Dëshmori, Ramadan Beqir Fazliu, uragan i lirisë

Dëshmori, Ramadan Beqir Fazliu, uragan i lirisë

Ramadan Fazliu u lind në fshatin Pantinë të komunës së Vushtrrisë. Rrjedh nga një familje bujare punëtore atdhetare dhe e respektuar nga të gjithë. Ishte i biri i Beqir Fazliut nga Pantina e Vushtrrisë një burrë atdhetar i urtë punëtor e tepër human dhe nënës, Elife Zhegrova nga Cecelia e cila gjithashtu rridhte nga një familje atdhetare e bujare.Ai ishte një burrë trim e atdhetar, i zhuritur për Kosovën dhe për Shqipërinë. Me familjarët e tij ishte në mbështetje dhe pjesëmarrës në shumë protesta e demonstrata. Ka rënë dëshmor, më 17 korrik të vitit 1998, te Rrasa e Zogut, në bjeshkët e Junikut.

Me Ramadan Fazliun ishim nxënës të një shkollë dhe pothuaj të një gjenerate, prandaj dhe e njihnim karakterin e njëri tjetrit. Në vitet 60-ta, familja e Beqir Fazliut u shpërngul nga Pantina dhe u vendosën në fshatin Dalak, andaj dhe takoheshim e bisedonim më shpesh. Ramadan Fazliu ishte i dashur e i ëmbël në raportet familjare me prindërit me bashkëshorten me fëmijët me miqtë e me shokët. Në vitet 90-ta, ai ka qenë i angazhuar dhe ka punuar pa u ndalur në Këshillin për Financim dhe punonte për të ndihmuar funksionimin me sukses të shkollës shqipe.

Dani e dinte se ne po vepronin fshehtas, në shërbim të çështjes kombëtare prandaj kishte një admirim të veçantë ndaj neve dhe shokëve të veprimtarisë kombëtare. Ai ishte i gatshëm që të angazhohej dhe të jepte kontributin e tij të pakursyer. Mirëpo ne ishim pajtuar që nuk ishte pak që të punonte të rriste e të shkollonte fëmijët se nuk ishte pak që të ishte aktiv në protesta e në demonstrata për Republikën e Kosovës. Ndërsa kur të na vinte dita ne do të ishim së bashku në luftën e pashmangshme të armatosur kundër forcave serbo-çetnike që aq shumë i urrente.

Dhe vërtetë ashtu dhe ndodhi. Ramadani kishte kontakte dhe me kushërinjtë, Ruzhdi e Ferki Aliun nga Pantina, andaj dhe ishte në dijeni për veprimin dhe aksionet e Njësiteve të UÇK-së, kundër  forcave policore serbe. Menjëherë pas luftimeve në Likoshan e Qirez dhe pas Epopesë së familjes Jashari, Ramadani ishte kudo në shërbim të UÇK-së dhe të popullatës duke furnizuar sidomos, me artikuj ushqimorë që prodhonte dhe ai me familjarët e tij, duke i dërguar në Drenicë dhe në Zonën Operative të Shalës.

Ishte i papërmbajtur për t’u kyçur në radhët e UÇK-së, gjë që edhe u bë. Ramadan Fazliu, fillimisht u aktivizua në Njësitin Special të Batalionit të Parë të Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës, e cila atëherë ndodhej në fshatin Trimor (Zhilivodë). Ai ishte shumë aktiv dhe në kohën e organizimit të rojeve nëpër fshatra (Pas suprimimit të Autonomisë së Kosovës), mirëpo atë e shqetësonte mungesa e armatimit.  Për të zgjidhur çështjen e furnizimit me armatim, nga fshati Dalak është angazhuar dhe Veli Osmani, një nga pjesëmarrësit dhe udhëheqësit e Grevës së Minatorëve në Minierën e Trepçës në Stantërg në vitin 1989. Veliu kishte kërkuar armë në Shalë të Bajgores dhe në Llap. Ai për këtë punë kishte shkuar dhe në Likoc. Mirëpo nga Shtabi i Likocit ishte mundësuar që të dërgoheshin dhjetë veta). Ramadani iu bashkua Grupit prej 10 luftëtarëve të fshatit Dalak, i cili pritej që të udhëtonte për në Tropojë, për t’u furnizuar me armatim.

Grupi ose Njësiti i përzgjedhur kishte këtë përbërje:

  1. Ramadan Fazliu, 2.Bedri Osmani,3. Islam Osmani,4. Enver Osmani,5. Sabri Osmani,6. Hazir Kuqi,7. Bashkim Kuqi,8. Sadri Kuqi, 9. Isa Sherifi dhe10. F.G. i cili tërhiqet nga ky udhëtim për armatim.

Ditën që do të udhëtonte për në Shqipëri, ma bëri me shenjë që të dilja e të bisedonim, tregon Shabani, vëllai i Ramadanit. Sot do të udhëtojmë për në Tropojë më tha!

