Eksperti i sigurisë dhe ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, ka reaguar ashpër ndaj situatës së fundit me energjinë elektrike në vend, duke e quajtur atë një “kolaps të stisur” me qëllim përhapjen e panikut dhe nënshtrimin e qytetarëve. Në një reagim publik, Ramadani thekson se, sipas tij, nuk ka mungesë të vërtetë të prodhimit të energjisë, por një neglizhencë e qëllimshme e krijuar me kohë. Ai paralajmëron se kolapsi i paralajmëruar mund të cenojë direkt sigurinë kombëtare, përfshirë edhe sektorë të ndjeshëm si ai shëndetësor. Sipas Ramadanit, kjo sjellje i ngjan praktikave të regjimeve jodemokratike, të cilat përdorin krizën si mjet për kontroll dhe manipulim. Ai i bën thirrje institucioneve të shtetit ligjor që të veprojnë urgjentisht për ta trajtuar situatën dhe për të ndalur përhapjen e frikës në shoqëri.
