Para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, qeveria në detyrë e Kosovës kishte miratuar ndarjen e 26 milionë eurove për studentët, duke paralajmëruar se secili prej tyre do të përfitonte nga 100 euro mbështetje financiare. Por, pavarësisht vendimit, këto mjete ende nuk janë ekzekutuar. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, ka reaguar duke e cilësuar këtë vonesë si të qëllimshme. Në një postim në Facebook, Guri ka thënë me ironi se “qeveria do t’i ekzekutojë 100 eurot për studentët pak ditë para balotazhit”, duke nënkuptuar se fondet po përdoren për qëllime elektorale. Vendimi për shpërndarjen e mjeteve u mor para 12 tetorit, ndërsa raundi i dytë i zgjedhjeve lokale pritet të mbahet më 9 nëntor. Kritikët e qeverisë thonë se vonesa në ekzekutimin e pagesave e konfirmon përdorimin e buxhetit shtetëror për përfitime politike, ndërsa ekzekutivi deri më tani nuk ka dhënë asnjë afat zyrtar për daljen e mjeteve.
