Blerim Zenë Jashari (12.12.1992 – 5.3.1998)

Blerim Zenë Jashari (12.12.1992 – 5.3.1998)

Qëndresa heroike e Prekazit e 5, 6 dhe 7 marsit e vitit 1998 ka qenë njëra ndër betejat më të dhembshme, por edhe më krenare të historisë sonë më të re.
Tri ditë rresht luftuan në mbrojtje të dinjitetit kombëtar dhe njerëzor të gjithë Jasharët. Derisa po mbronin pragun e nderin e familjeve, ata po mbronin edhe nderin e kombit e atdheut. Edhe pse krahasim me armikun, armatimi ishte i pakët, tanët bënin qëndresë të fortë, ata kishin moral të ngritur, sepse e dinin pse dhe për cka po luftonin.
Shembullin për të mos u dorëzuar e ka ndjekur edhe Blerim Zenë Jashari e shumë të tjerë.
Familja e Zenë Jasharit, lirisë së Kosovës i fali tre bij në lulen e rinisë: Abdullahun, Bujarin dhe Blerimin. Së bashku me bijtë, për tokën e lirisë, kishte rënë edhe nëna e tyre, Bahtije Jashari.
Blerimi lindi më 12 dhjetor 1992. Shkollën fillore nuk mundi të filloi, pasi okupatori në lulen e rinisë ja ndërpreu ëndrrat. Edhe pse i ri, ai përcillte me vëmendje lëvizjet që bënin familjarët.
Blerimi, së bashku me vëllezërit dhe kushërinjtë e tij të moshës rinore, bënin vëzhgimin e terrenit, duke përcjellë lëvizjet e forcave serbe, të cilat po përforcoheshin dhe po përgatiteshin për të sulmuar Jasharët e Prekazit.
Natën e 4 marsit të vitit 1998, Zenë Jashari me bashkëshorten Bahtijen dhe bijtë, Avdullahun, Bujarin dhe Blerimin ndodhej në shtëpinë e Halitit, ndërsa Valdeti, vëllau ndodhej në shtëpinë e Hamit Jasharit, në roje. Me rastin e shpërthimit të luftimeve Zenë Jashari ndodhej në bodrumin e shtëpisë, ku pas shpërthimit të një granate të forcave serbe goditet nga dera, e cila e kishte zënë përfundi dhe disa orë mbetet pa vetëdije.
Sulmi brutal dhe barbar i forcave ushtarake e policore serbe kundër Jasharëve, kishte filluar para orës 6 të mëngjesit të 5 marsit. Në të njëjtën kohë, me predha artilerie qenë goditur shtëpia e Legjendarit, e Halit Jasharit e Hamit Jasharit e gjithë lagja, ku edhe kishte filluar rezistenca e armatosur.
Blerim Jashari, me prindërit Zenë dhe Bahtijen, vëllezërit Avdullahun e Bujarin, prej ditës së parë të sulmit të forcave ushtarake e policore serbe kanë rezistuar me armët e tyre e me gjithë familjen e Blerimit.
Në një rrethim të hekurt, të goditur nga të gjitha anët me armë të rënda të artilerisë kanë rënë në për tokën e atdheut; Blerim Zenë Jashari me dy vëllezërit Avdullahun e Bujarin dhe nënën Bahtije Jashari. Halit e Elheme Jashari, Hajzer, Murtez Sabrije, Hanife Zymer Jashari dhe e ëma Mihrije Jashari.
Në ditën e katërt, serbët kishin thyer rezistencën e Jasharëve dhe kishin tërhequr kufomat, të cilat fillimisht i dërguan në “Servisin” e Lah Tushilës, në dalje të Skënderajit, ku Zenë Jashari babai i dëshmorit ishte prezent gjatë identifikimit të kufomave të të rënëve për liri.
Trupat e dëshmoreve të kombit prehen në Kompleksin e varrezave në Prekaz, ku janë varrosur të gjithë të rënët, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998.
Para shtëpisë së rezistencës së Halit Jasharit është ngritur një kompleks përkujtimor, ku janë skalitur në mermer fotot dhe emrat e këtyre 11 të rënëve, të kësaj dege të lagjes Jashari të Prekazit.
Nga familja e Blerim Jasharit kanë shpëtuar: Zena babai i dëshmorit, Miradia gjyshja e dëshmorit, Valbonja e Lendita motrat e dëshmorit, Xhevdeti e Valdeti vëllezërit e dëshmorit.
Familja e Zenë Jasharit ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Zona Operative e Drenicës, nga shoqatat e luftës dhe nga Kuvendi komunal i Skënderajt, Drejtoria e Arsimit etj. për të rënët:, Blerimin, Abdullahun, Bujarin e Bahtijen.
Kujtimet e vetme të mbetura për familjarët e Blerimit janë, pantollonat, të cilët ndodhen në ekspozitën “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, kushtuar 1133 fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, dhe një lodër kamion i cili ndodhet në muzeun në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Jasharët sërish kanë ngritur kullat e tyre dhe me bijtë, bijat, nipat e mbesat po vazhdojnë jetën, krenarë për veprat baballarëve, nënave, motrave e vëllezërve, që u bënë gurë themeli për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. (Vlora Sahit Jashari)

Kontrolloni gjithashtu

Nazmi Zuk Jashari (13.11.1967 - 5.3.1998)

Nazmi Zuk Jashari (13.11.1967 – 5.3.1998)

Nazmi Zuk Jashari, ka lindur me 13 nëntor të vitit 1967, në Prekaz të Poshtëm, …