Dardan Lajçi: Lahuta, instrument që po harrohet

Dardan Lajçi: Lahuta, instrument që po harrohet

Këngët e Eposit të Kreshnikëve këndohen nga lahutarët, të cilët janë rapsodë që dallohen për zërin e tyre tërheqës, për mjeshtërinë e të rënit të lahutës dhe për teknikën e mbamendjes së vargjeve. Ata janë të njohur edhe për mjeshtërinë e rikrijimit të vargjeve të harruara. Përveç këtyre veçorive, te lahutarët e dalluar hetohen edhe aftësia e paraqitjes krahasuese dhe hiperbolike të heronjve, si dhe aftësia e ndërtimit të tipareve fantastike të personazheve. Veglat muzikore me të cilat shoqërohen këngët e vallet popullore në Rugovë janë po ato të cilat përdoren edhe në vise të tjera. Por edhe këtu Rugova i ka disa veçanti. Para se gjithash, në këto vise edhe sot përdoret lahuta me tepër se kurdo ndër ne. Me lahutë luhen melodi të ndryshe, por përcillen edhe këngët kreshnike edhe ato historike.

Lahuta ka një vazhdimësi të pandërprerë në të gjitha fshatrat e Rugovës, kështu që edhe djemtë e ri e kanë mësuar këtë mjeshtëri. Dikur në këto katunde ka pasur rreth 60 lahutarë të njohur, por as sot ka rënë dukshem numri i tyre. Fyelli dhe kavalli gjithashtu janë vegla të vjetra, të cilat e shoqërojnë rugovasin në punë, dhe në shtëpi gjatë netëve të dimrit. Çiftelia në Rugovë përdoret shumë më pak se në rrafsh, ku është instrumenti kryesor popullor. Me def zakonisht shoqërohen vallet popullore të grave, e me tupan ato të burrave. Zymer Neziri, studiues i eposit, thotë se lahuta është e ngritur në shkallë kulti për vlerat që ka. “Lahutarët i këndojnë këto këngë në përcjellje të instrumentit muzikor me një tel, që quhet lahutë. Lahuta është instrument muzikor kryesor për përcjelljen e këngëve të Eposit të Kreshnikëve. Këto këngë këndohen edhe me përcjellje të çiftelisë me dy tela, që është po ashtu instrument muzikor i përhapur ndër shqiptarë”, thotë Neziri, duke shtuar se këto këngë këndohen edhe me përcjellje të sharkisë, vegël muzikore me tri palë tela. Lahuta përfaqëson arketipin më të lashtë të veglave kordofone me hark të kontinentit evropian. Lahuta është e ngritur edhe në shkallë kulti. Kulti i lahutës në familjen shqiptare është i përhapur, ashtu siç ekziston një respekt shenjtërues për këngët e kreshnikëve. Lahutarët i këndojnë këto këngë në dasma, në gazmende, në festa dhe në raste të tjera gëzimi, si dhe në mbrëmje, kryesisht gjatë stinës së dimrit. Dëgjuesit kanë respekt të veçantë për lahutarin, sidomos kur ai këndon. Qetësia është në shkallë të lartë, e kur lahutari e përfundon këngën, e urojnë e përgezojnë me fjalët “ Goja të lumtë!” ose “Djalit ia laç!” dhe ky është shpërblimi i vetëm dhe më i madhi për ta. Në lahutë vendosen zburime me karakter kombëtar si dhe figura si përkrenarja e Skënderbeut, koka e kalit, koka e gjarprit, flamuri dhe portrete të heronjëve shqiptar.

Mirpo, lahuta është në harrim e sipër, e që është një fatkeqësi e madhe. Megjithatë, brezi kufitar i Shqipërisë me Kosovën, Mirdita lart, fisi Kelmend, aty-këtu po e përdorin. Këtu te ne është lënë pothuajse pas dore. Lahuta, megjithatë, do të mbetet ndër instrumentet më popullore në traditën më të madhe ndërshqiptare, sepse përmes tingullit të saj është ngjallur historia shqiptare. Këngët shqiptare të Eposit të Kreshnikve janë monument i kuturës shpirtërore të shqiptarët. Ato janë ndër eposet e fundit aktive në Evropë dhe presim nga UNESCO të vlersohën si trashëgimi kulturore universale e njerëzimit.

(Dardan Lajçi, sociolog- kandidat për doktor shkence)

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …