Botime të reja të Institutit të Historisë, në Prishtinë

Botime të reja të Institutit të Historisë, në Prishtinë

Këto ditë, Instituti i Historisë, në Prishtinë, botoi këto vepra: Dokumente diplomatike të qeverisë shqiptare për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, Botim i dytë i plotësuar, nën përzgjedhjen dhe redaktimin e Prof. Assoc. Dr. Sabit Syla; Gjenocidi serb në rajonin e Pejës mars-qershor 1999, të autores Prof. Assoc. Dr. Teuta Shala-Peli; Kosova gjatë Luftës së Parë Botërore 1914-1918, të autorit Prof. Ass. Dr. Fitim Rifati.

Në veprën “Dokumente diplomatike të Qeverisë shqiptare për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë”, autori Sabit Syla ka prezantuar materialet autentike të kohës, dokumente të arkivuara, të cilat dëshmojnë qartë e saktësisht të gjitha zhvillimet diplomatike të Shqipërisë në raport me Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe shtetet e tjera, lidhur me përkrahjen parimore mbi baza kombëtare, që Tirana zyrtare iu kishte dhënë kërkesave të drejta të shqiptarëve në Jugosllavi, veçmas pas shpërthimit të Demonstratave e protestave të Marsit e Prillit të vitit 1981 në Kosovë.

Dokumentet janë të Qeverisë shqiptare nga Arkivi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme (AMEPJ), Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Arkivi Qendror i Shtetit (AQSH) dhe Arkivi Qendror i Forcave të Armatosura – Ministria e Mbrojtjes (AQFA). Në përzgjedhjen e tyre për ribotim, autori ka bërë përpjekje për klasifikimin e dokumenteve, të cilat kanë më shumë informacione për demonstratat e vitit 1981. Si të tilla, dokumentet janë origjinale, të hartuara nga diplomatë e konsuj të rangjeve të ndryshme të ambasadave shqiptare, të akredituara në vende të ndryshme botërore, deri te diplomatët dhe drejtoritë politike të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Brendshme të shtetit shqiptar. Po ashtu, tejet me interes janë edhe dokumentet me karakter ushtarak të hartuara nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe Drejtoria e Zbulimit. Dokumentet në fjalë hedhin dritë mbi qëndrimin kritik të Byrosë Politike, Komitetit Qendror dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë kundrejt Jugosllavisë dhe në veçanti ndaj veprimeve të politikës serbe në Kosovë.

Botime të reja të Institutit të Historisë, në Prishtinë

Dokumentacioni krijon mundësinë që të shohim dinamikën e zhvillimeve shqiptare më 1981, e brenda këtij konteksti të njohim qëndrimet e shteteve dhe komentet nga shtypi botëror, mendimet e faktorit politik ndërkombëtar, i cili ishte i ndarë në qëndrimet dhe në opinionet rreth çështjes së Kosovës. Dokumentet e këtyre fondeve, janë përzgjedhë me kujdes gjatë punës kërkimore shkencore në arkivat e shtetit shqiptar, të kryera gjatë viteve 2008-2012 si dhe 2018-2019. Këtij vëllimi të ripunuar, i janë shtuar tridhjetë dokumente të pabotuara deri më tani, duke respektuar kronologjinë e tyre me tituj të qartë, të shoqëruara me vendin dhe kohën e hartimit të tyre. Dokumentet janë pajisur me shënime sqaruese, së bashku me indikacionet tjera arkivore, si numri i fondit, dosja, etj., të cilat do ta lehtësojnë punën e çdo studiuesi që do të donte të njihej me këtë botim dhe të gjejë më lehtë dokumentin origjinal.

Me ribotimin e këtij vëllimi është dhënë një kontribut i rëndësishëm për historiografinë shqiptare dhe për studiuesit që merren me kërkime historike për shqiptarët në përgjithësi dhe për Kosovën në veçanti, gjatë shekullit XX-të.

Në monografinë “Gjenocidi  serb në rajonin e Pejës mars-qershor 1999”, autorja Teuta Shala-Peli ka për objekt studimi krimet e gjenocidit të forcave serbe në rajonin e Pejës respektivisht në Fushë të Pejës, Katund i Ri, Qyshk, Pavlan, Zahaq, Nakëll, Llabjan, Ramun, Leshan dhe Kliçinë, gjatë muajve mars, prill, maj dhe qershor të vitit 1999, duke përfshirë vrasjet e popullsisë civile shqiptare, si dhe format e tjera të dhunës  të përdorura nga forcat serbe nga fundi i marsit 1999 përkatësisht nga 25 marsi e deri më 14 qershor 1999. Në mes të tjerash, kjo vepër trajton rrahjet, plaçkitjet, dëbimet, burgosjet si dhe maltretimet e tjera ndaj popullsisë civile të kësaj treve të Kosovës.

