Bllokada vazhdon: Kuvendi dështon të konstituohet për herën e 47-të

Ngërçi politik në Kosovë po thellohet, teksa për herën e 47-të me radhë ka dështuar përpjekja për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës. Seanca e fundit, e thirrur nga kryesuesi Avni Dehari, përfundoi pa sukses, pasi sërish nuk u arrit pajtueshmëri për krijimin e Komisionit për votim të fshehtë – hap ky i domosdoshëm për vazhdimin e procedurës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Komisioni u mbështet vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ndërsa partitë e tjera parlamentare refuzuan të marrin pjesë në votim, duke e cilësuar procesin si të njëanshëm dhe jashtë praktikës kushtetuese. Nga 105 deputetë të pranishëm në sallë, 51 votuan për formimin e Komisionit, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim – tregues i bojkoti nga pjesa tjetër e spektrit politik. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhet të konstituohet më së largu deri më 26 korrik. Megjithatë, vendimi i Kushtetueses nuk ofron qartësi se çfarë pasojash ligjore apo institucionale do të pasojnë nëse ky afat shkelet. Vetëvendosje insiston që kandidatura e Albulena Haxhiut të hidhet në votim përmes një procesi të fshehtë, duke argumentuar se kjo është në përputhje me rregulloren e Kuvendit. Por partitë opozitare e konsiderojnë këtë veprim të kundërligjshëm, duke iu referuar interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila thekson se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit duhet të bëhet “sipas praktikave të deritanishme”.

Kontrolloni gjithashtu

Shukri Buja

Shukri Buja reagon pas vendimit të Themelores: “Vendim i pabazë, tentim për të më ndalur politikisht në Lipjan”

Shukri Buja, kandidat i PDK-së,  për kryetar të Komunës së Lipjanit, ka reaguar ashpër ndaj …