Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: Mosnjohja e Kosovës nga Serbia, fatalja e nismës së mirë, “Ballkani i Hapur”

Hera herës, përgjatë historisë së re, Ballkani ka provuar ta bëj integrimin e tij të brendshëm; ta bëjë veten më funksional nga brenda tij; të ndërtoi rregulla sjelljeje, mirëkuptimi apo realitetesh të imponuara; të përligj pushtime e zaptime të brendshme në pajtueshmëri raportesh e pozicionesh, shfrytëzime ekonomike e territoriale për marrëdhënjet e tutjeshme, ku gjithçka e gjithherë është udhëhequr nga intenca e hises së trashëguar apo bashkë me të edhe të asaj të pushtuar brenda harkut gjoegrafik të rajonit, dhe tërë këtë për ta bërë fakt të pranuar dhe të vënë në rregulla nga faktorët determinues. Këto zhvillime kanë prodhuar shumë gjak, shumë vuajtje, shumë pushtime e shpopullime, ndërrime të mëdha realitetesh. Këto realitete të imponuara kanë mbejllur shumë armiqësi, sa që vetëm urrejtja si masë ia ka dalur ta mund malin e madh të fatkeqësive dhe vetë historinë e këtij rrëfimi nga viti në vit, nga mundësia në mundësi e nga dështimi në dështim, por se kjo ka jetuar ashtu dhunshëm në realitetet e imponuara. Kjo fatkeqësi që e ka përcjellë rajonin njëtrajtshëm, veçanërisht nëpër dy shekujt që lamë pas, e ka mbjellë të themi pakalueshmëri mosbesimin e bazuar. Për çka sot me të drejtë ethet e së shkuarës kanë kapur për fyti dhe po duan ta mbysin akoma pa lindur “Ballkanin e Hapur”!

Duhet shumë guxim intelektual e shumë shtytje gjeopolitike për këdo politikan shqiptar që i futet kësaj të themi nisme, që në fakt më shumë lë shijen e një aventure. Jo rrallë nismat e tilla kanë ditur t’i zhgënjejnë edhe skeptikët më të zgjuar. Por, deri këtu, përtej lidershipit që po tregon z.Rama i bindur në madhështinë e idesë dhe të mundshmes, shumçka tjetër na thotë se procesi po merr tis skepticizmi për faktin se Vuçiq i cili po veshet me petkun e “Kavalierit të rajonit” po luan me shumë letra njëkohësisht duke mbajtur tri fusha në rulet, atë të rajonit, të bashkësisë ndërkombëtare dhe Rusisë putiniste!

Ballkani i hapur, kjo mundësi dhe shpresë, mund të vritet nga historia dhe ambicjet e sëmura shoviniste serbe, që për fat të keq të rajonit sot kanë rënë në kthetrat e Putinit. Po të ketë sinqeritet angazhues të Serbisë, kjo nismë do të na bënte krenarë të gjithë neve në rajon, do të na bënte më të vlefshëm për veten tonë dhe do të na mbante në vatrat tona. Mjafton të shohim 70 vitet e Europës, meqë edhe te ne, për shkak të lumejve të gjakut mes nesh sentimenti etni dhe sovranitet është i vlefshëm edhe për flijimin njerëzorë.

Konservatorizmi i mendësisë europiane dhe vendi që zë në gjykimin e tij sovraniteti i shteteve, bazuar në ruajtjen fanatike të aureolës së madhështisë së kombeve që trashëgojnë e ka bërë Europën e pas luftës së dytë botërore të kërkoi alternativa ndërveprimi pa prekur sovranitetet. Ky ndërveprim që nisi me hapjen e industrisë e çelikut, si nismë modeste, por që sot ia ka dalur të sublimohet në katër liritë e lëvizjes: të Kapitalit, shërbimeve, mallërave dhe njerëzve, nga ku po marshon drejt fazave tjera bashkvepruese, na ka dhënë një mësim për së mbari, se si mund ta rrisim veten në ndërveprim me tjerët, pa humbuar asgjë nga dukja jonë sovraniste.

