Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka reaguar ndaj debatit rreth përfaqësimit të komunitetit serb në kryesinë e Kuvendit. Ai tha se Rregullorja e re e miratuar në vitin 2022 i ka dhënë Listës Serbe të drejtën ekskluzive për të pasur një nënkryetar të Kuvendit, ndryshe nga rregullorja e vitit 2010, e cila, sipas tij, nuk ia garantonte këtë pozitë asnjë partie serbe. “Në prill 2010, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Rregulloren e Punës, e cila nuk i jepte ekskluzivitet asnjë partie politike serbe ta ketë nënkryetarin e Kuvendit. Në korrik 2022, Kuvendi aprovoi Rregulloren e re, e cila ia mundëson Listës Serbe ta ketë këtë pozitë”, ka shkruar Haradinaj. Ai shtoi se dihet qartë se kush kishte shumicën në Kuvend në të dy periudhat, duke akuzuar disa subjekte politike për “patriotizëm sezonal” dhe sjellje hipokrite. Haradinaj tha se partitë që në publik shfaqen me qëndrime patriotike, në prapaskenë bëjnë marrëveshje dhe pazare politike.
