Demir Reshiti: KUNDËRVËNIE E FAKTUAR E BEDRI HALIMIT, NDAJ QASJES ANTISHKENCORE TË AKADEMIKËVE SERBË PËR GORËN, OPOJËN E SREDSKËN 

Demir Reshiti: KUNDËRVËNIE E FAKTUAR E BEDRI HALIMIT, NDAJ QASJES ANTISHKENCORE TË AKADEMIKËVE SERBË PËR GORËN, OPOJËN E SREDSKËN 

Analizë mbi librin më të ri studimor të Bedri Halimit 

“Qasje antishkencore e ASHAS për Gorën, Opojën e Sredskën”, titullohet libri më i ri studimor i veprimtarit, publicistit e shkrimtarit Bedri Halimi, i cili këto ditë pa dritën e botimit.

Libri prej 300 faqesh, është rezultat i një hulumtimi të gjatë, në vazhdën e studimeve të autorit për tu kundërvënë qasjeve antishkencore të Akademisë së Shkencave të Arteve të Serbisë (ASHAS) ndaj tre librave: Šarplaninske župe: Gora, Opolje i Sredska (odlike prirodne sredine) Beograd 1994; Šarplaninske župe: Gora, Opolje i Sredska (Antropogeografsko – etnološke, demografske, sociološke i kulturološke karakteristike), Beograd 1995; dhe Šarplaninske župe: Gora, Opolje i Sredska (društveno ekonomski razvoj), Beograd 1997.

Publicisti i mirënjohur Bedri Halimi i cili vitin e kaluar pati botuar librin “Interpretimet antishkencore të historiografisë serbe rreth çështjes së shqiptarëve”, ka vazhduar që përmes fakteve, në mënyrë të sintetizuar, të ofrojë kundërargumentet e historiografisë shqiptare, ndaj konkludimeve kuazishkencore të historiografisë serbe, rreth çështjes shqiptare.

Në librin më të ri të tij, Bedriu në mënyrë më konkrete dhe me shumë argumente i kundërvihet qasjes antishkencore të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve të Serbisë për Gorën, Opojën dhe Sredskën, që sipas pretendimeve të tyre, këto tri krahina dhe popullsia që jeton aty, paskëshin qenë serbe! Po sipas kësaj akademie, në Gorë dhe Sredskë “tradhtia ndaj Serbisë” paskësh ndodhur vetëm një herë, sepse popullata e këtyre dy trevave e ka ndërruar vetëm fenë, kurse për Opojën thuhet se e paskësh “tradhëtuar” Serbinë dy herë: edhe me gjuhën edhe me fenë!

Sado që këto treva bëjnë pjesë në skajet jugore të Kosovës, jo rastësisht ASHAS përmes Institutit Gjeografik “Jovan Cvijiq”, ka dërguar aty në mënyrë të organizuar, mbi 80 studiues të profileve të ndryshme, si historianë, gjuhëtarë, etnologë, folkloristë, etnomuzikologë, ekonomistë, botanistë, zoologë etj. Fryt i punës së këtyre “akademikëve” janë tri vëllimet e sipërpërmendura që bartin të njëjtin titull “Zhupat e bjeshkëve të Sharrit – Gora, Opoja dhe Sredska” (Šarplaninske župe: Gora, Opolje i Sredska).

Në librin e parë të botuar në vitin 1994 paraqiten karakteristikat e mjedisit natyror (odlike prirodne sredine); në librin e dytë të botuar një vit më vonë prezantohen karakteristikat antropogjeografike – etnologjike, demografike, sociologjike dhe kulturore (Antropogeografsko – etnološke, demografske, sociološke i kulturološke karakteristike); ndërsa në librin e tretë të botuar në vitin 1997 paraqitet zhvillimi socio-ekonomik (društveno ekonomski razvoj) i këtyre tri trevave.

Kundërvënia me argumente të pakontestueshme 

Fillimisht, autori Bedri Halimi sqaron në mënyrë të thuktë se çfarë thuhet në këto tri vëllime të ASHAS për Gorën, Opojën e Sredskën njëkohësisht, duke zbërthyer njëkohësisht se kush është Akademia e Shkencave të Arteve të Serbisë.

Në pjesën e parë të librit, autori pasqyron pasaktësitë serbe rreth krahinës së Gorës duke përfshirë: kufirin, shtrirjen, emërtimet e fiseve dhe vendeve të Gorës, emrin Gorë; prezantimin e goranëve si serbë nga historianët serbë; islamizimin në Gorë sipas autorëve serbë, duke iu kundërvënë të gjitha pasaktësive me argumente shkencore. Më tej flet për përbërjen etnike të popullsisë së Kazasë së Gorës duke sjellë dëshmi të shumta historike.