Nisma “Ballkani i Hapur” në vetvete është e mirë, por cila është dhiarja që mund të na nxjerr në shtegun e gabuar që mos ta ndjekim!

Europa po ecë me shpejtësi. Ajo edhe përkundër luhatjeve të mëdha brenda saj, tashmë është futur në hullinë integruese të institucioneve të përbashkëta, rrugë kjo që padyshim një ditë do ta dërgoi te praktika Amerikane. të cilën e shtroi si nevojë Ferderi largpamës që në fundin e shekullit të tetëmbëdhjetë. Andaj edhe neve na duhet të shpejtojmë në ngritjen e kapaciteteve integruese që ta zëmë rrugës mundësinë e anëtarësimit.

Derisa Europa ta gjejë rrugën e vet për ta bindur veten se koha kërkon kapërcimin e madh të përtej konfederatës amerikane, ne duhet të shpejtojmë. Jo për të, për veten tonë. Kjo nuk guxon asesi të na ndal neve në përpjekjen tonë, sepse nuk ka rrugë tjetër, integrimi ekonomik, ushtarak dhe politik i kontinentit është edhe fati i tij. Mos kapja e hapit integrues do të nënkuptoi edhe fundin e historisë për secilin nga popujt e vegjël.

Londra, Berlini, Versaja, Lozana, Firenca dhe tjera qendra që çoroditën fatet e popujve tanë me vendosje ekuilibrash për shtatin e gjeopolitikave të tyre nëpër koloritin e kohëve, ashtu sikur dje edhe sot po e mbajnë rajonin në eterin e të panjohurave të nesërme, për ta bërë paradhomën e të mundshmeve të tyre në kohë e zhvillime të caktuara, ku po i shtynë fragjiliteti i brendshëm i unionit. Këto zhvillime kanë bërë që rajoni jonë të bëhet synim i ndikimit ruso-kinez për çka amerikanët detyrimisht mbeten të angazhuar dhe ne në rajon të hamendësuar. Por, kjo nuk është më shumë se një gjendje dhe për këtë ne duhet të jemi koshient. Përtej gjendjes ne duhet të ecim me kokëfortësi drejt integrimit. Dhe për këtë duhet ta admirojmë për qartësinë Kryeministri Edi Rama.

Lënia e rajonit jashtë perspektivës europiane dhe tallja me të përmes karamleleve të premtuara, të tipit “kushte të plotësuara kapituj të hapur”, ka filluar ta shpenzojë  jo vetëm shpresën, por edhe vet besimin. BE-ja, meqë po e vuan gjendjen e saj të brendshme, për çka ajo nuk po merret më me vlerësimin e të arriturave, sepse prolongimi po i levërdisë deri në sqarimin e brendshëm të saj, po manifestohet fragmentare dhe jo kohezive. Nëpër të çarat e këtij kohezioni të munguar, ajo po luan në rajon përmes linjave të vjetra duke ushqyer e ngallur lojërat e vjetra për ta ngritur gatishmërin e rinovimit të miqësive të dikurshme. Kjo shkarje prej terri të së kaluarës ka bërë që Serbia të mos lëvizë më shumë sa vetëm për t’ia mbajtur ison kohës.

Shpresa,  që po i mbahet e gjallë Serbisë, se gjeopolitikat mund të bëhen rëndësi e parë në raport me standardet e civilizimit, e ka zhytur atë thellë në ëndrrat e të shkuarës për apetite dhe mospërgjegjësi. Ajo po armatoset si e sa asnjëherë më parë për ditën imagjinare që gurët e cicmicit po ia thonë. Ajo zhytur në memdësinë e mykur po pret t’ia hedh kohës me shpresën se do të ndodhë “Thyerja historike”, e cila hera herës po jep shenja të qarta mundësie. Por, a mund të ndodhë kjo në të vërtetë? Gjithçka flet në disfavor të saj. Bota ka ecur aq larg sa meskiniteti i aleancave nuk e mban dot më peng. Dhe mu për këtë ne duhet të jemi në tavolinë për ta vënë në sprovë pikëprerjen historike.

