Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Fried, thotë se Strategjia e Sigurisë Kombëtare e Administratës Trump ndan vlerat nga interesat, bie ndesh me politika të tjera amerikane dhe favorizon të djathtën radikale në Evropë. Sipas tij, mos përfshirja e Kosovës dhe Ballkanit në strategji tregon ulje të urgjencës dhe pritshmëri që Evropa të marrë rolin kryesor. Fried vlerëson se, për shkak të tonit ideologjik të dokumentit, ndoshta është edhe “më mirë” që Kosova nuk përmendet fare. Ai thekson se konfuzioni shihet edhe në Uashington, pasi Kongresi po shtyn përpara Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, i cili forcon praninë ushtarake të SHBA-së në Evropë dhe mbështet stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Ky akt e cilëson marrëveshjen Kosovë–Serbi si hap pozitiv dhe mbështet një zgjidhje përfundimtare të bazuar në njohje reciproke. Fried paralajmëron se një tërheqje amerikane do ta bënte rajonin më të cenueshëm ndaj ndikimit rus dhe kinez. Ai thekson se BE-ja duhet të marrë udhëheqjen në Ballkan, ndërsa Kosova, sipas tij, duhet të ndërtohet si shtet demokratik dhe jo nacionalist, me të ardhmen e saj të qartë brenda Evropës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
