vetëm një akt profesional. Është një akt drejtësie ndaj familjes së tij, ndaj historisë sonë të afërt dhe ndaj vetë besimit të qytetarëve në shtetin e tyre.
Sepse, një shoqëri që nuk kërkon të vërtetën për krime të tilla mbi çlirimtarët e saj rrezikon të mësohet të jetojë me heshtjen. Dhe heshtja është aleati më i madh i krimit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
