Njohësi i çështjeve ekonomike, Dardan Sejdiu, ka deklaruar se Qeveria në detyrë nuk ka të drejtë të propozojë Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, duke theksuar se një veprim i tillë do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Sipas Sejdiut, ndarja e pushteteve është parim themelor i rendit kushtetues dhe çdo tejkalim i kompetencave nga një qeveri pa mandat përbën shkelje ligjore. Ai kujtoi se Neni 93 i Kushtetutës e autorizon qeverinë të propozojë buxhetin vetëm gjatë mandatit aktiv dhe nën mbikëqyrje parlamentare. “Një qeveri në detyrë që nuk ka më lidhje me Kuvendin e ri, nuk mund të propozojë buxhetin që do ta menaxhojë një qeveri tjetër”, tha Sejdiu. Ai theksoi se Ligji për Qeverinë lejon vetëm veprime administrative të domosdoshme, jo hartimin e buxheteve për periudha të reja politike. Sejdiu paralajmëroi se një propozim i tillë do të ishte i pavlefshëm ligjërisht dhe përbën edhe bazë për përgjegjësi penale. “Një qeveri pa mandat që dikton buxhetin, nuk ruan stabilitetin, por teston kufijtë e Republikës”, shtoi ai. Në përfundim, Sejdiu theksoi se qeveritë janë të përkohshme, ndërsa parimet kushtetuese janë të përjetshme – dhe çdo shkelje e tyre e rrezikon vetë themelet e Republikës së Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
