Eksperti amerikan për Ballkanin dhe profesori i Universitetit “Johns Hopkins”, Daniel Serwer, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë pas dështimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të siguruar shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë së re. Serwer theksoi se situata aktuale në Kosovë nuk duhet parë si krizë, por si shenjë e funksionimit të demokracisë. “E shoh si demokraci në veprim,” tha ai, duke shtuar se proceset e tilla politike janë pjesë e natyrshme e sistemit demokratik. Pas dështimit për formim qeverie, partitë politike kanë kërkuar shkuarjen në zgjedhje të reja, duke mos arritur të krijojnë një shumicë të qëndrueshme për qeverisje. I pyetur nëse zgjedhjet janë opsioni më i mirë, Serwer u përgjigj: “Mund të mos ketë ndonjë opsion tjetër, por është shumë më mirë që njerëzit në Kosovë të vendosin vetë sesa për mua të jap një opinion.” Sa i përket mundësisë së ndryshimeve të mëdha në përqindjet elektorale, ai theksoi se bukuria e zgjedhjeve demokratike qëndron në pasigurinë e rezultatit, duke nënvizuar se vetëm votat e qytetarëve e përcaktojnë drejtimin e vendit. Në lidhje me shqetësimet për mosmiratimin e buxhetit dhe mundësinë e vonesave në pagat e sektorit publik, Serwer u shpreh kritik: Çdo sistem që dështon t’u paguajë punëtorëve të vet pagat, nuk është një sistem i mirë, ka deklaruar Server.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
