Christopher Hill përmbyll dëshminë në Hagë: Thaçi nuk ishte figurë vendimmarrëse në UÇK

Diplomati i pensionuar amerikan, Christopher Hill, ka përfunduar dëshminë e tij treditore para gjykatës speciale në Hagë, ku u paraqit si dëshmitar mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Pas përfundimit të dëshmisë, Hill e cilësoi procesin si “një përvojë të veçantë”. Gjatë tre ditëve të dëshmisë, ai foli për rolin e Thaçit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për përfshirjen e tij në negociatat e Rambujesë. Sipas Hillit, përshtypja e tij ishte se Thaçi nuk kishte rol vendimmarrës brenda strukturës së UÇK-së, duke kujtuar se gjatë bisedimeve në Rambuje ai duhej të konsultohej me të tjerët përpara se të merrte ndonjë vendim. I pyetur nga trupi gjykues për strukturën e UÇK-së, Hill tha se ajo nuk kishte një hierarki të qartë, por shtoi se përpiqej t’i bindte Shtetet e Bashkuara se funksiononte si një organizatë e mirë strukturuar. Në dëshminë e tij, diplomati amerikan foli edhe për takimet me udhëheqësin e atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, duke thënë se ky i fundit ishte i shqetësuar që SHBA-ja po i afrohej më shumë UÇK-së sesa Lidhjes Demokratike të Kosovës. Hill theksoi se nënshkrimi i marrëveshjes së Rambujesë nga pala shqiptare rrëzoi pretendimin e Millosheviqit se shqiptarët nuk mund të bashkoheshin për një qëllim të përbashkët. Në përfundim të dëshmisë, ai përsëriti se nuk kishte asnjë informacion që Thaçi të ishte përfshirë në aktivitete të paligjshme apo në shkelje të të drejtave të njeriut.

Kontrolloni gjithashtu

PDK përshëndet votimin e Rezolutës për Hagën: Akt përgjegjësie shtetërore dhe uniteti institucional

Partia Demokratike e Kosovës ka përshëndetur dhe falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për votimin …