Tema të tjera...
Borxhi i përgjithshëm i konsumatorëve ndaj Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, që përfshin sektorin familjar dhe bizneset e vogla e të mëdha në tetë komuna ku kjo kompani operon, ka arritur në mbi 45 milionë euro. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka theksuar se rreth 40 milionë euro e këtij borxhi i takojnë sektorit amvisëror, ndërsa mbi 5 milionë euro sektorit të bizneseve. Sipas Mjekut, kompania u ka dhënë qytetarëve një afat prej 16 ditësh për shlyerjen e obligimeve financiare, përpara se rastet të procedohen tek përmbaruesit apo të ndërmerren masa të shkyçjes nga rrjeti i ujësjellësit. Ajo sqaroi se furnizimi me ujë përfshin procese të kushtueshme teknologjike, duke nisur nga marrja e ujit nga liqeni i Batllavës, trajtimi në impiantet përkatëse dhe shpërndarja deri te konsumatori final, çka përbën një kosto të lartë operative për kompaninë. Zëdhënësja e KRU “Prishtina” paralajmëroi se, në rast të mosshlyerjes së borxheve brenda afatit të caktuar, kompania do të detyrohet të zbatojë masa ndëshkuese në përputhje me legjislacionin në fuqi, me qëllim të sigurimit të funksionimit të qëndrueshëm të shërbimeve të ujësjellësit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
