Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka reaguar pas raportimeve për parregullsi në procesin zgjedhor në komunën e Junikut.
Përmes një postimi në “Facebook”, Haradinaj ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të nisin hetime urgjente për, siç tha ai, manipulime të mundshme me listat e votuesve.
“Prokuroria ta hetojë procesin zgjedhor në Junik. Në këtë komunë kanë votuar edhe qytetarë të komunave tjera”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka theksuar se në Junik janë regjistruar si votues shumë persona që jetojnë në qytete të tjera të Kosovës, gjë që sipas tij përbën vepër penale dhe duhet trajtuar me urgjencë nga institucionet përkatëse.
“Juniku si zonë zgjedhore ka shumë qytetarë nga qytetet tjera, të cilët në mënyrë shumë të organizuar janë regjistruar si votues të Junikut. Një veprim i tillë përbën vepër penale dhe duhet urgjentisht të hetohet”, ka shtuar ai.
Haradinaj ka kërkuar gjithashtu që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të publikojë listën zgjedhore të kësaj komune, duke e quajtur situatën “skemë të dominimit numerik kriminal”.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, kandidati Ruzhdi Shehu ka dalë i pari në Junik me 47.91 për qind të votave, ndërsa pas tij renditet Agron Kuçi me 40.68 për qind.