Struktura e kësaj monografie është konceptuar në tre krerë: Kreu i parë: Aspekte të përgjithshme për personat e vrarë nga forcat serbe në rajonin e Pejës (mars-qershor 1999), trajton gjendjen e përgjithshme të krijuar në vendet në fjalë gjatë muajve mars-qershor 1999, ku si rrjedhojë e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë, forcat serbe ushtruan dhunë duke vrarë, plagosur, burgosur e dëbuar me dhunë popullsinë civile nga Kosova. Kreu i dytë: Tipat, llojet dhe format e ndryshme të krimeve serbe në rajonin e Pejës (mars-qershor 1999), përfshinë vrasjet në masë si dhe të gjitha format e dhunës të ushtruara ndaj popullsisë civile shqiptare. Në brendësi të këtij kapitulli janë përfshirë edhe dëshmitë e atyre personave që i përjetuan dhe ju mbijetuan krimeve të kësaj kohe. Kreu i tretë: Shënime biografike për personat e vrarë dhe të pagjetur, mars-qershor 1999, përmban 160 biografi të shkurtra për të gjithë personat e vrarë dhe të pagjetur, në përjashtim të dy personave të cilët janë të pa identifikuar.

Kjo monografi përmban edhe shtojcën në kuadër të të cilës janë prezantuar listat e personave të vrarë, të plagosur dhe të pagjetur gjatë muajve mars-qershor 1999.

Përmes kësaj vepre, autorja konstaton se prej 25 marsit  e deri më 14 qershor të vitit 1999, nga forcat policore e ushtarake serbe, në vazhdimësi janë kryer krime të gjenocidit, në shënjestër të të cilave ishin civilët shqiptarë, pa dallim moshe e gjinie, në  Fushë të Pejës, Katund i  Ri, Qyshk, Pavlan, Zahaq, Nakëll, Llabjan, Ramun, Leshan dhe Kliçinë.

Në monografinë “Kosova gjatë Luftës së Parë Botërore 1914-1918”, autori Fitim Rifati paraqet ngjarje, personalitete dhe fenomene shumëdimensionale politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore-arsimore, që e kanë karakterizuar Kosovën gjatë Luftës së Parë Botërore. Ajo është shtjelluar brenda gjashtë kapitujve, duke ndjekur renditjen kronologjike, tematike e multidisiplinare.

Në kapitullin e parë paraqitet një skemë e përgjithshme e Kosovës nën sundimin e Mbretërisë së Serbisë dhe Malit të Zi, gjatë viteve 1912-1914. Kapitulli i dytë shpalos situatën ndërkombëtare në fillim të Luftës së Parë Botërore, qëndrimin e shqiptarëve të Kosovës ndaj saj, mobilizimin e dhunshëm në radhët e ushtrisë serbo-malazeze dhe veprimet e armatosura të shqiptarëve për çlirim. Në kapitullin e tretë parashtrohen të dhëna mbi tërheqjen serbo-malazeze nga Kosova, pushtimet bullgare e austro-hungareze dhe ndarjen e Kosovës në dy zona okupimi dhe administrimi. Kapitulli i katërt shtjellon gjendjen dhe pozitën e Kosovës në zonën austro-hungareze, sikurse kapitulli i pestë që ngërthen një tablo të njëjtë të Kosovës në zonën bullgare, gjatë viteve 1915-1918. Në kapitullin e gjashtë trajtohet tërheqja nga Kosova e administratës dhe trupave ushtarakë bullgarë e austro-hungarezë dhe ripushtimi serb, në shtator-tetor 1918.

Në aspektin e punës metodologjike, monografia përcillet me shqyrtimin dhe krahasimin e dokumentacionit arkivor, literaturës burimore, studimeve, analizave dhe çdo materiali tjetër gjegjës, me qëllim për të qenë sa më afër të vërtetës historike. Për hartimin e saj në mënyrë sa më burimore dhe të argumentuar, janë shfrytëzuar dokumente nga arkivat ballkanikë dhe evropianë. Studimin e kanë ndihmuar vëllimet dokumentare të publikuara, shtypi i kohës, literatura historiografike, memoaret etj.

Monografia e vë Kosovën në fokus të veçantë, për territorin e së cilës u përplasën posaçërisht shqiptarët, serbët, malazezët, bullgarët, austro-hungarezët, osmanët etj. Shtetet e tyre, duke zbatuar politikat kombëtare, në këtë hark kohor u përpoqën të ndërtonin një Kosovë politike me tipare specifike kombëtare, ekonomike, shoqërore dhe kulturore-arsimore. Synim i kësaj vepre është prezantimi i informacioneve dhe interpretimeve të reja për historiografinë shqiptare.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …