Pas deklaratës së Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili përmendi konceptin e një “Republike të Tretë”, kjo qasje ka nxitur reagime të shumta në skenën politike të Kosovës. Një ndër më të zëshmet ishte deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, e cila e cilësoi këtë ide si të rrezikshme për stabilitetin politik dhe institucional të vendit. Kadrijaj deklaroi se Kurti nuk po punon në funksion të forcimit të shtetësisë së Kosovës, por, sipas saj, është i përkushtuar të zhbëjë arritjet e deritanishme. “Ky njeri është i dedikuar për të shkatërruar çdo të arritur të këtij populli dhe shteti. Me këtë retorikë, ai jo vetëm që po e relativizon rrugëtimin historik të Kosovës drejt pavarësisë, por po minon edhe stabilitetin institucional e politik të vendit,” tha Kadrijaj. Deputetja e AAK-së theksoi se qasja e Kurtit, në vend që të konsolidojë shtetin dhe të forcojë pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, po e orienton vendin drejt tensioneve të brendshme dhe pasigurisë politike. Kadrijaj rikujtoi se Kosova ka kaluar nëpër sakrifica të mëdha për të arritur lirinë dhe pavarësinë, duke shtuar se “çdo tendencë për të rishkruar historinë dhe për të relativizuar institucionet aktuale, është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj shtetësisë së Kosovës”.