Po përse bash ti, i thash! Je më i moshuar, po shkoj unë ose njëri nga vëllezërit më të rinj i thamë ne, por nuk po bindej dot.

Unë do shkoj jam i martuar, kam fëmijë na tha, ju jeni të rinj do të martoheni e do të krijoni familje prandaj nuk diskutohet kjo punë.

Ishte mëngjes, shoqja e Danit, Hafija, po përgatiste mëngjesin, ndërsa Dani nuk u ul që të hante në sofër, sepse nuk kishte kohë atë po e priste rruga e nderit dhe e lavdisë. E mori një pjesë të bukës në dorë dhe po e hante sepse atij po i ngutej që të bashkohej me shokët që po e prisnin në Likoc të Drenicës. Shkuarja në Likoc, ishte ndër ditët më të lumtura për Ramadanin me shokë, sepse aty po e prisnin rreth 1800 vullnetarë të gatshëm për të udhëtuar e për të çarë kufirin e hekurt shqiptaro – shqiptar. Aty u takuam dhe me strategun dhe legjendën e luftës së UÇK-së, Bekim Berisha me shokun e tij të pandashëm Bedri Shala, kujtojnë Bedri Osmani dhe Hazir Kuçi me bashkëluftëtarët e tyre. ”Kush se din se sa e rëndë është lufta, le ta kaloj kufirin Kosovë-Shqipëri në këmbë” na tha Bekim Berisha në fjalimin e tij të para nisjes së këtij rrugëtimi kaq të gjatë e kaq të vështirë.

Para nisjes, na u kërkua që të caktonim një udhëheqës të Njësitit. Mirëpo për këtë ne nuk kishim nevojë që të mendohemi fare sepse foli vet Ramadani i cili duke buzëqeshur tha: ”Mua më takon kjo detyrë dhe kjo përgjegjësi sepse jam dhe më i moshuari nga ju”. Pasoi fjala e Bekim Berishës i cili duke na dhënë vullnet dhe kurajë, na shpjegoj dhe udhëzoj për kushtet dhe mënyrën e udhëtimit. Pastaj kemi udhëtuar me autobus dhe me kamionë deri në Malishevë, ndërsa nga aty e tutje kemi udhëtuar në këmbë. Gjatë gjithë udhëtimit për ne është kujdesur dhe na ka përcjell Ramadani, sepse ne ishim të fundit në kolonë dhe kishte mundësi (siç dhe ka ndodhur tre herë) që të shkëputeshim nga kolona e gjatë. Në krye të kolonës prinin Bekim Berisha dhe Bedri Shala të cilët ishin udhëheqës dhe përgjegjës të këtij udhëtimi.

Prandaj më 2 korrik 1998, së bashku me këtë grup madhështor kemi kaluar kufirin shqiptaro-shqiptar për t’u furnizuar me armatim. Gjatë gjithë udhëtimit Ramadani na rrinte afër, na këshillonte, na jepte moral e vullnet, dhe për të na e lehtësuar sadopak lodhjen, ai na tregonte rrëfime të ndryshme. Përshtypjen më të madhe dhe të paharrueshme na e kanë lënë këto fjalë të Ramadanit shprehen shokët e Njësitit të Dalakut:

”O shokët e mi a e keni paramenduar ndonjëherë se një ditë do të udhëtojmë në këmbë për në Shqipëri, duke e shijuar dhe përjetuar çdo pëllëmbë të kësaj toke, që e kemi ëndërruar shumë herë, të shohim këto bjeshkë e këto bukuri, se do të vinim këtu për tu armatosur, dhe posa të kthehemi nga Shqipëria, kush ka jetë do të na pret Kosova, na pret fronti e përgjegjësia e madhe kombëtare. Sepse këtë ditë e ka pritur babë e babagjysh, për me i dalë zot Kosovës, ndërsa ne paskemi qenë me fat që të jemi ushtarë të UÇK-së, sepse gjithkujt nuk i jepet kjo mundësi, për të qenë në shërbim të atdheut, Kosovës e Shqipërisë, e për ne do të shkruan historia, sepse ne do ta shkruajmë vet historinë me gjakun tonë, ndërsa fëmijët tanë dhe gjeneratat e ardhshme do të jenë krenar me neve e me UÇK-në”. Udhëtimi ishte tepër i rëndë, po lëviznim natën, nëpër zona të rrezikshme e të kontrolluara nga forcat serbe, ishim lodhur e rraskapitur, ndërsa kolona vazhdonte udhëtimin pa asnjë problem, sepse në krye të kolonës ishin kolosët e kësaj lufte të shenjtë, Bekim Berisha e Bedri Shala. Ndërsa drita na zbardhi në Shqipëri. Na dukej si në përralla se ishim në një botë tjetër me ato bjeshkë me atë ajër të pastër e me ato bukuri të rralla. Në Tropojë kemi arritur kah mesi i ditës, u vendosëm në shkollë për të pushuar e për të fjetur. Gjatë qëndrimit në Tropojë, në pritje të armatimit Ramadani gjithnjë kujdesej për ne, na rrinte afër na dispononte dhe na informonte për çdo gjë sepse ai takohej me “Abejën”(Bekim Berishën), derisa në një mbrëmje na informoj se armatimi ishte gati dhe se nesër natën do të nisemi për në Kosovën tonë të dashur.