Ky mashtrim optik që po e mban peng Serbinë ka bërë që rajoni të vonohet në saje të gogolit që ajo po e përdorë, Rusisë së Putinit. Loja e Serbisë me asat nën mëngë po shkon drejt fundit bashkë me sjelljen e Europës ndaj Serbisë që Franca po e bënë të vakët.

Edhe përkundër asaj se ajo po i serviret Rusisë për t’i dëshmuar se përtej raporteve obliguese trans atlantike, Rusia  mund të shpresoj në një miqësi të heshtur për fqinjësi. Kjo nuk mund të shkoi përtej një vendi nën ombrellen europiane të përkatësisë për Rusinë pas putiniste, të cilën vet historia e saj nuk do t’ia lejoi.

Është e kuptueshme që Francës nuk i mjafton (në botën shumë polare që po rreshtohet) kjo Europë e tillë, sikur është e varur për sigurinë dhe e determinueshme për ekonominë. Ambicja e saj që vjen nga historia ka treguar gjithmonë mosdurueshmëri deri në mosbinje me amerikanët dhe paritet të heshtur me anglezët. Kjo ngutje franceze drejt protagonizmit ndërkombëtar që do të impononte Ekonomi dhe Siguri e Ushtri të integruar i ka frikësuar ndjenjat sovraniste të popujve të BE-së të cilët po provojnë të shfaqen më uniform në politikat e brendshme. Ky vonim integrues na jep shpresë se integrimi ynë mund të ndodhë më shpejt se sa skeptikët hipotezojnë.

Sjellja në kërkim të vetes brenda Unionit Europian dhe mbajtja sa për sy e faqe të rajonit me karamele fjalësh tashmë po merr shijen e talljes. Trajtimi i Serbisë satelit rus dhe mbajtja e duarve larg zjarrit e ka bërë BE-në një lojtare anemike, e cila në vend se ta vente Serbinë me shpatulla për muri për gjenocidet e kryera po i çaset me shumë kujdes duke i krijuar hapësirë manovrimi. Në këtë sfond duhet parë iniciativat e bashkëpunimit rajonal, të cilat bashkësia ndërkombëtare i shtyri nën tepih, nga ku u nxorën si Proces i Berlinit, Minishengen dhe Ballakni i Hapur.

Poltroni kujdestar i Serbisë, Rusia, do ta mbajë Serbinë në një dualizëm të pashëm, të cilin ajo nuk do ta lejoi ta fshehë më. Kudo ku do të tentoi t’i fshehë këmbët Serbia Rusia do t’i merr punët në duart e saj, sikur është rasti me lajmërimin  rus se do të ngre në OKB çështjen e shkrirjes së kufirit Kosovë Shqipëri. Po të mos ishte angazhimi i Serbisë për Ballkanin e hapur, ajo vet do ta ngrihte këtë çështje në OKB.

Serbia duke mos patur fuqi të ndahet nga e kaluara gjenocidiale ka ndërtuar marrëdhënje problematike gati vasaliteti me Rusinë, për çka e ka humbur sovranitetin në disa nga fushat e rëndësisë së veçantë.

Ofensiva diplomatike e Kosovës në krah të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi me pjesëmarrje në nismat rajonale dhe ngritjen e marrëdhënieve me këto dy shtete sot mike gati të barazvlefshme me ato që duhet ndërtuar me Shqipërinë tonë e vëjnë Serbinë para dilemës të jetë a të mos jetë. Në këtë dilemë hamletiane, sado sfumuese për maskën mashtruese të saj të jetë, Serbia nuk ka se si të zgjedhë të mos jetë. Kjo mund të merr ca kohë, por kjo do të ndodhë heret a vonë.

Nga e tërë kjo është koha të kuptojmë se Ballkani i Hapur është një gur prove, të cilin Kosova mund ta ketë të tërin në duart e saj. Mos shkuarja në tavolinën e Ballkanit të Hapur, nuk është më pak se sa fitore dhuruar Serbisë. Dhe për fund rrahagjoksëve të bashkimit kombëtar me fjalë e bateria: Po të ishim të bashkuar me Shqipërinë a do të ishim në rrugëtim e sipër drejt Ballkanit të hapur për ku nuk po ndalet Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama? Padyshim se po.

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …