Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: Vetëm të bashkuar shqiptarët mund të bëhen faktor në rajon dhe këtë bashkim nuk po na ndalon askush

Në emisionin, “Bisedë në studion e TV-Diellit” veprimtari dhe eprori i lartë i UÇK-TMK-së, i burgosuri politik, Sadik Halitjaha ka folur për disa nga problemet aktuale me të cilat po ballafaqohen shqiptarët e ndarë në gjashtë  shtete të Ballkanit.

Sadiku ka një përvojë të gjatë jetësore në aktivitetin politik e organizativ dhe ka qenë një ndërlidhje serioze mes grupeve atdhetare të kohës, që vepronin në platforma të ndryshme për nga emërtimi, por që kishin një program unik, çlirimin e trojeve shqiptare dhe bashkimin e natyrshëm me Shqipërinë.

Sadik Halitjaha, u lind më 7 qershor të vitit 1955, në Mushtisht të Therandës (ish-Suharekë), ka diplomuar në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë, në drejtimin, “Afarizmi Financiar në Ndërmarrje”. Ka kryer Fakultetin Ekonomik dega “Menaxhment dhe Informatikë”, në Universitetin e Prishtinës. Në universitetin FAMA ka përfunduar studimet master për Siguri dhe ka marrë gradën shkencore Mr. Sc i shkencave të sigurisë. -Tre herë i dënuar për veprimtari politike kombëtare anti-jugosllave në vitet: 1979 (në burgun e Prizrenit), 1981(në burgun ushtarak të Postonjës) dhe 1986 (në burgun e Prizrenit). Gjatë viteve 1986-1988, ishte drejtues i Lëvizjes Politike Kombëtare për trojet shqiptare në ish Jugosllavi.(Ibrahim Shala)

Veprimtari, Sadik Halitjaha, luftëtar i lirisë, zëvendës- komandant i Zonë Operative të Pashtrikut gjatë luftës, invalid dhe veteran i UÇK-së,  nuk e ka ndalur asnjëherë aktivitetin e tij atdhetar.

Po ashtu si shumë veprimtarë të tjerë e kishte përshtatur aktivitetin e tij në kohë dhe rrethana të caktuara, gjithnjë në përpjekje për ta ruajtur vazhdimësinë e veprimit, jo vetëm në pritje për ditë më të mira, por duke dhënë kontribut të çmuar, që ato ditë të ndodhnin në momentin e duhur. I edukuar në frymë atdhetare, i frymëzuar nga Lëvizja e Rezistencës shekullore, veçmas nga veprimtaria kombëtare, e cila në vazhdimësi kishte rrezatuar sidomos nga Shqipëria, përmes literaturës, Radios e Televizionit, vajtje ardhjeve të delegacioneve, pastaj ndikimit të madh që ushtruan profesorët e Universitetit të Tiranës, të cilët sipas një marrëveshjeje të Kosovës më Shqipërinë, ligjëronin në Prishtinë, Sadik Halitjaha, ashtu si shumë veprimtarë të tjerë të kohës ishte dhe vazhdon të jetë në korrent të të gjitha zhvillimeve, jo vetëm në Kosovë. Ai përfaqësonte një segment të veçantë të veprimtarisë në drejtim të unifikimit të Lëvizjes atdhetare për çlirim dhe bashkim…