Pretendimeve serbe rreth gjurmëve kishtare serbe në Gorë, rreth varrezave serbe në Gorë, pastaj humbjes së gjurmëve të vjetra serbe sipas Jastrebovit, pretendimeve të Lutovacit, Jovan Cvijiqit, Qubrilloviqit për Gorën, (ku jo rastësisht edhe kjo trevë ishte paraparë që të zbrazet, nga popullata, për të krijuar kështu një tampon zonë, që do t’a shkëpuste vazhdimësinë shqiptare në këto anë, autori u kundërpërgjigjet me argumente historike.

Po ashtu edhe pretendimet rreth të folmes gorane për të cilën shumë autorë serbë e përdorin si argument kryesor i të qenit të kësaj popullate si sllave, ku disa historianë madje në ndihmë për këtë qëllim i thërrasin edhe konkludimet e Jastrebovit për gjuhën gorane, autori i demanton madje me të dhëna nga vetë historiografia serbe!

Më tej autori sjell të dhëna për masakrat serbe kundër popullsisë së Gorës; hakmarrjen serbe në Gorë; luftimet në trevën e Gorës, për të kaluar pastaj në ofrimin e të dhënave rreth kontributit të goranëve në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, ku në këtë pjesë autori përmend dëshmi të shumta të ylemasë së fshatrave të ndryshme të Gorës si: Restelicës, Brodit, Dikancës, Baqkës, Lybevishtit, Rapçës, pastaj në rezistencën e goranëve në mbrojtjen e tokave shqiptare, pjesëmarrjen nga Gora në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, duke përmendur me fakte veprimtarinë e personaliteteve nga kjo trevë si: Nail Hyseni – Dana, Mulla Rasim Zapodi, Dajlan Xhemë Basha, Murat Adem Murati, Rrahman Ali Murati, Qamil Mehmet Beqa, Ymer Mata, Xhafer Ollomani, Maksut Xhafer Fetishi, Ibrahim Shahin Lleshi, Fetish Asllan Beqa, Eshref Krusha, Arif Krusha, Safet Hoxha etj.

Me fakte historike autori dëshmon për shpërnguljen e goranëve nga dhuna serbe; përmend kërkesën e popullatës së Gorës lidhur me çështjen e kufijve; pjesëmarrjen e goranëve në Luftën e Dytë Botërore; për të vazhduar pastaj me të dhëna për dhunën serbe ndaj goranëve gjatë kohës së monizmit në Jugosllavi, duke ofruar sjellë të dhëna konkrete për të dënuarit për shkaqe politike nga të gjitha fshatrat e Gorës. Në këtë drejtim autori sjell të dhëna konkrete edhe rreth gjendjes katastrofale dhe pasigurisë së goranëve në Serbi edhe pas luftës së fundit në Kosovë.

Në pjesën e fundit të këtij kapitulli, autori bën fjalë për zakonet në Gorë, ritet gorane, besimet pagane e totemike rreth ujit, bimësisë, botës shtazore, rreth tokës, rreth zjarrit… Pastaj për kulturën, këngët, vallet, meloditë të cilat janë autoktone, dhe ju kundërvihen qartë pretendimeve të historianëve serbë për t’i quajtur ato pjesë të kulturës serbe. Po në këtë drejtim, flet edhe për këndimin, adetet, garat e pehlivanëve, për kulturën dhe veshjen popullore të burrave dhe grave në trevën e Gorës, për dasmën e ritet rreth saj, e së fundmi duke sjellë edhe të dhënat e MUP-it serb rreth popullsisë së Gorës, të cilës madje i kanë penguar jo vetëm besimtarët që i kanë numëruar çdo të premte nëpër xhami, por edhe martesat e përziera!

Në pjesën e dytë të librit, autori u kundërvihet pasaktësive të historiografisë serbe për krahinën e Opojës me theks të veçantë tendencave serbe rreth shqiptarizimit të Opojës, të dhënave të Jastrebovit, Llutovacit e disa historianëve tjerë, duke ofruar të dëshmi që demantojnë shpifjet e shumë historianëve serbë, që nga antroponimet në shekullin XIV, pastaj sqaron marrjen e emrave ortodoks nga shqiptarët, kalimin në ortodoksizëm, përhapjen e islamizmit etj.

