leoni

Dëshmia e Jock Covey rrëzon narrative e prokurorisë

Në gjykatën speciale në Hagë, dëshmitë e fundit kanë vënë në pikëpyetje qëndrimet e Prokurorisë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dëshmitari amerikan Jock Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner, tha qartë se UÇK-ja, nuk ka funksionuar si një ushtri e centralizuar dhe se komandantët në terren kishin autonomi të plotë. Covey theksoi se UNMIK kurrë nuk e ka trajtuar Hashim Thaçin si komandant ushtarak dhe se ai nuk jepte urdhra mbi strukturat e UÇK-së. Marrëdhënia e Thaçit me komandantët lokalë ishte e ndërlikuar dhe shpesh me mungesë respekti reciprok. Në një takim kyç në shtator 1999, Covey kujtoi se Thaçi nuk foli fare, ndërsa komandantët nuk e shihnin atë si autoritet vendimtar. Edhe pse gjatë seancës u shfaq një dokument ku Thaçi nënshkruante si “komandant i përgjithshëm i UÇK-së”, Covey sqaroi se ky ishte një akt formal në kuadër të procesit të çarmatosjes dhe nuk reflektonte ndonjë pushtet real ushtarak. Sipas tij, kërkesa e Thaçit për leje që disa pjesëtarë të mbanin armë nuk u mor as parasysh nga UNMIK-u, pasi kjo ishte kompetencë e KFOR-it. Në dëshminë e tij, Covey nënvizoi se nuk ka pasur një pasqyrë të qartë të strukturës komanduese të UÇK-së, duke e përshkruar atë më shumë si një lëvizje të decentralizuar se sa një ushtri të rregullt. Këto deklarata mbështesin qëndrimin e mbrojtjes, sipas së cilës Hashim Thaçi nuk kishte autoritet real për të urdhëruar, organizuar apo ndalur akte të dhunës gjatë periudhës së pasluftës. Avokati i tij, Luka Mishetiq, tha se dëshmia e Covey shkon drejtpërdrejt kundër narrativës së Prokurorisë, e cila pretendon një zinxhir komandues të centralizuar nën drejtimin e Thaçit. Ky zhvillim shihet si një goditje për akuzën, ndërsa përkrahësit e UÇK-së e konsiderojnë dëshminë e Covey një vërtetim se Ushtria Çlirimtare nuk ishte një strukturë kriminale, por një lëvizje popullore që vepronte në kushte të jashtëzakonshme lufte.

Kontrolloni gjithashtu

Serbia dhe Spanja bojkotojnë konferencën e OSBE-së për shkak të Kosovës

OSBE: Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen plotësisht

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila urdhëroi …