Duke folur për 30 vitet e të ashtuquajturit  tranzicion të Shqipërisë pas rënies së regjimit socialist të Shqipërisë, analisti Sadik Halitjaha, ka deklaruar se vitet e demokracisë në Shqipëri, nuk ishin demokratike, pasi të gjitha të arriturat e ish regjimit, të cialt ishin bërë me djersën e një popullit të tërë, ishin shkatërruar në emër të demokracisë, në emër të shkatërrimit të komunizmit dhe ku kishin marrë pjesë pikërisht vetë ata që e kishin ndërtuar, mbështetur e himnizuar atë regjim. Demokracia, nuk mund të manifestohet   me dhunë, me shkatërrimin e të mirave të përbashkëta, shkatërrimin e tërë një sistemi që ishte ngritur nga hiqi pas Luftës së Dytë Botërore. Dhuna dhe urrejtja kundër së kaluarës nuk ka pushuar dhe nuk po pushon. Momentalisht e djathta në Shqipëri ka filluar luftën brenda llojit, luftën për pushtet brenda PD-së, që është prodhim i njëmendësisë autoritare të  shkatërrimit dhe mos durimit, një luftë që po e fundos PD-në nga brenda.

Lidhur me  “Ballkanin e Hapur”, analisti politik, Sadik Halitjaha, arsyeton nismën si të tillë, meqë karakteri i kësaj nisme është ekonomik e tregtar dhe nuk ka kurrfarë elementi të ndonjë bashkimi ushtarak apo të sigurisë. Ai ia sheh për të madhe qeveritarëve aktualë, përse nuk i bashkohen nismës, pasi së bashku me Shqipërinë e Maqedoninë integrohet pjesa dërrmuese e shqiptarëve e cila do të përbënte faktorin kryesor brenda “Ballkanit të Hapur”, meqë keni dy shtete si dhe pjesën shqiptare të Maqedonisë. Në një nivel të tillë prezantues e pjesëmarrës, shqiptarët bëhen faktori numër një në shumë segmente.

Duke folur për stagnimin e procesit të bisedimeve të vendit tonë me Serbinë, ai ka vërejtur se këto bisedime filluan në vitin 2013 nën një presion të faktorit ndërkombëtar, pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte arsyetuar verdiktin se Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, nuk binte ndesh me të Drejtën Ndërkombëtare.

Rrjedha e pastajme e bisedimeve ishte kryesisht nën presionin e Bashkimin Evropian, i cili me qëllim për ta ndarë Serbinë nga Rusia, i bërë dhe po i bën lëshimi Beogradit zyrtar, në dëm të pavarësisë së Kosovës dhe territorit të saj. Jo rastësisht dy krerët më të lartë ndërmjetësues nga BE-ja,  Josep Borell dhe Mirosllav Llajçak vijnë nga dy shtete të nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe madje krejt hapur përkrahin kërkesat e Beogradit zyrtar për kompromis në bisedime, kur ne kemi bërë sa e sa kompromise dhe në fund edhe kompromisin më të madh sikur ishte pranimi  i Pakos së Aftisaarit”.

Në bisedën e tij në studion e TV-Diellit dhe para dëgjuesve të Radios-Kosova e Lirë, Sadik Halitjaha ka folur edhe për probleme të shumta me të cilat po ballafaqohet Kosova dhe përgjithësisht shqiptarët në rajon, të cilët, sipas tij në kushtet dhe rrethanat ekzistuese të lirisë së lëvizjes, tregtisë së lirë, bashkëpunimit të mundshëm në të gjitha fushat, nuk të arrihet shumë nga synimet dhe të realizohen shumë nga kërkesat tona të drejta dhe të natyrshme për bashkim kombëtar, në kushte dhe rrethana paqeje e mirëkuptimi, me të drejta të barabarta për së cilin entitet, në Ballkan e më gjerë.

Veprimtari dhe analisti, Sadik Halitjaha, në bisedë me drejtorin e Radios-Kosova e Lirë, Ahmet Qeriqi,  porosit krerët politikë dhe institucionalë të vendit që të jenë parimorë, të mbështesin njëri-tjetrin, të mos barrikadohen me qëndrime partiake, kur është në pyetje interesi kombëtar dhe të bashkëpunojnë mes veti në të gjitha fushat e mundshme, të cilat janë të shumta sidomos tani.

 

Për këto dhe observime, mendime, mesazhe e vrojtime realiste politike, mund të klikoni në këtë video.  

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …