Kur mungon politika – ose më saktë, kur mungojnë kapacitetet për të bërë politikë – loja me fjalën bëhet ushqim shpirtëror i turmave të rreshtuara. Së pari u përkujdesën ta shtronin terenin me idenë se politika nuk ka moral, ashtu siç do thoshin latinët e vjetër: politica sine moribus est. E në teren të tillë u shkon natyrshëm thënia e Ciceronit: inter arma silent leges – në kohë lufte, ligjet heshtin.
Çfarë mbeti tjetër? Të bëhej luftë. Dhe ja ku jemi, në fushatë elektorale që ngjan më shumë me betejë sesa me garë. Ligjet kanë pushuar së funksionuari: pushteti nuk çan kokën për to, opozita nuk do t’ia dijë. Barrikadat janë shndërruar në llogore dhe fjalët në plumba.
Kështu do ta përshkruante cilido vëzhgues këtë katrahurë—talljen e politikanëve me elektoratin që po e shtyjnë drejt përplasjes, poshtë, në tapetin e ashpër të kokërrimit elektoral. Në një intervistë, një përfaqësues i kësaj lëngate politike u tha qetësisht gazetarëve se nuk i interesonte përplasja “poshtë”; e rëndësishme ishte që “këta lart” t’ia dilnin. (Parafrazim imi.)
Në vend që politika të na jepte ne, elektoratit, armët programore me të cilat të bindnim elektoratin gri, ata vakumin që nuk e mbushin dot me kapacitete politike e profesionale e kanë shndërruar në betejë për jetë a vdekje – thuajse fundi i tjetrit është triumf i kombit, e jo humbje e një vlere të përbashkët të këtij vendi.
Ku po shkojmë kështu? Ç’janë këto armë fatale si këto që po i futin pyka e thika këtij populli për një kafshatë pushtet?
Albin Ledija Sokoloviq, Albin Serbia, Albin çebja e Binçës, Albin Jelica e BIA-s, Albin Koštunica, Albin Hamoviqi… e me radhë.
Pastaj: Bedri stafeta, Bedri Rankoviqi, Bedri fotografia me Rankoviqin në Mitrovicë, pse jo edhe Bedri Udbashi, Bedri Bedeli, servili i Sami Lushtakut, mashtruesi i Ramiz Lladrovcit, kalëruesi i Ramizit sa për ta kaluar lumin (këto zgjedhje)…
Dhe më tej: Lumir LDK-Serbia, Lumiri që me pare të Serbisë bleu të parin e LDK-së, Lumiri djalë UDB-ashi (ma thanë në vesh, ua thash në vesh), argati i Gecëve, ai që ka ardhë ta mbyllë LDK-në, t’ia vë therrën në derë, paterica e PDK-së…
Më në fund, huni rezervë: Ramush harambashi, Ramush Qakorri, Ramush Radojčiqi, Ramushi i mashkujve të lodhur…
Të gjitha këto epitete, dhe ato që do t’i dëgjojmë edhe më shumë nëpër koluare, janë thika në trupin tonë – jo në trupin e tyre. Politikanë që në skenë sillen më shumë si nuse sesa si asete të shoqërisë; politikanë që me syrin e tyre ciklop e shpirtin katran, jo vetëm hanë vendin, por edhe ia shtrojnë fatkeqësinë për mandate të tëra.
Tre huj tashmë janë mprehur. Ne kemi vetëm këta ku të ngulemi. Por të tre – sipas narrativës që na shesin, na qenkan lyer me bojë të Serbisë. Cilin do kemi fatin ta marrim si kryehu, nuk e dimë.
Ulu, populli im, pa zgjedhur: të tre janë të mprehur njësoj, dhe edhe pse i kanë lyer me bojë serbe, dije se djegia do jetë vetëm shqiptare, dhe rrast e shul shqip. Asgjë serbe s’ka në Kosovën tonë sovrane, përtej të drejtave njerëzore të komuniteteve që jetojnë këtu. Të gjitha të tjerat janë Gogoli që e kanë sjellë politikanët e këtij vendi dhe po na e mbajnë mbi kokat tona.
Në djall shpirti katran i politikës!
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
