Që nga 15 shtatori, muret e Gjykatës Speciale në Hagë janë tronditur nga dëshmitë e ish-diplomatëve ndërkombëtarë, në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Derisa deri më tani kanë dëshmuar tre nga 11 dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja – James Rubin, Paul Williams dhe John Stewart Duncan – ekspertët vlerësojnë se dëshmitë e tyre kanë peshë të veçantë dhe tregojnë mbështetjen e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për zbardhjen e së vërtetës. Në anën tjetër, avokati Ardian Bajraktari vlerësoi se dëshmitë e ish-diplomatëve ndërkombëtarë kanë sjellë “një anë tjetër të medaljes”, duke sfiduar narrativën e Prokurorisë. Ai theksoi se dëshmitë janë të besueshme, të shoqëruara me dokumente dhe të sinkronizuara mes vete, duke dëshmuar se “kjo është e vërteta për UÇK-në dhe për Hashim Thaçin në veçanti”. Bajraktari po ashtu kritikoi vazhdimin e paraburgimit për ish-krerët e UÇK-së, duke e quajtur “shkelje flagrante të ligjit” dhe në kundërshtim me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ndërkohë, protestat e fundit në Kosovë tregojnë mbështetjen popullore për të paraburgosurit në Hagë, me shumë qytetarë që e konsiderojnë procesin si të padrejtë dhe të karakterizuar nga qasje një-etnike.