Më tej autori jep të dhëna rreth rezistencës shqiptare të kësaj treve, rreth masakrave serbe ndaj shqiptarëve, arsyetimin e diplomatëve serbë për krimet ndaj shqiptarëve, dëshmitë serbe rreth krimeve ndaj shqiptarëve, rreth pasojave të politikës gjenocidale serbe për spastrimin e viseve shqiptare në periudhën 1912-1914; të dhëna rreth shpërnguljes së shqiptarëve 1912-1967, e deri te vazhdimi i dhunës e politizimit ekstrem në kohën e Millosheviqit. Gjithashtu autori sjell dokumente dhe dëshmi për ndarjen e njëanshme nga politika serbe të Komunës së Dragashit më 1989 etj.

Ndërkaq në pjesën e tretë të librit, autori jep të dhëna rreth pasaktësive të historiografisë serbe rreth krahinës së Sredskës. Fillimisht autori tregon lojërat e historiografisë serbe me termin Zhupë për qëllime politike. Pastaj jepen të dhëna rreth islamizimit të Sredskës, pretendimet e historianëve serb rreth Sredskës si serbe, manipulimet me Sredskën, përdorimi i prapashtesave “viq” në këtë krahinë e sidomos në fshatin Struzhë. Për t’iu kundërvënë këtyre pretendimeve të historiografisë serbe rreth kulturës së Sredskës, që tentojnë çdo gjë për ta konsideruar si kulturë të ashtuquajtur e serbëve të Sredskës, duke shkuar aq larg sa edhe bujqësia dhe prodhimet bujqësore të kësaj treve nga historiografia serbe janë përdorë në shërbim të serbizimit, autori shërbehet me fakte konkrete që i demantojnë këto pretendime! Duhet theksuar se libri është i pajisur me të dhëna të përdorura nga literatura e nevojshme shkencore.

Padyshim se ky libër meriton të lexohet, jo vetëm nga historianët e studiuesit e fushave të ndryshme por edhe nga lexues të thjeshtë të cilët interesohen për realitetin historik të këtyre tri trevave që “akademikët” politikë të Beogradit përpiqen t’i paraqesin si serbe.

Duke e përgëzuar autorin e librit, Bedri Halimin për punën kolosale që ka bërë, më duhet të ngrejë shqetësimin tim dhe të parashtroj pyetjen përse Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës nuk ka denjuar për tu dhënë asnjë përgjigje deri më tani, madje në asnjë sferë të artit, kulturës e shkencës pretendimeve të ASHAS për t’i paraqitur si serbe këto tri treva që realisht nuk kanë asgjë të përbashkët me Serbinë?

A nuk është për keqardhje fakti se Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë ka pasur vullnet për të ardhur në këto tri treva, për të “hulumtuar” “qenësinë serbe” aty, ndërsa akademikët shqiptarë të Kosovës i kanë futur veshët në lesh dhe nuk e shohin të udhës të kundërvihen duke pasur në dorë përplot argumente shkencore, madje pa pasur nevojë që të organizojnë ekspedita hulumtuese siç kanë bërë kolegët e tyre serbë.

Puna që bëjnë individët, në këtë rast studiuesi Bedri Halimi, është për çdo respekt, por është për keqardhje që individi duhet ta kryej punën e një institucioni të tërë siç është Akademia e Shkencave dhe

Arteve e Kosovës e cila paguhet për këtë punë nga paratë e taksapaguesve të Kosovës.

Disa të dhëna për autorin 

 

Veprimtari, shkrimtari e publicisti shumëdimensional Bedri Halimi është i lindur në 05. 03. 1963 në fshatin Kuk të trevës së Opojës (komuna e Sharrit). Si nxënës i shkollës së mesme është arrestuar dhe burgosur për shkak të qëndrimeve të tij atdhetare. Ka kryer fakultetin e Bujqësisë. Ka shkruar punime të shumta kulturore, letrare e shkencore, të botuara në revista të ndryshme të hapësirave shqiptare. Deri më tani ka botuar mbi 30 libra letrar, publicistikë e shkencorë. Gjithashtu ka shkruar një varg skenarësh disa nga të cilët janë bërë filma dokumentar, të realizuara nga Shoqata Kulturore “Ymer Prizreni” (SKYP), dhe të transmetuara edhe në televizione të ndryshme.

Që nga viti 1991 drejton dhe boton revistën për kulturë, art e shkencë “Sharri”.

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani

Zymer Mehani: Ushtar Shabani dhe thirrja e atdheut

(Tregim për dëshmorin e kombit, Shaban B. Avdiu, në përvjetorin e rënies) Në një natë …