Kolona ishte e gjatë dhe gjigante ndërsa Ramadani prijësi dhe udhëheqësi ynë na tha: “Qohuni djema se erdhi koha për t’u nisur për në Kosovë e me marr hak në polic e ushtarë të Serbisë, se mjaft i kemi duruar ata monstrumë.

Kemi pushuar mjaftë jemi kënaqur e jemi armatosur gjerë në dhëmbë si është më së miri, e uroj që kështu së bashku një ditë do të vijmë për qejf në Shqipërinë tonë të dashur”…

Kah mesi i natës kemi arritur në bjeshkët e larta të Shqipërisë, kemi bërë një pushim të gjatë. Në të kthyer  ne Njësiti i Dalakut ishim pothuaj se të parët në kolonë (10 veta ishin para neve), mirëpo për çudinë tonë posa filloi të lëvizte kolona drejtë kufirit të Kosovës mu pranë Rrasës së Zogut i pari i kolonës bie në mina. Me të dëgjuar detonimin forcat serbe aktivizojnë raketat ndriçuese dhe fillojnë rafalë gjuajtjesh e granatimesh me minahedhës e me armë të ndryshme. Me këtë rast Hazir Kuçi, Sadri Kuçi e Isa Istrefi u futën në pyllin afër, mirëpo dhe aty kishte qenë zonë e minuar. Me këtë rast Haziri plagoset rëndë ndërsa Isa dhe Sadriu marrin plagë më të lehta. Ndërsa Ramadan Fazliun, udhëheqësin e Njësitit tonë e kishte marrë një plumb vdekjeprurës.

Ai ra në Altarin e Lirisë, ra për të mos vdekur kurrë ra dëshmori ynë sypatrembur, Ramadan Fazliu. Në këtë pritë dhe në përpjekje të pabarabarta me forcat serbe, ra dëshmor dhe i riu, Adem Ademi nga Galica e Drenicës e shumë shokë të tjerë. Gjatë kësaj mbrëmjeje të kobshme ranë  24 ushtarë, ndërsa u plagosen rreth 70 të tjerë. Ishte tepër e rëndë të ndaheshe nga udhëheqësi e bashkëluftëtari mirëpo të plagosurit kërkonin ndihmën e parë. Në ndërkohë ne të gjallët filluam bartjen e të plagosurve deri në spitalin ushtarak të Junikut. Ndërsa për tërheqjen e kufomave tashmë nuk kishte mbetur asnjë mundësi. Në Junik u takuam me grupin e radhës nga Zonës Oprative të Shalës, të prirë nga Rrahman Rama, që po udhëtonin drejtë kufirit për në Shqipëri. Aty takuam dhe Bahri Kuçin i cili po udhëtonte për të dytën herë. Me këtë rast ne kërkuam nga ai që të kthehej dhe të na ndihmonte për bartjen e të plagosurve, prandaj Bahriu u kthye dhe na ka ndihmuar shumë në këto çaste tepër të rënda për ne dhe për shokët tanë .

Trupi i dëshmorit të kombit, Ramadan Beqir Fazliu, edhe sot e kësaj dite figuron në listën e të pagjeturve. Ramadan Fazliu dhe familja e tij, pas çlirimit është dekoruar me certifikatë dhe ka marrë mirënjohje nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, dega në Vushtrri dhe nga institucionet e pushtetit qendror dhe lokal të Republikës së Kosovës.

Më 23.01.2017 Ramadan Fazliut i ndahet Certifikatë nga Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit apo të Internuarit të UÇK-së, Kryetari i Komisionit, Agim Çeku. Më 17. 6. 2017 i ndahet Mirënjohje, Beqir Fazliut prind i dëshmorit, nga kryetari i komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku. Më 09.11.2018, i ndahet Mirënjohje, prindit të dëshmorit, Beqir Fazliu, për kontributin e dhënë për çështje kombëtare nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryetari i Shoqatës Gëzim Zuçaku. Më datë 17.07. 2018 dëshmorit të kombit, Ramadan Fazliu iu ka  ngritur Pllakë përkujtimore në vendin e rënies, te “Rrasa e Zogut”,  në Junik. (Xhemajl Pllana)

Kontrolloni gjithashtu

Bajram Hetem Sylejmani (3.12.1965 - 28.9.1998)

Bajram Hetem Sylejmani (3.12.1965 – 28.9.1998)

Dëshmori Bajram Sylejmani ka lindur më 3 dhjetor të vitit 1965, në fshatin Sadovinë të …